Tema e gjelbërimit është një temë e rëndësishme e diskutimit publik dhe gjatë dekadës së fundit ka qenë në fokus të kërkimeve shkencore edhe për shkak të një interesi në rritje mbi ndikimin që gjelbërimi ka mbi shëndetin dhe mirëqenien e popullsisë në zonat urbane. Kështu kjo çështje është sa popullore po aq edhe shkencore. Jo rrallë në diskutimin publik konstatoj disa keqkuptime të cilat po përpiqem ti adresoj në vazhdim:
1. Persona të ndryshëm me cilësinë e specialistit të gjelbërimit apo njohësit të problemeve lokale deklarojnë që ka një standard të Organizatës Botërore të Shëndetësisë sipas të cilit çdo qytet duhet të ketë 9 apo 9.5m2 gjelbërim për frymë.
Duke studiuar literaturën e gjerë të dy dekadave të fundit, konstatohet që një standard i tillë nuk ekziston.
Për të përcaktuar zonën e mbulimit me parqe publike, specialistët zakonisht mbështen në distancën ose kohën e ecjes nga vendndodhja e banimit deri tek parku më i afërt si parakushti më i rëndësishëm për përdorimin e hapësirave të gjelbërta. Sipas shumë studiuesve, parqet e lagjeve duhet të vendosen brenda një distance normale të ecjes me këmbë që korrespondon me një rreze nga 300 deri në 500 m nga vendbanimi i një përdoruesi. Studime të tjera kanë propozuar rekomandime të planifikimit dhe të projektimit për parqet urbane që duhet t’i përmbahen një sistemi hierarkik të standardeve, ku secila klasë e parqeve ka një zonë të ndryshme mbulimi që përcaktohet pjesërisht nga madhësia e saj. Kështu p.sh në disa raste standardet e autoriteteve lokale të parqeve rekomandojnë një sipërfaqe minimale prej 5 ha dhe një rreze mbulimi prej 800 m për një park lagjeje dhe 10 ha dhe 1600 m për një park distrikti.
Sidoqoftë gjithmonë rekomandimet theksojnë rëndësinë e të kuptuarit të karakteristikave të popullsisë së blloqeve të banimit aty pranë dhe prioritizimin e grupeve të përdoruesve me lëvizshmëri më të ulët.
2. Ka konfuzion në lidhje me atë që studiues të ndryshëm kuptojnë me termin “hapësirë e gjelbër”. Kështu p.sh nëse në hapësirën e gjelbër do të përfshinim edhe gjelbërimin e pemëve të rrugës (i cili padyshim është një komponenet i rëndësishëm i gjelbërimit) atëherë llogaritë tregojnë që Tirana ka shumë më tepër se sa 9.5m2 hapësirë të gjelbër për frymë.
3. Duke folur për nevojën e gjelbërimit shpesh diskutantët kërkojnë drejtpërdrejt ose nënkuptojnë nevojën e qyteteve me ndërtesa të ulta dhe shprehin preferencën për zonat rezidenciale me vila.
Duke nënvizuar që gjelbërimi është një komponent i rëndësishëm i zhvillimit të qëndrueshëm të qyteteve duhet sqaruar që ndërtesat e ulta dhe zonat rezidenciale të rrethuara dhe me portë nuk shkojnë në harmoni me zhvillimin e qëndrueshëm të qyteteve.
4. Shpesh njerëzit shprehin një preferencë të theksuar për bimët me gjelbërim të përhershëm dhe për gjelbërim të njëtrajtshëm gjatë gjithë vitit.
Në fakt studimet tregojnë që duhet gjetur një ekuilibër i caktuar midis bimëve gjetherënëse dhe atyre me gjelbërim të përhershëm pasi në të kundërt gjelbërimi mund të ketë efekte të padëshiruara. Ndërkohë gjelbërimi që ndjek ecurinë e stinëve ka efekte psikologjike më pozitive.
Prof. Dr. Zydi Teqja
Lektor i Bazave të Arkitekturës së Peizazhit, Departamenti i Hortikulturës dhe Arkitekturës së Peizazhit
Shto Koment