Photo: www.workingrand.com

Hap dyert Shkolla e lartë profesionale “Agroturizëm dhe mikpritje”

Nga vjeshta që vjen, me fillimin e vitit të ri akademik 2021-2022, në departamentin e ‘’Menaxhim turizmi rural’’ në Fakultetin e Ekonomisë dhe Agrobiznesit të Universitetit Bujqësor të Tiranës, hapet për herë të parë shkolla e lartë profesionale 2- vjeçare “Agroturizëm dhe mikpritje”.

Në këtë shkollë mund të regjistrohen kandidatë nga Shqipëria dhe trojet shqiptare si Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Kandidatët duhet të kenë kryer shkollën e mesme ndërsa nuk ka kufizime për mesataren dhe moshën e studentëve.

Rezulton që nevojat e bizneseve të turizmit për punonjës të specializuar dhe të mirëpërgatitur është rritur. Kjo ka ardhur si pasojë e rritjes së investimeve në fushën e agroturizmit dhe mbështetjes me projekte dhe subvencione që po bëhet nga politikat qeveritare në Shqipëri. Padyshim vend të rëndësishëm në këtë rritje të nevojës për punonjës të përgatitur mirë për të shërbyer në fushën e turizmit (sidomos atij rural, ku përfshihet edhe agroturizmi)  ka edhe rritja e kërkesës së konsumatorëve turistikë për një turizëm ndryshe nga ai masiv: një turizëm fare pranë natyrës, turizëm të ofruar nga struktura të vogla familjare  jo-hoteliere, shumica larg qyteteve të zhurmshme e të ndotura, ku pjesa më e madhe e ushqimeveprodhohen në fermë ose në fermat afër tyre, ku dominon natyra dhe kuzhina tradicionale. Një formë biznesi që ofron mundësi të mëdha edhe për fermerët e zonave rurale: mjaftojnë pak më shumë ide, mikpritje tipike shqiptare, natyrë dhe peisazh, kodra dhe male, traditë dhe histori dhe ushqim të freskët të prodhuar në fermë.

Ndjekja e shkollës profesionale për “Agroturizëm dhe mikpritje” është një mundësi e jashtëzakonshme për ata të cilët kanë investuar ose duan të investojnë në agroturizëm dhe që duan të menaxhojnë me sukses biznesin e tyre, për ata të cilët duan ta trashëgojnë këtë biznes tek fëmijët e tyre si dhe për ata që e kanë pasion shërbimin në fushën e turizmit. Kjo shkollë hap mundësi punësimi jo vetëm në agroturizëm por edhe në format e tjera të turizmit dhe shërbimit të ushqimit.

Mundësi e madhe në mënyrë të veçantë ështëpër ata të cilët duan të marrin një profesion dhe që nuk plotësojnë kriterin e mesatares për të ndjekur sistemin universitar të nivelit bachelor.

Në këtë shkollë do të synohet që studentët të jenë sa më afër praktikës. Të diplomuarit në këtë shkollë  profesionale do të kenë njohuri, aftësi dhe përgatitje praktike në fusha të ndryshme duke filluar që nga krijimi dhe mirëmbajtja e peisazhit dhe kopështit në fermat agroturistike, në përgatitjen e produkteve dhe konservimin e tyre në kushte artizanale të fermës, në shërbimin e turistëve, krijimin e shtigjeve të ecjes/hiking në natyrë dhe përgatitjen e tyre si guida turistike, kultivimin në kopshtet e fermave dhe riciklimi i mbetjeve, në përdorimin e sistemeve dhe programeve kompjuterike dhe të aplikacioneve të ndryshme për regjistrimet dhe rezervimet, komunikimin në mjedise multikulturore dhe njohuri të tjera ekonomike të domosdoshme për aktivitet prej 360 gradë të turizmit në zonat rurale.

Shkolla profesionale “Agroturizëm dhe mikpritje” është një shkollë unike në Shqipëri, kështu që studimi në të është një mundësi më shumë për t’u dalluar në tregun e punës dhe për të pasur sukses.

 

Prof. Asoc. Dr. Xhevaire Dulja

Përgjegjëse e Departamentit të Menaxhimit të Turizmit Rural, Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit, UBT.

Na Ndiqni në: