Foto nga www.bakhabarkissan

AK vendos masa për stabilizimin e tregut të plehrave kimike dhe imputeve bujqësore

Autoriteti i Konkurrencës njoftoi në datën 12.03.2021, se nisur nga shqetësime të ngritura në media mbi rritjen e çmimit të plehrave kimike, bazuar në legjislacionin përkatës “Për mbrojtjen e konkurrencës”, realizoi një monitorim të tregut të importit dhe shitjes me shumicë të plehrave kimike dhe inputeve bujqësore, për evidentimin e kushteve të tregtimit të këtyre produkteve, me qëllim vlerësimin e konkurrencës në këtë treg.

Nga vlerësimi i informacionit të mbledhur gjatë monitoritmit të kryer pranë ndërmarrjeve kryesore në tregun e importit dhe shitjes me shumicë të plehrave kimike dhe inputeve bujqësore, si dhe në ambientet e Shoqatës Shqiptare të Plehrave Kimike dhe Inputeve Bujqësore “AFADA”, rezultoi se disa ndërmarrje gëzojnë të drejta ekskluzive në tregtimin e produkteve të mbrojtjes së bimëve, se ndërmarrjet kanë realizuar importe të përbashkëta dhe kanë siguruar gjendje të produkteve në magazinë duke i shitur ato me çmime shumë më të larta se kostot e blerjes së tyre dhe se në treg operojnë ndërmarrje të konsoliduara dhe me pjesë të konsiderueshme të tregut.

Për evidentimin e kryer, Autoriteti i Konkurrencës ngre dyshime të arsyeshme se mes ndërmarrjeve që ushtrojnë veprimtari në tregun e importit dhe shitjes me shumicë të plehrave kimike dhe inputeve bujqësore, ka elementë të një sjelljeje të bashkërenduar, e cila mund të përbëjë kufizim, shtrembërim apo pengim të konkurrencës.

Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës vendosi po në të njëjtën datë marrjen e masave të përkohshme në tregun e importit dhe shitjes me shumicë të plehrave kimike dhe inputeve bujqësore, për shkak të rrezikut të kryerjes së një dëmi të rëndë dhe të pariparueshëm për konkurrencën në këtë treg. Për këtë arsye, ndërmarrjet që operojnë në tregun e importit dhe shitjes me shumicë të plehrave kimike dhe inputeve bujqësore sipas këtyre masave, duhet t’i japin fund bashkëpunimit mes tyre duke u sjellë në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra gjatë ushtrimit të aktivitetit të tyre tregtar sa i përket; importeve të produkteve, caktimit të çmimit të shitjes dhe/ose ndarjes së tregut përkatës si dhe përdorimit të të drejtave ekskluzive.

Masat e përkohshme që kanë hyrë në fuqi menjëherë do të zgjasin për një periudhë kohore deri në përfundim të procedurës hetimore. Autoriteti i Konkurrencës bën me dije se në rast të moszbatimit të vendimit për masa të përkohshme të cituara më sipër, ndërmarrjet ndëshkohen me gjobë deri në 10 % të xhiros vjetore për shkelje të rëndë të konkurrencës. Në rast të moszbatimit të masave të përkohshme brenda afateve të përcaktuara në këtë vendim, Komisioni i Konkurrencës vendos gjoba periodike deri në 5 % të xhiros mesatare ditore të subjekteve.

Marrë nga Autoriteti i Konkurrencës: http://www.caa.gov.al/uploads/decisions/Vendim_nr._784_dat_12.03.2021.pdf

Shto Koment

Na Ndiqni në: