stux - www.pixabay.com

Riciklimi në Shqipëri bëhet për të qenë më të pasur apo më të pastër?

Shqipëria ka një problem të përgjithshëm me administrimin e mbetjeve dhe sasia e mbeturinave është rritur vazhdimisht gjatë 30 viteve të fundit. Vetëm gjatë 6 viteve të fundit (2014-2020) sasia e mbetjeve të ngurta në vend është rritur me gati 20% dhe parashikohet që prodhimi i mbetjeve të ngurta do të rritet me 5% gjatë 10 viteve të ardhshme. Në këtë drejtim, riciklimi është një mënyrë efektive për të ulur kostot e trajtimit të mbeturinave dhe për të zhvilluar një degë fitimprurëse të ekonomisë siç është ajo e burimeve të ricikluara. Është llogaritur që një e treta e mbetjeve të ngurta të prodhuara në Shqipëri mund të riciklohen, por vetëm një pjesë e kufizuar e tyre tashmë riciklohen.

Në një analizë të gatishmërisë së konsumatorëve për të ricikluar mbetjet e tyre është është kërkuar që të identifikohet nëse konsumatorët duan të riciklojnë në mënyrë që të jenë më të pastër apo më të pasur?

Rezultatet tregojnë se 50% e të anketuarve janë të gatshëm të riciklojnë mbeturinat e tyre shtëpiake. Në mënyrë të ngjashme, 65% e konsiderojnë riciklimin si një proces shumë të rëndësishëm në të cilin do të angazhohen në të ardhmen e afërt. Rreth 73% e të anketuarve janë të gatshëm të pranojnë deri në 200 lekë/kg në muaj në mënyrë që të fillojnë riciklimin. Lidhur me efektet demografike në sjellje, gratë janë të gatshme të pranojnë një shumë më të ulët parash në mënyrë që të ndryshojnë strategjinë e tyre të riciklimit.

Si përfundim, mund të kuptojmë që konsumatorët në Shqipëri nuk dëshirojnë vetëm të jenë më të pasur por edhe të jenë më të pastër. Sasia e gatishmërisë për të pranuar nuk është nxitësi i vetëm që ndryshon sjelljen ndaj riciklimit por edhe ato mjedisore. Kjo është një bazë e mirë për politikëbërësit për të krijuar një strategji të përshtatshme riciklimi në vend.

 

Prof. Dr. Natasha Hodaj
Departamenti i Ekonomisë dhe Politikave të Zhvillimit Rural, Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit, UBT.

Na Ndiqni në: