Photo: ata.gov.al

Fshati Kafaraj, histori suksesi në prodhimin e luleshtrydhes

Kultivimi në masë i luleshtrydhes është një aktivitet relativisht i ri në Shqipëri, fillesat e të cilit lidhen me krizën ekonomike të vitit 2009. Goditja e Greqisë prej krizës, si një ndër vendet më të prekura, bëri që një pjesë e madhe e emigrantëve të rinj shqiptarë të riktheheshin përfundimisht në atdhe.

Ata mbartën dhe sollën me vete eksperiencën e gjatë në rritjen e luleshtrydhes pas shumë viteve në emigracion. Para vitit 2010, rreth 90% e sasisë së luleshtrydheve importohej nga jashtë, kryesisht nga Greqia. Sot, falë zhvillimit të këtij sektori të bujqësisë, është mundësuar që nevoja e brendshme për luleshtrydhe të plotësohet nga fermerët shqiptarë dhe një pjesë e madhe të shkojë edhe për eksport. Fieri është ndër furniziuesit kryesor të tregut vendas me luleshtrydhe dhe gjithashtu eksporton drejt Ballkanit dhe Europës.

Figura 1: Sera me luleshtrydhe

Figura 2: Foto e shkëputur nga Festa e luleshtydhes

Lider në prodhimin e saj është fshati Kafaraj në ish-komunën Frakull, i cili prodhon sasinë më të madhe të luleshtrydheve me rreth 50 ha nga 90 ha që ka gjithë zona. Shtimi i parcelave me luleshtrydhe gjatë viteve të fundit ka bërë që çdo familje në këtë fshat të jetë e përfshirë, si një sipërmarrës, tregtar apo forcë punëtore. Për shkak të fluksit të madh të punës, një pjesë e madhe e punëtorevë rektrutohen nga fshatrat përreth, duke rritur në mënyrë të dukshme nivelin ekonomik të zonës.

Investimi i nevojshëm për të prodhuar luleshtrydhet është relativisht i lartë dhe shkon deri në 5000 euro për një dynym tokë. Megjithatë, fermerët shprehen se është një frut që sjell fitime të larta nëse kushtet atmosferike dhe tregu janë në favor të tyre. Prodhimi i luleshtrydhes fillon në muajin nëntor dhe përfundon në muajin qershor. Varieteti më i përhapur dhe më i kërkuar në treg është Sabrina. Varietete të tjera janë Margarita, Melisa, Camorosa, etc., që dallojnë nga njëri-tjetri nga koha e prodhimit, forma, ngjyra, shija dhe aroma.

Për të përkrahur dhe nxitur investimet në këtë kulturë, tashmë prej disa vitesh, bashkia e Fierit gjatë pranverës organizon ‘Festën e Luleshtrydhes’, e cila po rikthehet në një panair traditë që promovon vlerat e zonës, gatimet tradicionale dhe produktet bujqësore – blegtorale, vecanërisht frutin e luleshtrydhes, duke mbledhur qindra vizitorë nga qyteti i Fierit dhe jo vetëm.

 

Pranvera Troka
Pedagoge në Fakultetin e Ekonomisë dhe Agrobiznesit, Departamenti Drejtim Agrobiznesi, UBT.

Burim informacioni: Informacion i mbledhur nga bashkia Fier dhe fermerët e fshatit Kafaraj

Na Ndiqni në: