Photo: Pexels - www.pixabay.com

Akademia e Shkencave zhvilloi forumin shkencor “Speciet invasive në ekosistemet ujore dhe efektet e ndryshimeve të klimës’’

U zhvillua në 12 korrik në Akademinë e Shkencave forumi shkencor “Speciet invazive në ekosistemet ujore dhe efektet e ndryshimeve të klimës”, ku u paraqitën problemet që kanë të bëjnë me praninë e specieve autoktone shtazore apo bimore në ujërat e Shqipërisë dhe sugjerimet e rekomandimet për zbutjen e efekteve nga prania e tyre, në prani të ndryshimeve të klimës.

Forumi u çel me fjalën përshëndetëse të Kryetarit të Seksionit të Shkencave Natyrore dhe Teknike, akad. Neki Frashërit. Ai theksoi se qëllimi i forumit është paraqitja e problemeve që kanë të bëjnë me praninë e specieve autoktone shtazore apo bimore në ujërat e Shqipërisë dhe paraqitja e sugjerimeve e rekomandimeve për zbutjen e efekteve nga prania e tyre, në prani të ndryshimeve të klimës, të cilat janë duke u bërë përherë e më evidente.

Forumi Shkencor “Speciet invazive në ekosistemet ujore dhe efektet e ndryshimeve të klimës u mbajt me dy sesione të moderuara nga akad. Neki Frashëri; prof. asoc. Rigers Bakiu dhe prof. dr. Petrit Zorba. Në të parin u prezantuan punimet shkencore për peshqit, invertebrorët, algat dhe bimësinë ujore dhe në të dytin studimet për efektet e ndryshimit të klimës në sektor me interes për ekonominë e vendit.

Elvis Kamberi foli për përdorimin e metodologjisë Local Ecological Knowledge (LEK) në vlerësimin e pranisë së specieve alloktone detare dhe rezultatet për Shqipërinë.

Edmond Hala nga UBT prezantoi praninë e llojeve invazive të peshqve në ujërat e brendshëm të Shqipërisë dhe vlerësimin e rrezikut.
Jerina Kolitari foli për speciet invazive dhe planin e menaxhimit të ujërave të ballastrave në Detin Adriatik.

Aida Dervishi foli për vlerësimin e diversitetit gjenetik tek Phragmites australis, një specie invazive në Liqenin e Ohrit.

Ariola Bacu referoi monitorimin me metoda molekulare të mikroalgave invazive që mund të shkaktojnë lulëzime masive në bregdetin e Shqipërisë të bërë në bashkëpunim me Klementina Puton e Rigerta Sadikaj.

Emirjeta Adhami referoi punën kërkimore për praninë e llojeve invazive në gjirin e Vlorës, treguesin e ndryshimeve në cilësinë e ujrave apo e rritjes së ndotjes së tyre të përgatitur me Lorela Lazaj, Nexhip Hysolako.

Akad. Neki Frashëri referoi punën e tij kërkimore për roli e imazherisë satelitore në detektimin e ndryshimeve mjedisore afatgjata (50-vjeçare).

Hajri Haska prezantoi një vështrim mbi disa specie bimore/drunore invasive/aliene në ujrat dhe rajonet/brigjet detare, lumore, liqenore të vendit tonë. Ai foli për gjendjen, problemet dhe konseguencat për të ardhmen.

Rigers Bakiu prezantoi punën kërkimore për ndryshimet e klimës dhe efektet e saj në iktiofaunën detare, me impakt në peshkim dhe akuakulturë në Shqipëri.

Petrit Zorba prezantoi punën e tij kërkimore për ndryshimet klimatike në Shqipëri dhe disa kondsiderata për impaktin e tyre në sektorë ndryshëm.

Elvin Çomo foli për disa vlerësime mbi ndryshimet klimatike në Shqipëri, bazuar në të dhëna faktike për fushën e bujqësisë.
Nga këto kërkime shkencore u arrit në konkluzion se:

Së bashku me ndryshimet e klimës, introduktimi i llojeve aloktone njihet gjerësisht të jetë një prej kërcënimeve kryesore ndaj biodiversiteti ujor dhe të ketë impakt në aktivitete të ndryshme. Një porcion i lartë i llojeve aloktone ndodhet i shpërndarë në vëndet e ndryshme përgjatë basenit të Mesdheut.

Shqipëria si një prej vëndeve që lagen nga Deti Mesdhe, dekadat e fundit është bërë pjesë e këtyre ndryshimeve. Gjithashtu, të tilla specie ndodhen të shpërndara në ujërat e brendshëm të vëndeve të Ballkanit.

Korridoret kryesore të shpërndarjes së tyre janë lumenjtë dhe liqenet, si sistemi i lumenjve Ohër-Drin-Shkodër, i cili lag shumë vënde në Ballkan dhe krijon konflikte interesi, meqë burimet ujore janë të shpërndarë jo në mënyrë të njëtrajtshme.

Pas prezantimeve u organizua një tavolinë e rrumbullaktë e moderuar nga akad. Neki Frashëri, prof. dr. Petrit Zorba dhe prof. asoc. Rigers Bakiu për të shkuar drejt përfundimeve dhe rekomandimeve të kësaj konference.

Në tavolinën e rrumbullakët me përfaqësuesit e institucioneve të ndryshme janë nxjerrë në pah boshllëqet në aspektin legjislativ dhe shkencor, së bashku me mundësitë për përmirësime, në përballje të ndryshimeve të klimës.

Konferenca u organizua në bashkëpunim me Institutin për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA); Fakultetin e Bujqësisë dhe Mjedisit, UBT; Institutin e Gjeoshkencave dhe Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, UPT; Fakultetin e Shkencave të Natyrës, UT; Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, MTM; Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, MBZHR dhe Shoqata & Biznesi.

Burimi: akad.gov.al

Na Ndiqni në: