Dixhitalizimi i shumë fushave të dijes është arritja më e madhe e njerëzimit që na ka mahnitur dhe po na mahnit dita-ditës. Ashtu siç po magjepsemi me celularët inteligjentë vitet e fundit, në të ardhmen fermerët e rinj sipërmarrës kanë gjasa të mahniten me teknologjinë e zgjuar në të njëjtën masë, kur të vënë syzet e tyre dixhitale ose të konsultohen me pajisje të tjera teknologjike në fermë. Këto do t’i ndihmojnë ata që të analizojnë punën e tyre në fermë dhe të marrin vendime, që lidhen jo vetëm me shëndetin e bimës, por edhe me rendimentin në fermë. Këto të dhëna mbi bimën do të mblidhen nga dronë të vetë-drejtuar (autonomë), të cilët do të analizojnë gjendjen e tokës sipas formulave empirike dhe do të ofrojnë këshilla specifike kultivimi për çdo bimë në mënyrë efektive – qofshin këto të dhëna për bujqësinë organike, apo atë konvencionale. Ky informacion inteligjent, i gjenerura nga këto teknologji, do ta ndihmojë fermerin të shtijë më shumë pleh organik diku, apo më shumë insekticide diku tjetër, të tregohet pak më i kursyer në aplikimin e ujit në mënyrë që domatja të arrijë shijen e përsosur, apo kur informacioni i marrë mbi temperaturën e lopës do të vendosë kohën e duhur për insemimin artificial të saj, apo se informacioni lidhur me stresin e lopës do të na ndihmojë të përcaktojmë cilësinë dhe yndyrat në qumësht. Informacioni që do t’i shkojë fermerit në fermë do ta ndihmojë këtë të fundit edhe për blerjen e inputeve bujqësore duke e shtyrë blerjen e tyre në një moment, kur tregu i inputeve është më i favorshëm.
Vala a automatizimit po “përmbyt” fushën bujqësore
Prej kohësh po eksperimentohet me teknologji të reja në fermat e vendeve të zhvilluara. Për shembull në Shtetet e Bashkuara është krijuar dhe testuar në studimet pilot një robot me gjashtë këmbë i quajtur Prospero [1] i cili gjatë sezonit të mbjelljes endet në fushë duke mbjell çdo kokërr misër në vendin e duhur në mënyrë që bima të lëshojë rrënjë. Prej disa vitesh tashmë një robot tjetër i pagëzuar Bonirob endet në fushat e Gjermanisë duke testuar tokën dhe duke shkulur barërat e këqija që kërcënojnë bimët e mbjella. Të gjitha këto dhe të tjera zhvillime ne bujqësi na bëjnë të kuptojmë se edhe bujqësia po kalon një dixhitalizim të shfrenuar. Kahu i lëvizjes së automatizimit në fermë është po aq i pashmangshëm sa shijimi i një fruti të ndaluar, apo si vet historia e borëbardhës që kafshon mollën. Premtimet e teknologjisë në bujqësi, dhe aq më shumë premtimet për efikasitet më të madh, janë tepër joshëse.
A duhet t’i dalim para këtij zhvillimi dixhital kur jemi ende skllevër të bujqësisë tradicionale?
Mos vallë duhet të tregohemi të kujdesshëm me aplikimin e teknologjive, në një kohë kur kemi kultivuar një përvojë shekullore me kultivimin e mollëve, apo dru frutorëve të tjerë? Shkaku që ne duam diçka të re e të imponuar nga teknologjia, nuk do të thotë se kjo, apo ajo teknologji është e mirë për ne. Diversifikimi i teknologjive merr rëndësi për bujqësinë, sepse një teknologji e vetme, apo një formulë e vetme nuk mund të jetë çelësi i artë që zgjidh çdo problem. Kjo sepse bimët kanë kërkesat e tyre të ndryshme ushqyese dhe për më shumë kultivimi i bimëve është një përpjekje shumë më kompleks: p.sh., miliona organizma në një copë tokë ndikojnë në rritjen dhe zhvillimin e bimëve që rriten në të. Po kështu, mijëra përbërës tipikë për bimët me të cilat ushqehet lopa kanë ndikim te ajo. Ne nuk mund të programojmë “receta” të gatshme për çdo bimë, apo formula të vetme për çdo kultivar. Por a është kjo arsye që ne të mos shohim përtej asaj çfarë po ndodh në fushë??
Jo teknologjia nuk mund të ndalet. Përkundrazi, është më e rëndësishme të pyesim veten: çfarë formulash të reja duhet të krijojmë? A duhet të synojë dixhitalizimi i bujqësisë reduktimin e kostove në periudhën afat shkurtër, apo të ruajë burimet mjedisore në terma afatgjatë? Krahasuar me pjesën tjetër të botës, praktikat bujqësore në vendet e zhvilluara janë shumë të qëndrueshme – pavarësisht faktit nëse produktet bujqësore mbajnë etiketën organike apo jo. Edhe fermerët në këto vende janë shumë më të ditur dhe kompetent. Kjo është arsyeja pse ky është momenti për të vendosur se cilat probleme duhet të trajtohen nga teknologjitë e së ardhmes në bujqësi.
Krijimi dhe formimi i rolit të ri të fermerit?
Futja e teknologjisë në bujqësi shtron disa pyetje lidhur me rolin e fermerit? Çfarë u mbetet fermerëve të bëjnë kur bujqësia do të dixhitalizohet dhe do të automatizohet? A do të reduktohen ata në rolin e shërbëtorëve të algoritmeve, apo makinerive bujqësore që kërkojnë vetëm disa manuale drejtimi – apo a do të marrin fermerët një rol të ri? Roli i tyre do të jetë i ri në kushtet e reja: Ata do të marrin në radhë të parë rolin e studiuesve, që duhet të jenë teknikisht të aftë, sepse pa dyshim do të shfaqen sëmundje të reja, organizmat do të migrojnë si më parë dhe do të shfaqen raste të pazakonta të dëmtuesve, apo dhe probleme teknike të shumta. Me futjen e teknologjive të reja fermerët mund të mos drejtojnë vetë traktorët e tyre, por në të ardhmen ata do të duhet të dalin në fushë, apo dhe në stallë, siç bëjnë aktualisht, për të kontrolluar dhe testuar rekomandimet e sistemit, për t’u kujdesur për detyra, apo punë specifike dhe për të përmirësuar sistemet në mënyrë interaktive e të vazhdueshme. .
Një tendencë në rritje drejt kompleksitetit
Në fakt dixhitalizimi në bujqësi mund të na aftësojë që të përqendrohemi më shumë te heronjtë e vërtetë të historisë: tek bimët dhe kafshët. Në të ardhmen pritet të shohim një prirje në rritje drejt kompleksitetit dhe diversitetit. E ardhmja në bujqësi do të ketë faktorin kohë për t’u përballuar me sfidat e reja. Koha do të rezervojë mundësi për të këshilluar fermerët e tjerë në vende më të largëta apo vende të pazhvilluara, të cilët nuk kanë apo nuk do të kenë të njëjtin akses në arsim dhe teknologji si në vendet e zhvilluara. Kuptohet që bota nuk funksionon në këtë mënyrë. Por a nuk do të ishte diçka fantastike, nëse do të ndodhte kjo gjë – pra aplikimi masiv i teknologjive në çdo vend të botës?
Tani është momenti të përcaktojmë kursin dhe të zhvillojmë një model zhvillimi që dixhitalizimi duhet t’i sjellë bujqësisë – në vend që të humbim kohë e të presim akoma për të parë impaktin që dixhitalizimi do te ketë mbi bujqësinë dhe mbi njerëzit.
Përshtati: Arjan Shumeli
Burimi: World Economic Forum