dimitrisvetsikas1969 - www.pixabay.com

Migrantët klimatikë, sfida e radhës e ngrohjes globale

Ndryshimet mjedisore dhe katastrofat kanë qenë gjithmonë faktorët kryesorë të migrimit. Sidoqoftë, parashikimet e ndryshimeve klimatike për shekullin e 21-të tregojnë se gjithnjë e më shumë njerëz do të lëvizin për shkak të ngjarjeve ekstreme, të cilat do të ndikojnë në jetesën dhe sigurinë e njerëzve. Përmbytjet, thatësira dhe stuhitë do të bëhen më të shpeshta dhe intensive si dhe do të ketë ndryshime të modeleve të reshjeve dhe temperaturës.

Në vitin 2020 katastrofat mjedisore shkaktuan më shumë se tre të katërtat e shpërnguljeve të reja të regjistruara në të gjithë botën, duke arritur në 30.7 milionë. Kjo është sa trefishi i shifrës së shpërnguljeve për shkak të konflikteve dhe dhunës, e cila është 9.8 milionë. Ky është niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë. Shumica e shpërnguljeve në lidhje me katastrofat mjedisore ka qenë rezultat i stuhive tropikale dhe përmbytjeve në Azinë Lindore e Paqësor dhe Azinë Jugore, ku në vitin 2020 u arritën shifrat më të larta të njerëzve të shpërngulur, përkatësisht 39.3% dhe 30.1% të totalit botëror. Pjesa tjetër e shpërnguljeve në lidhje me katastrofat mjedisore është rezultat i zjarreve, rrëshqitjeve të tokës, temperaturave ekstreme dhe thatësirave. Kina, Filipinet dhe Bangladeshi regjistruan secila më shumë se katër milionë shpërngulje të reja, shumë prej të cilave ishin evakuime parandaluese.

Burimi: GRID 2021, Internal displacement in a changing climate, 2021,IDMC

Figura 1: Shpërnguljet e reja në vitin 2020. Ndarja sipas tipit: konflikte, dhunë (ngjyrë portokalli) dhe katastrofa (ngjyrë blu).

Ndërsa migrime të tilla janë një sfidë globale, ato priren që të përqëndrohen në disa rajone ose vende. Sipas Bankës Botërore, në Afrikën nën-Sahariane, Azinë Jugore dhe Amerikën Latine, të cilat së bashku përbëjnë 55% të popullsisë së vendeve në zhvillim, deri në vitin 2050 mund të detyrohen të migrojnë brenda vendeve të tyre deri në 143 milionë njerëz (në skenarët më pesimistë).

Burimi: International Organisation for Migration

Figura 2:Deri në vitin 2050, nëse nuk ndërmerret asnjë veprim, do të ketë më shumë se 143 milionë migrantë klimatikë në rajonet e Afrikës nën-Sahariane, Azisë jugore dhe Amerikës Latine.

Deri më sot nuk ka një përkufizim ligjor për njerëzit në lëvizje për shkak të faktorëve mjedisorë dhe asnjë që të jetë e pranuar ndërkombëtarisht. Sidoqoftë, Organizata Ndërkombëtare për Migracionin në vitin 2007 propozoi një përkufizim: “Migrantët mjedisorë janë njerëz ose grupe njerëzish që kryesisht për shkak të një ndryshimi të papritur ose progresiv të mjedisit që ndikon negativisht në jetën ose kushtet e tyre të jetesës, janë të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, qoftë përkohësisht ose përgjithmonë dhe të lëvizin brenda vendit të tyre ose jashtë tij”.

Vështirësia për të përcaktuar qartë fenomenin është pjesërisht për faktin se nuk është e lehtë të përcaktohet se kur një migrim shkaktohet drejtpërdrejt nga klima. Faktorët që drejtojnë këto flukse migratore janë të shumtë dhe kompleksë, nga socialë në ekonomikë dhe politikë dhe kriza e klimës është një shumëfishues i këtyre kërcënimeve.

Ndryshimi i klimës është kriza e kohës sonë dhe migrimi klimatik është një nga pasojat e saj më shkatërruese. Popullata të tëra tashmë janë duke u ndikuar dhe njerëzit që jetojnë në disa nga vendet më të brishta shpesh preken në mënyrë disproporcionale.

Burimi: Climate Change, Migration and Displacement: The need for a risk-informed and coherent approach, ODIand UNDP, 2017

Figura 3:Dhjetë ngjarjet më të mëdha të shpërnguljeve të vitit 2016 ishin të lidhura me klimën.

 

Adri Erebara
Departamenti i Mjedisit dhe Burimeve Natyrore, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, UBT.

Na Ndiqni në: