Procesi i blojës është copëtimi i një trupi në pjesëza më të vogla të tij. Në industrinë e përpunimit të drithit, procesi i blojës është i një rëndesie të veçantë, pasi aty ndodh copëtimi i drithit: grurë, misër, tërshërë, elb etj, në grimca të vogla, të cilat janë më të punueshme dhe mund të përdoren për të prodhuar produkte të ndryshme brumi.
Procesi i blojës daton që prej shumë vitesh më pare dhe ka ndihmuar fermeret në sigurimin e produkteve me bazë mielli, vetëm duke bluar vetë grurin apo drithërat e tjerë. Mullinjtë me gurë ishin mullinjtë e parë të cilët ndihmuan për bluarjen e drithit, të cilët përdornin ujin ose erën për të bluar drithin midis dy gurëve. Më pas realizohej procesi I sitjes për largimin e pjesëzave të medha të cilat hidheshin përsëri në mullinj për t’u ribluar. Pavarësisht procesit të sitjes, mund të krijoheshin dy tipe mielli, i pari tërësisht integral, ku gjithë kokrra e drithit ishte bluar, me ekstraktim afërsisht 100%. Ky miell do të japë një bukë të zezë dhe plot me vlera ushqyese. Tipi i dytë i miellit ishte ai i bardhë, i cili vlerësohet shumë për vetitë e tij teknologjike dhe karakteristikat sensoriale, por është i varfër me vlera ushqyese. Ky i fundit vleresohej dhe si miell i shtresës së lartë pasi dhe cmimi i tij ishte i lartë.
Zhvillimi i teknologjisë çoi në ndertimin e mullinjve industrial, parimi I të cilëve përdoret dhe sot, ku përdoren sisteme me dy cilindra me dhëmbezime të ndryshme në varësi të fazës së procesit e të blojës. Kryesisht ka tre faza të procesit të blojës, faza e copëtimin, thërrmimit dhe imtësimit. Në të tre këto faza dhëmbëzimi i cilindrave ndryshon duke ju përshtatur elementeve që do të bluhen.
Këto faza cojnë në prodhimin e miellit, ku pjesëza më e imet që vjen nga procesi i bluarjes së drithit quhet miell.
Përcaktimi i rendimentit është një nga proceset më të rëndësishme për një fabrikë apo punishte.
Rrezja e miellit, është shumë e rëndësishme për të përcaktuar tipin e miellit dhe më pas dhe vetitë reologjike të brumit dhe teksturën e vetë produkteve të pjekjes.
Rrezja e miellit, është sasia e miellit që prodhohet nga bluarja e 100 kg drithë. Ajo është në varësi të drejtëpërdrejtë me përqindjen e hirit të pranishme në miell. Keshtu sa më e madhe të jetë rrezja, aq më e madhe është përqindja e hirit. Kjo e fundit është e lidhur me praninë e elementëve të cipës mbuluese të pranishme në miell. Në këtë mënyrë, sa më shumë rritim rrezen, aq me shumë rritet hiri, dhe ne kalojmë nga mielli i bardhë, me rreze të ulët, në miellin integral, me rreze të lartë.
Për të përcaktuar rrezen mund të përdorim një mulli të thjeshtë dhe një sistem sitash me vrima me dimensione të ndryshme për ndarjen e fraksioneve të ndryshme.
Dr. Alketa Shehaj
Departamenti i Teknologjisë Agroushqimore, Fakulteti Bioteknologjisë dhe Ushqimit, UBT