www.thethinkingtraveller.com

Konkurrueshmëria bujqësore – Klasterat si një alternativë e qasjes së koordinimit/integrimit vertikal

Klasterat janë përqëndrime gjeografike të bizneseve dhe institucioneve të ndërlidhura në një sektor të caktuar. Ato përfishijnë biznese të tilla si tregtarët e inputeve, të tilla si farat e fidanat, kimikatet, makineritë e shërbimet si dhe ofruesit e infrastrukturës së specializuar.

Klasterat përfshijnë gjithashtu edhe furnitorët horizontalë të produkteve komplementare si dhe kompanitë në industritë e lidhura në pikëpamje kapacitetesh, teknologjish ose inputesh të ngjashme. Shumë klastera përfshijnë gjithashtu edhe institucione publike ose/dhe jo publike, insitucione të qeverisë qendrore dhe veçanërisht të qeverisë lokale, universitete, agjenci të çertifikimit të standardeve, institucione private kërkimi, ofrues të trajnimit profesional dhe shoqata biznesi, të cilat ofrojnë trajnime, edukim, informacion, kërkim dhe mbështetje teknike të specializuar. Klasterat mundësojnë inovacion në produkte apo procese, duke rritur konkurrueshmërinë.

Klasterat përfaqësojnë një formë të re organizative gjeografike që mund të konsiderohet se qëndron mes tregjeve lokale nga njëra anë dhe integrimit nga ana tjetër. Në këtë prizëm, një klaster është një mënyrë alternative e organizimit të zinxhirit të vlerës. Duke qenë se klasterat kanë natyrë lokale, afërsia e kompanive dhe institucioneve në një vend të vetëm dhe shkëmbimet e vazhdueshme mes tyre nxitin koordinimin dhe krijojnë besimin e nevojshëm; nga ana tjetër, ato mundësojnë edhe arritjen e tregjeve më të largëta.

Kështu klasterat zbutin problemin që lidhet me tregjet lokale pa imponuar mungesën e fleksibilitetit të integrimit vertikal ose sfidat që lidhen me krijimin dhe ruajtjen e lidhjeve formale, të tilla si rrjetet, aleancat apo partneritetet. Një klaster kompanish e institucionesh të pavarura përfaqëson një formë organizative solide që ofron avantazhe në efektivitet dhe fleksibilitet.

Situata aktuale lidhur me praninë e klasterave potenciale dhe rekomandime për politikat për të mundësuar zhvillimin e “embrioneve” të klasterave në klastera të mirëfilltë trajtohen në vijim.

“Klasterat” në Shqipëri

Në Shqipëri nuk ka klastera të mirëfilltë sipas përkufizimit të mësipërm. Ndërkaq, përqëndrimi i fermerëve, tregëtarëve të lëndëve të para, blerësve të produkteve e përpunuesve në zona të veçanta, për sektorë të veçantë, dëshmon për praninë e “embrioneve” të klasterave, të cilat mund të zhvillohen drejt klasterave të mirëfilltë.

Raste tipike të këtyre përqëndrimeve hasen në sektorin e mandarinës në Xarrë të bashkisë Konsipol, sektorin e luleshtrydhes në Levan të bashkisë së Fierit, në sektorin e perimeve në sera në zonën  Berat–Lushnje, në sektorin e perimeve në fushë të hapur në Divjakë, sektorin e Bimëve Aromatike e Mjekësore në Malësinë e Madhe dhe në sektorin e prodhimit të verës në zonën Durrës–Shijak dhe Berat.

Klasteri potencial i mandarinës në Xarrë, Bashkia Konispol

Elementët e një klasteri interesant janë duke u vërejtuar në zonë e Xarrës, bashkia e Konispolit.

Bizneset: Në nivel vendi, rreth 150–200 fermerë mandarine kanë pemtore me mbi 1 Ha mandarina. Shumica e këtyre fermerëve janë vendosur në zonën e Xarrës. Duke qenë se prodhimi i mandarinës ka filluar relativisht vonë, fermerët kanë patur avantazhin e investimit në teknologjtë e kohëve të fundit, duke përdorur kultivarë që janë të preferuar në treg. Sektori i mandarinës në zonën e Xarrës është rritur në mënyrë eksponenciale gjatë viteve të fundit, nga 6 mijë tonë në vitin 2010, në rreth 50 mijë tonë në vitin 2020 (vlerësimi më i fundit bazuar në intervista). Në zonë operojnë 11 pika grumbullimi, shumica e të cilave eksportojnë mandarina në Kosovë dhe në vendet e tjera të rajonit; disa prej tyre eksportojnë edhe në vendet e BE-së. ‘Doni Fruits’’, një tregtar shumice dhe eksportues i sofistikuar, zhvillon transaksione biznesi në zonën e Xarrës. Zakonisht, fermerët i blejnë inputet bujqësore (fidana, plehra kimike, pesticide etj.) nga Greqia dhe mjaft shpesh, ata marrin edhe këshillim teknologjik nga agronomët grekë. Veprimi kolektiv si nga anae fermerëve ashtu edhe nga ana e aktorëve të tjerë të biznesit është i pamjaftueshëm.

Kufinjtë e klasterit. Aktiviteti i fermerëve dhe tregtarevë të mandarinës është përqëndruar në Xarrë, bashkia Konispol, Ndërkaq, nisur nga fakti që inputet kritike materiale e jo materiale (përfshirë këshillimin) përftohen kryesisht në Greqi, zona e Igumenicës. Kufinjtë e klasterit mund të shtrihen përtej kufinjve shtetërorë, në formën e një klasteri cross-border. Kooperimi me furnitorët e inputeve në Greqi, mund të përfaqësojë një burim interesant inovacioni.

Figura 1: Zona e Xarrës, Bashkia Konispol

Burimi: Zhllima et al. (2020)

Intitucionet: Qeveria qendrore ka mbështetur sektorin e mandarinave ne Xarrë përmes skemave kombëtare të mbështetjes (mbështetje për mekanikën bujqësore, investime në pikat e grumbullimit si dhe investime në infrastrukturën rrugore, etj.), roli i saj lidhur me kërkimin e zbatuar, këshillimin dhe informacionin ka qenë i pamjaftueshëm. Roli i Universitetit Bujqësor të Tiranës për zhvillimin e kërkimit të aplikuar dhe inovacionit ka qenë i kufizuar gjithashtu.

Faktorë të rëndësishëm për sukses. Marrëdhëniet tregtare të biznesit të zonës me“Doni Fruit”, nje eksportues i sofistikuar, si dhe dhe raportet e biznesit me furnitorët grekë të inputeve e shërbimeve, përfaqësojnë faktorë të rëndësishëm inovacioni për klasterin potencial të mandarinës në zonën e Xarrës në Konispol.

Rekomandime për politikat

Megjithë përqëndrimet e biznesit në zona të caktuara për sektorë të caktuar, veprimi kolektiv nga ana e bizneseve dhe institucioneve është i pamjaftueshëm dhe ofrimi i shërbimeve për inpute të rëndësishme, sidomos për zhvillimin e inovacionit, është i mangët. Bazuar në këtë situatë, politikëbërësit, mund të konsiderojnë rekomandimet e mëposhtme, me objektivin e zhvillimit të “embrioneve” të klastereve në klastera të mirëfilltë:

  • Mbështetja për organizimin e organizatave të biznesit në zonat me potencial klasterash; këto shoqata duhet të përfshijnë të gjithë bizneset që kanë interes.
  • Lehtësimi për zgjedhjen e një organizimi operacional; ky organizëm duhet të përfaqësojë shoqatën në raport me të tretët: qeverinë lokale, qeverinë qëndrore, universitetet, projektet e zhvillimit, etj.
  • Organizimi operacional mund të konsiderojë zhvillimin e një strategjie dhe programi të zhvillimit të klasterit. Çështje të rëndësishme për t’u konsideruar në strategji dhe në program janë: zhvillimi i një vizioni afatmesëm e afatgjatë për klasterin në fjalë, fokusi ndaj kërkimit e inovacionit, vlerësimi i nevojave për rritje kapacitetesh, etj.
  • Fokusi tek inovacioni është kritik për zhvillimin e klasterave. Në këtë kontekst, mund të kosnsiderohet ngritja e strukturave të ngjashme me grupet operative sipas modelit të iniciativave evropiane për nxitjen e inovacionit dhe trasnferimit të dijeve (shih kutia 1).

Një grup operativ në një zonë të caktuar mund të përbëhet nga përfaqësues të fermerëve apo grupeve fermere, përfaqësues të Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore të rajonit, Zyrës Rajonale të Këshillimit Bujqësor, universiteteve dhe programeve zhvillimore që janë në nivel lokal. Këto grupe operative adoptojnë një qasje të orientuar nga zgjidhja e problemeve konkrete. Ndërhyrja e grupit operativ për zgjidhjen e problemeve konkrete mund të financohet nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, fondet për kërkimin dhe inovacionin (Ministria e Arsimit) apo fonde të tjera nga institucione të varësisë në ministritë e linjës dhe projektet zhvillimore të zbatuara nga ndihma e huaj.

Grupeve Operative Evropiane EIP-AGRI për mbështetjen e inovacionit bujqësor

Grupet Operative Evropiane EIP-AGRI bashkojnë aktorët e inovacionit (fermerë, këshilltarë, studiues, biznese, OJQ dhe të tjerë) në bujqësi. Grupet Operative të EIP-AGRI janë të bazuara në projekte dhe trajtojnë një problem ose mundësi të caktuar (praktike) e cila mund të çojë në një inovacion. Grupet Operative financohen nga Programet e Zhvillimit Rural. Qasja e Grupit Operativ bën përdorimin më të mirë të llojeve të ndryshme të njohurive (praktike, shkencore, teknike, organizative, etj.). Grupet Operative aktualisht janë duke u ngritur në disa vende dhe rajone të BE-së.

Ndërsa biznesit pritet të luajnë një rol të dorës së parë në zhvillimin e klasterit, qeveria qendrore e ajo lokale pritet të mbështesin zhvillimin e klasterave duke përmirësuar klimën e biznesit, zhvillimin e programeve të përshtashme të kërkimit dhe rritjes së kapaiciteteve, etj.

Politikëbërësit këshillohen të shfrytëzojnë mundësinë e zhvillimit ekonomik që përfaqësohet nga qasja klaster, duke orientuar përpjekjet e bizneseve dhe donatorëve për të pilotuar skema të mbështetjes financiare e jo financiare në zonat me potencial klasterimi. Disa nga këto skema mund të ishin mbështetja e inovacionit, skemat e këshillimit dhe çertifikimit privat për grupe fermerësh, skema të siguracionit në grup, skema të kërkimit të tregut për grupe fermerësh, skema pilot të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, skema të kërkimit të zbatuar etj. Të gjitha këto do të kishin padyshim, nje efekt pozitiv në zhvillimin e klasterave të mirëfilltë.

 

Prof. Dr. Engjëll Skreli
Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit, Departamenti i Ekonomisë dhe Politikave të Zhvillimit Rural, UBT.

Na Ndiqni në: