Ndërsa UBT kremton 70-vjetorin e krijimit me një sërë aktivitetesh, nuk kanë munguar edhe urimet e përcjella nga qeveria shqiptare. Kryeministri i vendit, Edia Rama edhe pse ndodhej përtej kufijve, nëpërmjet një mesazhi dërguar ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ndër të tjera uron:
“70 vjet janë shumë për një njeri, por jo për një Universitet dhe aq më pak për Universitetin tuaj, i cili në 70 vjetorin e vet është në një farë mënyre ende në rininë e tij të hershme për mënyrën se si ka rrjedhur historia e tij. Sot githsesi kemi plot arsye të jemi më optimist se dje. Mjafton të mos harrojmë se ku e nisëm për të vazhduar me kurajo përpara së bashku, ku respekti për përpjekjet tuaja dhe ndihma jonë me gjithçka mundemi nuk do të mungojnë asnjëherë. Gëzuar, shëndet dhe sukses!,” thuhet në letrën e Ramës.
Ndërkaq edhe ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca me rastin e 70-vjetorit shkruan në rrjete sociale:
“Ne përpjekjen dhe ambicjen për zhvillimin bujqësor dhe rural në vend, kemi plot dashamirës të sektorit. Universiteti Bujqësor i Tiranës, i themeluar në vitin 1951, e që sot bën plot 70 vite histori e shkëlqim, është pa dyshim tepër i rëndësishëm. Jemi se bashku në misionin e bërjes së politikave më të mira, pasi dija dhe shkenca fillon ketu.
E ftova rektorin, dekanët, stafin akademik, profesorët e vjetër e të rinj, studentët gjithashtu, të mundësojnë një angazhim më përfshirës e të nevojshëm, jo vetëm në auditore por edhe në udhëheqjen e debatit shkencor në fushen e bujqësisë dhe zhvillimit rural, në hapsirën publike. Rol i domosdoshëm për rritjen e cilësisë se mendimit përparimtar dhe zhvillimin demokratik të vendit.
Gëzuar 70 vjetorin Universiteti Bujqësor i Tiranës!
Urimi për ditëlindjen e 70-të të UBT-së nuk mungoi as nga ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, Evis Kushi.
-“70 vite histori ndoshta janë relativisht pak krahasuar me shumë universitete prestigjioze evropiane, por këto vite marrin vlerë sepse janë të mbushura me arritje, suksese, talente dhe kontribut të çmuar.
Sfida jonë e përbashkët sot është nxitja e pasionit dhe vullnetit të të rinjve në këtë sektor kaq të rëndësishëm. Gëzuar 70-vjetorin #UBT!’’- shkruan ministrja Kushi.