Çfarë është bujqësia e zgjuar ndaj mjedisit?

Ekspertët e bujqësisë bien dakord për një gjë: një tokë e shëndetshme konsiderohet të jetë jetike për sigurinë ushqimore, për ekosistemet si dhe për vet ekzistencën e njerëzimit në tokë. Dihet që tokat ndihmojnë në ushqyerjen e popullatës globale, e cila ka arritur në nivelet mbi  7.3 miliardë njerëz. Duhet pranuar që tokat e shëndetshme (të pasura) ofrojnë një sërë shërbimesh jetike të ekosistemit si riciklimin e lëndëve ushqyese, mbrojtjen nga përmbytjet si dhe habitatet e bollshme kritike për biodiversitetin. Toka është gjithashtu një komponent i madh i ciklit global të karbonit. Ajo përmban më shumë karbon sesa bimësia e marrë si e tërë dhe llogaritet të zërë 80 % të stokut global të karbonit në botë.

Kërkimet e vazhduara për rendimente dhe fitime më të mëdha po komprometojnë shëndetin e tokës përmes shfrytëzimit të saj për lëndë ushqyese, përdorimin e tepërt të plehrave dhe krijimin e mbi 4 miliardë hektarë shkretëtirë të krijuar nga vet njeriu.

Praktikat bujqësore tradicionale që përdoren gjerësisht në shumë vende si dhe përdorimi e kultivimi i tokës së papërshtatshme nuk bëjnë gjë tjetër veçse varfërojnë burimet e tokës, shkaktojnë degradim të saj si dhe përshpejtojnë erozionin e vet tokës. Pyjet, të cilat mbrojnë tokën, po zhduken me ritme të shpejta – 13 milionë hektarë pyje po priten çdo vit dhe rreth 75% e pyjeve parësorë në botë janë hapur për kullotë apo shfrytëzim nga bujqësia. Për më shumë, rreth dy miliardë hektarë tokë janë degraduar tej mase në 60 vitet e fundit, ndërsa 12 milionë hektarë të tjerë po degradohen çdo vit.

Degradimi i tokës po prek rreth 1.5 miliardë njerëz anekënd botës. Fermerët e vegjël vuajnë më së shumti sepse tokat e varfëra në përdorim, ndryshueshmëria e klimës dhe motit, pasiguria e pronësisë së tokës dhe aksesi i kufizuar në tregje i detyrojnë ata të bëjnë kompromise financiare afatshkurtra të cilat po komprometojnë përfitimet e tyre afatgjata. Degradimi i tokës i kushton çdo personi 70 dollarë në vit duke arritur në shifra që tejkalojnë 490 miliardë dollarë. Në këtë llogaritje nuk përfshijmë ndikimet indirekte të tokave të varfra, siç janë furnizimi i reduktuar me ujë dhe rënia e rendimentit të të korrave, që nga ana tjetër, nuk bëjnë gjë tjetër, veçse rrisin varfërinë, pasigurinë ushqimore dhe konfliktet e ndryshme. Degradimi i tokës çon gjithashtu në rritje të emetimeve të gazeve serrë (EGS) – erozioni i tokës çliron rreth 0,8-1,2 gigaton karbon në atmosferë çdo vit.

Megjithatë bujqësia duhet të kujdeset vet që të reduktojë degradimin e tokave. Praktikat e mira bujqësore duhet të rikthejnë lëndët ushqyese, të ruajnë nivelin mbajtës së ujit dhe të parandalojnë erozionin e tokës. Ka ende shpresë që aplikimi i Bujqesisë së Zgjuar ndaj Mjedisit (BZM) mund të ndryshojë tendencat e degradimit të tokës, të mbështesë prodhimin ushqimor, të rrisë elasticitetin dhe të sekuestrojë karbonin. Sekuestrimi i karbonit mund të ndihmojë në rikthimin e pjellorisë së tokës, të kufizojë përqendrimin e gazit serrë në atmosferë dhe të zvogëlojë ndikimin e ndryshimeve klimaterike në ekosistemet bujqësore. Roli i tokës si një lavapjatë karboni dhe si një magazinë karboni mund të optimizohet përmes teknikave bujqësore që reduktojnë emetimet, si p.sh. zvogëlimi i tokës së punueshme, menaxhimi i mbetjeve të bimëve, menaxhimi i integruar i të korrave dhe blegtorisë, agropylltaria, rotacioni i mbjelljes së bimëve dhe aplikimi i kulturave të ndërmjetme. Përveç produktivitetit dhe përfitimeve mjedisore, BZM është llogaritur të sjellë fitime: fitimet totale private nga adoptimi dhe zbatimi i praktikave të mira të sekuestrimit të karbonit deri në vitin 2030 vlerësohet në shifrat 105 miliardë dollarë për Afrikën, 274 miliardë dollarë për Amerikën Latine dhe 1.4 trilion dollarë për Azinë. Përdorimi i mjeteve që lidhen me vlerësimin e  potencialit të sekuestrimit të karbonit të praktikave të përmirësuara të menaxhimit të tokës mund të ofrojnë më shumë informacion për fermerin.

Praktikat e përmirësuara bujqësore sjellin përfitime të rëndësishme si private, ashtu edhe publike. Megjithatë fermerët shpesh përballen me barriera të konsiderueshme social-ekonomike në lidhje me adoptimin e këtyre praktikave. Së pari, shumica e praktikave të menaxhimit të tokës kërkojnë shpenzime të konsiderueshme vetiake të cilat fermerët e varfër nuk mund t’i përballojnë. Së dyti, mungesa e inputeve në tregjet lokale mund të konsiderohet një pengesë e madhe. Së treti, mungesa e informacionit mbi disponibilitetin e teknikave alternative të bujqësisë dhe kapaciteti i kufizuar janë një pengesë kryesore për shumë vende në zhvillim. Së katërti, kur teknologjitë e reja nuk përputhen me teknologjitë e vjetra të përdorura nga  komuniteti i fermerëve dhe me praktikat tradicionale, kjo sjell rezistencë ne pranimin dhe aplikimin e tyre.Së fundi, vullneti dhe aftësia për të punuar së bashku është thelbësore për shumë teknologji të tilla si përmirësimi i teknikave të ujitjes dhe kullotave komunale. Mungesa e veprimit kolektiv nuk bën gjë tjetër, veçse pengon pranimin, përhapjen dhe zbatimin e teknologjive të suksesshme të menaxhimit të tokës.

Pa mbështetjen e duhur financiare menaxhimi i dobët i tokës bujqësore do të intensifikojë degradimin e tokës, do të rrisë cënueshmërinë e fermerëve dhe do të kontribuojë me gazra shtesë serë në atmosferë. Mbështetja financiare që kërkohet deri në vitin 2030 që fermerët të zbatojnë praktikat më të mira bujqësore vlerësohet në 20 miliardë dollarë për Afrikën, 41 miliardë dollarë për Amerikën Latine dhe 131 miliardë dollarë për Azinë. Veç kësaj,  kërkohen politika të BZM-ve ne nivel kombëtar si dhe një kornizë veprimesh për të rritur aftësitë e adoptimit të praktikave të përmirësuara. Në vendet ku ka kërkesa konkurruese të larta duhet të merren parasysh dhe të vihen në eficencë pronësitë e formalizuara ndaj tokës  me synim përdorimin më të qëndrueshëm të burimeve të saj. Për më shumë, theksi duhet të vihet  në rritjen e investimeve për kërkime të fokusuara në shëndetin e tokës dhe menaxhimin e qëndrueshëm të saj.

Si përfundim, nuk mund të ketë jetë të begatë pa praninë e dobinë e tokës; prandaj nuk duhet të neglizhojmë tokën si të tillë duke qenë se objektivi global për kombet e bashkuara mbetet dhënia fund varfërisë dhe nxitja e prosperitetit. Funksionet e tokës, ku mes të tjerash, theksojmë atë si mbështetëse e jetës do të bëhen gjithnjë e më të rëndësishme, ndërsa njerëzimi ende po përballet e trajton kriza të tilla si pasiguria ushqimore dhe ndryshimet klimaterike, të cilat, pa dyshim, do të vazhdojnë të përcaktojnë të ardhmen tonë.

Përshtati: Arjan Shumeli

Burimi: World Economic Forum

Na Ndiqni në: