Qumështi i gomaricës mund të tingëllojë si një risi në tregun e llojeve të ndryshme të qumështit por në realitet, ky produkt ka ekzistuar prej mijëra vjetësh. E megjithatë, vitet e fundit qumështi i gomaricës është bërë mjaft i njohur, veçanërisht në disa zona të Evropës.
Produkti në fjalë ka shumë benefite, gjen hapësira të ndryshmë përdorimi jo vetëm për konsum dhe për efektet pozitive në organizëm por edhe për sektorin e farmaceutikës dhe kozmetikës. Gomaricat i përkasin familjes Equidae e cila gjithashtu përfshin kuajt dhe zebrat.
Raca të ndryshme të gomaricave të shtëpisë rriten e mbarështrohen në të gjithë botën dhe si shumë gjitarë të tjerë, edhe gomaricat janë rritur prej shekujsh për të marrë prej tyre qumështin. Qumështi i gomaricës ka një histori të gjatë përdorimi në fushën medicinale dhe të kozmetikës.
Thuhet se Hipokrati e përdori atë si trajtim për artritin, kollën dhe plagë të ndryshme, ndërsa Kleopatra besohet se e ka pëdorur për të ruajtur freskinë e lëkurës dhe butësinë e saj në banjat me qumësht gomarice. Ka veti antimikrobike dhe përdoret si trajtim në mjekësinë popullore për infeksione, përfshirë edhe kollën e mirë ndërsa është përdorur gjithashtu edhe në trajtimin e disa viruseve në zona të Afrikës dhe Indisë.
Krahasuar me qumështin e kafshëve të tjera që prodhojnë këtë produkt si lopët, dhitë, delet, bualli apo devetë, qumështi i gomaricës ngjan më tepër me qumështin e gjirit tek njeriu dhe në fakt, për herë të parë është përdorur në shekullin e 19-të për të ushqyer një foshnjë jetime. Edhe fermat e gomerëve/gomaricave po bëhen gjithnjë e më tepër popullore.
Nga ana ushqimore, qumështi i gomaricës është shumë i ngjashëm me qumështin e gjirit të gruas dhe atë të lopës. Ai siguron vitamina dhe minerale së bashku me proteina. Ka më pak yndyrna dhe kalori dhe ka më shumë vitaminë D sesa qumështet e tjera. Shumica e kalorive në qumështin e gomaricës vijnë nga karbohidratet, të cilat janë në formën e laktozës.
Qumështi i gomaricës është shumë më tepër se një produkt ushqimor pasi përdoret edhe si një përbërës kozmetik. Disa nga proteinat e qumështit të gomaricës funksionojnë gjithashtu si antioksidantë.
Edhe në Shqipëri, ky lloj qumështi është përdorur në shumë krahina të ndryshme prej dekadash, kryesisht në zonat rurale, ku shpesh nënat e përdornin tek fëmijët për të zëvendësuar qumështin e gjirit.
Qumështi i gomaricës ka një kosto shumë herë më të lartë nga qumështi i lopës apo i dhisë, ku 1 litër prej tij varion nga 30 euro deri 50 euro. Sipas ekspertëve qumështi i gomaricës përmban 60 herë më shumë vitaminë C sesa qumështi i lopës si dhe vitaminat A, D, E dhe ato komplekse B.