Koha për vëmendje të shtuar në trajtimet dimërore në pemë frutore, ullinj dhe vreshta

Jemi në muajin e fundit të dimrit dhe kjo kohë nënkupton një vëmendje të shtuar të agronomëve, fermerëve kultivues dhe fitofarmacive. Është shumë e rëndësishme që për një sërë kulturash bujqësore, të tregohet një kujdes i veçantë.

Kulturat e pemëve frutore
Pemët frutore bërthamore (pjeshkë, kumbull, kajsi, qershi, bajame, etj.).

Problem serioz për këto lloj kulturash të sipërpërmendura janë patogjenët kërpudhorë dhe bakteriale të cilët gjatë dimrit qëndrojnë në gjendje inaktive dhe me ardhjen e temperaturave të larta si dhe të pranisë së lagështirës, fillojnë të aktivizohen.

Në kulturën e pjeshkës kemi: gjethe përdredhësen (Taphrinadeformans), gjethebiruesen e bërthamorëve (Cladosporiumcarpophilum), si dhe bakteriozat e ndryshme.
Nga momenti i fryrjes së sythave deri në dukjen fillestare të çeljes së tyre, ndërhyhet me produktet me bazë bakri të cilët gjenden në listën e miratuar duke kryer dy trajtime të njëpasnjëshme me interval 5-7 ditë.
Ndër insektet dëmtues që dimërojnë në pemë janë; breshkëzat dhe vezët e merimangave si dhe të afideve. Për këto, kryhen trajtime me preparate me bazë vajrash të bardhë.

Kultura e Ullirit

Në kulturën e ullirit sëmundja më dëmsjellëse dhe që kompromenton prodhimin në kushtet tona klimatike është “syri i palloit”.

Kontrolli i “syrit të palloit”

Patogjeni është prezent në të gjitha zonat e kultivimit të ullirit në vendin tone. Në kushtet e një dimri jo të ftohtë, sëmundja zhvillohet që nga vjeshta deri në pranverë.
“Syri i palloit” prek gjethen, degëzat e reja njëvjeçare, bishtat e gjetheve e të frutave dhe frutat.

Patogjeni është prezent pothuajse në të gjitha zonat e kultivimit të ullirit në vendin tonë.
Në zonat me verë të lagësht, ka një përhapje më të madhe të sëmundjes.
Sëmundja është shumë e përhapur në pjesën e poshtme të kurorës në ullishtet e dendura dhe pak të krasitura.

Cikli biologjik

Gjatë vitit ka dy cikle infeksioni: në vjeshtë dhe pranverë. Bimët pësojnë rënie të parakohshme të gjetheve, reduktojnë formimin e sytheve lulore duke shkaktuar ulje të prodhimit deri në 20%. Në rastet e përsëritura të rënies së gjetheve si rezultat i infeksioneve arrihet deri në tharje të degëve të reja. Infeksioni i “syrit të palloit’” prek frutat si edhe bishtat e frutave nga ku provokohet dhe rënia e tyre.

Shenjat e sëmundjes

Në gjethe: Në faqen e sipërme të gjetheve formohen njolla të vogla kafe. Ato shfaqen ne forma të rrumbullakta, të veçuara por ndonjëherë edhe të grupuara. Gjatë muajve të verës, përreth njollave të tilla formohet një unazë e qartë me ngjyrë të kuqërremtë ose kafe në të gjelbër që dallohet mire në sfondin e gjelbër të gjethes. Këto njolla të kujtojnë ato të pendëve të bishtit të palloit nga ku edhe merr emrin sëmundja “syri i palloit”. Në pjesën e poshtme të gjethes, rrallëherë simptomat janë të dukshme, përveçse në nervaturën qendrore. Gjethet më të vjetra përpara se të bien, fillojnë të zverdhen.

Në degëza: Në degëzat e reja njëvjeçare, megjithëse rrallë, mund të paraqiten infeksione që shfaqen me njolla kafe me konture të papërcaktuara mirë, të ngjashme me ato të gjetheve.

Në fruta: Sëmundja është prezent në fruta akoma më rrallë, ku formon njolla të vogla të çrregullta, lehtësisht të futura, të mbuluara nga një efloreshencë gri (të shndritshme). Mbi bishtat e frutave infeksioni është më i shpeshtë; paraqitet me njolla kafe të zgjatura që mund të rrethojnë bishtin.

Faktorët natyralë kufizues për sëmundjen e “syrit të palloit”

“Syri i palloit” është sëmundja që shkakton më shumë dëm dhe kërkon vëmendje të vazhdueshme nga fermeri kur kushtet klimatike favorizojnë zhvillimin e saj dhe çojnë në uljen e prodhimit. Aplikimi i teknikave të parandalimit që në fillim dhe me një mbarështrim të mirë të ullishtes, bën të mundur shfrytëzimin e faktorëve natyralë dhe agronomikë përkufizimin e sëmundjes. Përdorimi i kontrollit direkt me preparate kimike jep rezultate të mira, por duhet të tregohet kujdes për të evituar përdorimin e panevojshëm të mjeteve teknike.

Ndikimi i temperaturës

Temperatura mbi 25°C ose nën 5-10°C është kufizuese për fillimin e infeksionit. Temperatura optimale për zhvillimin e infeksionit është 18-20°C. Temperaturat e larta kanë një efekt më të madh kufizues ndaj infeksionit dhe shfaqjes së simptomave krahasimisht me temperaturat e ulta. Në verat e gjata të nxehta e të thata, ulliri paraqet një rënie fiziologjike të gjetheve me të cilën bien edhe një pjesë e mirë e gjetheve të infektuara, në mënyrë të veçantë ato me simptoma të dukshme.

 Ndikimi i lagështisë

Lagështia e lartë dhe shiu janë të domosdoshëm për sëmundjen. Lagështia e lartë afër ngopjes, është e domosdoshme për mbirjen e konideve. Gjithashtu infeksionet ndodhin vetëm kur gjethja është e lagur për një kohë të gjatë. Shiu është faktori kryesor në përhapjen e konideve, duke i transportuar ato në pjesën e ulët të kurorës. Elemente të tillë tregojnë se janë më të ndjeshëm ndaj sëmundjes ullinjtë e mbjellë në lugina të ulëta ku ka lagështi të lartë si dhe në ullinjtë e mbjellë dendur.

 Ndërhyrjet agronomike

Krasitja: Krasitjet shumëvjeçare duhet të evitohen sepse kurorat e dendura favorizojnë sëmundjen duke krijuar lagështi të lartë; në ambientet veçanërisht të favorshme për sëmundjen dhe në kultivarët e ndjeshëm. Një praktikë e tillë rrit mundësinë e zhvillimit të patogjenit.

Zgjedhja varietale: Përdorimi i varieteteve më pak të ndjeshme influencon në mënyrë të dukshme në kontrollin e “syrit të palloit”.

Distancat e mbjelljes: Mbjelljet e dendura favorizojnë qëndrimet e lagështisë atmosferike në ullishte duke shtuar mundësinë e infeksionit nga ‘’syri i palloit’’.

Diagnoza paraprake e “syrit të palloit”

Kjo metodë diagnoze konsiston në zhytjen e një kampioni prej 100 gjethesh në një solucion hidroksid natriumi ose kaliumi 5%, për 2-3 minuta,  (20°C për gjethet e reja). Infeksionet latente bëhen të dukshme si njolla të vogla të errëta. Në këtë proces ndiqet vlerësimi i përhapjes në fushë të patogjenit. Ky evidentim lejon që të programohen nevojat e ndërhyrjeve në vjeshtë. Ndërhyrjet e rregullta ndaj kësaj sëmundjeje në pranverë e në vjeshtë, rezultojnë të efektshme me rifillimin e vegjetacionit të ri të ullirit, duke përdorur preparate me bazë bakri 6 kg/ha, i cili ka efekte dhe për kontrollin e parazitëve të tjerë këpurdhorë si:

  • Tymthi Capnodiurn spp
  • Lirnacinia spp
  • Alternaria Lebra (Colletotrichurngloeospotioides)
  • Cerkosporioza (Mycocentrosporacladosporioides)

Gjatë muajit shkurt deri në mesin e muajit mars duhet të kryhen 2-3 trajtime në funksion të kushteve klimatike dhe ekspozicionit të ullishteve me preparate me bazë bakri, duke mbuluar totalisht sipërfaqen gjethore ose me produkte me bazë triazolesh, të cilat ndodhen nëpër fitofarmaci. Është e rëndësishme të mos neglizhohet kjo sëmundje pasi ajo e lë bimën të zhveshur pa sipërfaqen gjethore, prodhuese e gjithçka që i nevojitet bimës për t’u rritur dhe dhënë prodhim.

Kultura e Hardhisë

Në kulturën e hardhisë të realizohen trajtime me preparate me bazë bakri (Sulfatose Hidroksid Bakri) për minimizimin dhe për të ulur bazën dimëruese të sëmundjeve dhe të dëmtuesve.
Një vëmendje të shtuar duhet të kemi edhe për format dimëruese të eriofideve të hardhisë, të cilat dimërojnë në hardhi. Për këtë arsye të ndërhyhet deri në fryrje të sythave me preparatet me bazë vajrash të bardhë.

 

Prof. Dr. Shpend Shahini
Përgjegjës i Departamentit të Mbrojtjes së Bimëve, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, UBT.

Na Ndiqni në: