Si t’i bëjmë fermat bujqësore konkuruese dhe të qëndrueshme ?

Digjitalizimi i bujqësisë është një trend i kohëve të fundit në botë. Bujqësia po përballet dhe do të vazhdojë të përballet edhe në të ardhmen me fenomene të tilla si ndryshimet klimatike, rritja e numrit të popullsisë, rritja e nevojave për ushqim, ndotja e ambientit, risqet e përdorimit të preparative kimike në shëndetin e njerëzve, pakësimi i burimeve natyrore, reçesioni ekonomik, etj. Në këto kushte futja e teknologjive inovative dhe digjitale në bujqësi nuk është më një dëshirë por një nevojë, për të siguruar pakësimin e risqeve, rritjen e prodhimit dhe përmirësimin e cilësisë në bazë të përdorimit efektiv të burimeve dhe qasjeve me baza shkencore.

Në vendin tonë nevojat për modernizimin e fermave bujqësore janë të mëdha. Fermeri që të vazhdojë të jetë konkurrues në treg, nevojitet që të bëjë parashikimin e prodhimit sipas kërkesave dhe preferencave të konsumatorëve, të prodhojë sa më shumë, me cilësi të lartë e duke përdorur më pak burime. Në këto kushte menaxhimi i fermave nëpërmjet teknologjive inovative dhe digjitale të informimit dhe komunikimit, pra krijimi i të ashtuquajturave ferma “Smart” jep zgjidhje optimale.

Aktualisht teknologjitë inovative dhe digjitale më të përdorura në të ashtuquajturat ferma “smart“ janë të shumta si:

  • përdorimi i gjerë i sensorëve për matjen e lagështisë, dritës, temperaturës, lagështisë së tokës, ph, përcaktimi i elementëve ushqyes në tokë, etj;
  • përdorimi i pajisjeve GPS, GIS;
  • përdorimi i pajisjeve mobile në sistemet e komunikimit;
  • transmetimi i të dhënave nëpërmjet internetit, trasmetimet e imazheve satelitore, etj
  • përdorimi i pajisjeve automatike për ujitje, plehërim me preçizion, spërkatje;
  • përdorimi i dronëve, robotëve etj;
  • përdorimi i platformave profesionale analitike dhe të optimizimit.

Të gjitha këto teknologji po bëhen gjithnjë e më të domosdoshme për një menaxhim sa më të mirë të fermës. Të pajisur me mjete dhe teknologji moderne arrihet të menaxhohet ferma me saktësi dhe të merren vendime strategjike duke kursyer kohë, burime dhe pakësuar ndotjen. Menaxhimi i fermës duke përdorur teknologjitë moderne të informimit dhe komunikimit do të jetë e ardhmja e bujqësisë. Krijimi i fermave të ashtuquajtura “smart” do të jetë zgjidhja për të konkurruar dhe siguruar qëndrueshmërinë në të ardhmen.

 

Prof. Asoc. Dr. Frida Çarka
Instituti i Resurseve Gjenetike të Bimëve, UBT.

Na Ndiqni në: