Ç’duhet të bëjmë për të patur siguri sa më të lartë ushqimore?

Trajnimet e vazhdueshme si mënyrë për përmirësimin e sigurisë ushqimore

Në jo pak raste operatorët e biznesit ushqimor janë të tërhequr nga përfitimet financiare, madje shpeshherë harrojnë një aspekt mjaft thelbësor në jetën e gjithësecilit prej nesh, sigurinë ushqimore. Ata mjaftohen me implementimin e rregulloreve dhe sistemeve të caktuara të sigurisë ushqimore vetëm për aq kohë sa u duhet për të fituar certifikimet e nevojshme. Në këtë kuadër, është e rëndësishme që të ketë një vazhdimësi që këto biznese të mirëmbajnë këto sisteme të sigurisë ushqimore. Midis shumë mekanizmave për t’a realizuar këtë, më i rëndësishmi është trajnimi i vazhdueshëm i punonjësve rreth higjenës dhe sigurisë ushqimore. Një personel i trajnuar, sigurisht që do të sjellë më pak jo konformitete në stabilimentin e prodhimit, si rrjedhim, më shumë konsumatorë do të jenë të kënaqur, më shumë të ardhura do të gjenerohen dhe më shumë mundësi do të krijohen edhe për zgjerimin e tregut në vende të BE-së. Në vijim po ju përcjellim disa rregulla të thjeshta mbi menaxhimin e higjenës së personelit në një stabiliment të prodhimit të një produkti ushqimor.

Higjena  personale është përgjegjësi e menaxhimit; në mënyrë aktive të komunikohen direktiva mbi higjienën personale; duke zhvilluar direktiva të dokumentuara rreth higjenës personale; t’u komunikohen këto direktiva të gjithë punonjësve, kontraktorëve apo dhe vizitorëve; nevojiten direktiva të shkurtra dhe koncize; nëse është e nevojshme, lexo dhe shpjegoju direktivat punonjësve; hyrje të kontrollura në stabiliment, përdorimi i sinjaleve vizive për të mbështetur higjenën personale si dhe kontrolli i vazhdueshëm i shëndetit të punonjësve. Në këtë kuadër është mjaft e rëndësishme që i githë personelit të informojë mjekun e tij të familjes për aktivitetin që ai zhvillon si dhe përgjegjësin e repartit ose përgjegjësin e prodhimit për gjendjen e tij shëndetësore në rast të; infeksioneve gastrointestinale (të vjella dhe/ose diarre); infeksione të rrugëve të frymëmarrjes (fyti i skuqur, kollë, bronkit) apo infeksione të lëkurës (plagë të infektuara, puçra) që ndodhen në zona të trupit të zbuluara dhe që mund të vihen në kontakt me produktin (duart, krahët, etj).

Për të garantuar sigurinë ushqimore nevojitet gjithashtu që sjelljet e duhura të mësohen dhe të kontrollohen, të zhvillohen seanca të rregullta të trajnimit të cilat janë të nevojshme për të krijuar një nivel të qëndrueshëm të higjienës personale (frekuenca: çdo 2 muaj; 1-4 orë), të kërkohen kontrolle të rregullta për të monitoruar pajtueshmërinë me rregullore, të korrigjohen por edhe të vlerësohen punonjësit.

 

Dr. Anisa Peculi
Pedagog në Fakultetin e Bioteknologjisë dhe Ushqimit, Departamenti i Teknologjisë Agroushqimore, UBT.

Na Ndiqni në: