Qepa e Tushemishtit

Përhapja:fshatrat e Pogradecit dhe rrethinat e tij njihet e kultivohet për më se 200  vjet. Fara është mbajtur, ruajtur dhe trashëguar brez pas brezi nga kopshtarët. Deri në vitet e fundit të shekullit të kaluar zinte rreth 30-35 % të sipërfaqes së qepës në zonë. Tashmë nuk kultivohet më, përjashtuar ndonjë familje me tradita në prodhimin e perimeve në kopshte.

Përshkrimi: Qepa e Tushemishtit përfaqëson në vetvete një ekotip i cili përfshin dy forma, të cilat dallohen midis tyre nga forma e bulbit dhe ngjyra e luspave të jashtme mbështjellëse të tij. Njera qepë ka bulba të rrumbullakët dhe me pole pak të shtypur deri pak eliptik, me luspa të jashtme  me ngjyrë tull të lehtë deri në të verdhë të hapur, kurse forma e dytë ka bulba në formën e një disku, me shtypje më të theksuar në të dy polet e tijdhe luspat mbështjellëse me ngjyrë rozë të çelët.

Forma me bulb të rrumbullakët dhe me pole pak të shtypur ka qënë më e përhapur. Në saj të punës së kujdesshme e shumëvjeçare të kultivuesve ajo paraqitej me uniformitet të mirë, krahasuar me formën tjetër. Diametri i bulbit shkon rreth 6-10 cm, kurse pesha mesatare e tij 120-180 g; nuk përjashtohen rastet edhe me bulba edhe më të mëdha se 300-400 g. Luspat e jashtme, rreth 3-4 të tilla, janë të holla, të forta, e mbështjellin mirë bulbin dhe i japin atij qëndrueshmëri të mirë në transport dhe në ruajtje. Ato kanë ngjyrë tull të lehtë deri në të verdhë të hapur. Luspat e brendshme janë mishtore dhe me ngjyrë të bardhë qumështi. Trashësia e tyre është rreth 3-4 mm. Numri i luspave të brendshme ndryshon në varësi të madhësisë së bulbit. Zakonisht janë 6 -7, por në bulbat e mëdhenj, me peshë deri në 400 g, numri i tyre shkon në rreth 10-14.

Bulbat përmbajnë mesatarisht 88-90 % ujë dhe 10-12% lëndë të thatë. Ato kanë shije të mirë dhe janë djegëse. Qepët e kësaj forme mund të ruhen mirë deri në fund të muajit prill të vitit pasardhës.

Kultivimi: Tradicionalisht kultivohet me qepujkë .

Teknologjia: Për prodhimin e qepujkës fara mbillet në vllaja, në pranverë, periudhën 1 – 15 mars; qepujkat  janë të gatshme për vjelje në fillim të gushtit. Pas vjeljes, thahen dhe ruhen në hangarë. Në vitin pasardhës, për prodhimin e qepës së thatë,  qepujkat  mbillen  herët në pranverë, në largësitë  20 x 15 – 20 cm. Kryhen ujitje, plehërime dhe prashitje e bimëve. Prodhimi vjen për tu vjelë në gusht – shtator. Pas vjeljes, qepët thahen dhe ruhen në hangarë. Rendimenti shkon rreth  30 40 kv/dynym.

Veçantitë:

Pozitive: Është mesatarisht e qëndrueshme ndaj sëmundjeve dhe dëmtuesve. Jep prodhim të mirë e të qëndrueshëm;

Negative: Preket mesatarisht nga vrugu (Peronospora schleideni Ung). Nuk ka uniformitet bulbave.

Përdorimi: Preferohet për konsum të freskët dhe gatim në familje.

Risku: Është në rrezik zhdukjeje. Me futjen dhe shtrirjen gjerësisht në prodhim të kultivarëve modern (F1) të importit, tashmë mbillet cdo vit e më pak.

Ruajtja: Ky ekotip është koleksionuar dhe ruhet në fondin e koleksionit bazë të Institutit të Resurseve Gjenetike, pranëUniversitetit Bujqësor të Tiranës.

Përgatiti: Prof. Dr. Sokrat Jani

koment

  • Pershendetje !
    Jam i interesuar per te siguruar qepujken e Tushemishtit per mbjellje
    ju lutem :
    ku te drejtohem per blerjen e qepujkave

Na Ndiqni në: