Biologjia Marine dhe Peshkimi

Biologjia marine është shkenca që merret me kafshët dhe bimët që jetojnë në trupat ujore, dete e oqeane. Objekt i biologjisë marine janë gjithashtu organizmat e transportuara nga pjesët e tjera të biosferës si ajri dhe toka. Por në një kuptim më të gjerë, ajo përpiqet të studjojë të gjitha fenomenet jetësore që kanë të bëjnë me morinë e gjallesave që banojnë në trupat ujore marine të botës. Degë të specializuara të saj kanë të bëjnë me taksonominë, embrionologjinë, morfologjinë, fiziologjinë, ekologjinë dhe shpërndarjen gjeografike të organizmave ujore. Biologjia marine është e lidhur ngushtë me shkencën e oqeanografisë për shkak të marrëdhënies së vetive fizike të oqeaneve me organizmat e gjallë që banojnë në to.
Një qëllim kryesor i biologjisë marine është të zbulojë se si fenomenet detare, oqeanike kontrollojnë shpërndarjen e organizmave. Biologët detarë studiojnë mënyrën në të cilën organizmat e veçantë përshtaten me vetitë e ndryshme kimike dhe fizike të ujit të detit, me lëvizjet dhe rrymat e oqeanit, me disponueshmërinë e dritës në thellësi të ndryshme dhe me sipërfaqet e ngurta që përbëjnë shtratin e detit. Vëmendje e veçantë i është dhënë përcaktimit të dinamikës së ekosistemeve detare, veçanërisht për të kuptuarin e zinxhirit ushqimor dhe marrëdhëniet grabitqar-pre. Biologjia detare merret gjithashtu me efektet e formave të caktuara të ndotjes në jetën e peshqve dhe bimëve në oqeane, veçanërisht efektet e pesticideve dhe shkarkimeve urbane apo të plehrave me origjine nga aktiviteti njerëzor, derdhjet aksidentale nga cisternat e naftës etj.
Ekosistemet detare dhe resurset që ato strehojnë kanë marrë një rol mjaft të rëndësishëm si pasojë e shërbimeve të ndryshme që ato ofrojnë. Pasurimi i dijeve mbi këto ekosisteme si dhe zhvillimet teknologjike në të ardhmen do të përmirësojnë gjithashtu edhe aftësitë tona për përdorimin sa më të mirë dhe të përgjegjshëm të këtyre burimeve të çmuara.
Informacioni biologjik detar mbi shpërndarjen e popullatave të peshqve dhe krustaceve ka një rëndësi të madhe për peshkimin.
Peshkimi është një nga fushat e Biologjisë Marine e cila ka në qendër të saj mbrojtjen e biodiversitetit si dhe përdorimin e qëndrueshëm të resurseve ujore. Ajo përfshin studimin e bollshmërisë së popullatave peshkore, migrimeve, sjelljeve si dhe zinxhirit ushqimor. Nëpërmjet studimeve të saj, ajo vendos në dispozicion të menaxhëreve të peshkimit, informacionet e nevojshme për të patur një vendim-marrje sa më të mirë.
Peshkimi është aktivitet ekonomik i zënies së peshkut dhe prodhimeve te tjera ujore. Aktiviteti i peshkimit varion nga operacione të vogla familjare duke u mbështetur në metodat tradicionale të peshkimit deri në peshkimin komercial që kryhet nga kompani te mëdha që përdorin flota të fuqishme dhe teknologjinë më të përparuar. Peshkimi në shkallë të vogël kryhet zakonisht në ujëra relativisht te aferta me portet apo brigjet, nderkohe që anijet e medha te peshkimit shkojnë mijëra milje larg dhe janë të pajisura për të përpunuar zeniet në bord.
Për shkak të rëndësisë ekonomike dhe sociale, aktiviteti i peshkimit drejtohet nga praktikat komplekse të menaxhimit të peshkimit dhe regjimet ligjore, që ndryshojnë shumë midis vendeve. Kërcënimet nga mbipeshkimi dhe çështjet mjedisore, kanë kërkuar rritjen e rregullimit të peshkimit për të parandaluar konfliktet dhe për të rritur aktivitetin ekonomik fitimprurës në peshkim. Juridiksioni modern mbi peshkimin shpesh përcaktohet nga një përzierje e traktateve ndërkombëtare dhe ligjeve vendore.
Ulja e popullatave të peshqve, ndotja nga aktiviteti human në oqeane dhe shkatërrimi i ekosistemeve të rëndësishme bregdetare ka futur në rritje pasigurinë në peshkimi në të gjithë botën, duke kërcënuar sigurinë ekonomike dhe sigurinë ushqimore në shumë pjesë të botës.
Nddërkohë shkenca e peshkimit është disiplina akademike e menaxhimit dhe kuptimit të peshkimit. Ajo është një shkencë multidisiplinare, e cila mbështetet në disiplinat e limnologjisë, oqeanografisë, biologjisë së ujërave të ëmbla, biologjisë detare, meteorologjisë, ekologjisë, dinamikës së popullsisë, ekonomisë, statistikave, analizës së vendimit, menaxhimit dhe shumë të tjera në një përpjekje për të siguruar një fotografim të integruar të peshkimit. Ka edhe disiplina të reja si biokonomia dhe legjislacioni i peshkimit.

Na Ndiqni në: