Menaxhimi i mbetjeve në landfill, mundësi aplikimi për studentët e mjedisit

Në kuadër të programeve mësimore, studentët e departamentit të Mjedisit dhe Burimeve Natyrore zhvilluan një praktikë studimore njëditore në Landfillin e Sharrës, me synim njohjen e menaxhimit të integruar të mbetjeve dhe standardet mjedisore që aplikohen nga shoqëria koncesionare “IntegratedEnergy” B.V..

Studentët pjesëmarrës ishin nga cikli parë i studimeve “Menaxhim i burimeve natyrore” dhe nga cikli i  dytë MSc. “Inxhinieri agromjedisi” dhe MP “Menaxhim mjedisi” dhe “Zhvillim rural i qëndrueshëm”.

Vizita studimore u zhvillua përgjatë një itinerari me ndalesa në pikat kryesore të impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane, të shoqëruar nga përfaqësuesit e kompanisë, ku gjatë qëndrimeve në secilën nga pikat, u analizuan çështjet mjedisore të parashtruara në programin e praktikës në terren. Vendet e ndalimit ndiqnin rrugën që mbetjet kryejnë brenda impiantit.

Fillimisht, u vizitua ndërtesa në të cilën do të zhvillohet seleksionimi manual i mbetjeve, ku operatorët grumbullojnë çdo mbetje që konsiderohet e riciklueshme (qelq, kanaçe, ambalazhe me letër, karton,  plastike etj). Më pas, studentët patën mundësinë të njohin format e depozitimit të mbetjeve të rrezikshme (por jo radioaktive) dhe jo të rrezikshme në 2 vaskat e depozitimit, të cilat nuk lejonin kalimin e ndotësve të lëngët në shtresat e nëndheshme. Kjo falë aplikimit të shtresës së gjeotekstilit dhe shtresës HDPE, të cilat respektivisht kanë funksion mbrojtës dhe nuk lejojnë përshkueshmëri nga uji, procedurë e cila mbron tokën dhe ujërat nëntokësorë nga ndotja e mundshme. Këto ujëra të ndotur më pas drenohen dhe trajtohen në vaskat e trajtimit të ujërave të ndotur.

Figura1: Momente nga prezantimi i impiantit të trajtimit të mbetjeve

Ndalesa e radhës përkonte me vendin ku do të ndërtohet inceneritori i cili do të jetë i një teknologjie të tillë që falë filtrave kimikë dhe fizikë që do të aplikohen, do të bëjë që çlirimet në ajër të jenë brenda normave.

Një aspekt shumë i rëndësishëm ishte analizimi i situatës mjedisore në ambientet e landfillit dhe se si ka ndryshuar cilësia e komponentëve mjedisorë (tokë, ajër, ujë, biodiversitet dhe zhurma). Një tregues i qartë i kësaj cilësie, ishte prania e florës dhe faunës, si tokësore ashtu edhe ujore, të cilat shërbejnë si indikatorë biologjikë të cilësisë së mjedisit të brendshëm të impiantit.

Në përfundim të saj, praktika mësimore në terren realizoi objektivat specifikë të saj të cilat ishin:

  1. Zgjerimi i njohurive dhe aftësimi praktik i studentëve lidhur me njohjen e menaxhimit të integruar të mbetjeve.
  2. Njohja nga ana praktike e Landfillit të Sharrës dhe standardeve mjedisore për ruajtjen e cilësisë mjedisore.
  3. Identifikimi i masave dhe politikave zbutëse ndaj gjendjes së mëparshme të landfillit.
Figura 2: Foto përmbyllëse e vizitës studimore

 

Adri Erebara
Departamenti i Mjedisit dhe Burimeve Natyrore, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, UBT.

Na Ndiqni në: