jplenio - Pixabay.com

Lavanda dhe nënproduktet e saj

Lavandula (emri i zakonshëm njihet si lavandë/livando), është një gjini e 47 llojeve të njohura të bimëve të lulëzuara në familjen e mentes, Lamiaceae. Origjina e saj vjen nga vendet e botës së vjetër përkatësisht nga ishujt Kanarie dhe shtrihet nga Evropa në Afrikën veriore dhe atë jugore, nga Mesdheu në Azinë e largët juglindore dhe Indi. Mendohet që orgjina e fjalës livando vjen nga fjala ‘lavare’ që në latinisht do të thotë ‘të lahesh’. Lavanda njihet si një bimë e cila është shumë e vjetër dhe e gjithanëshme.

Vendet e sipërpërmendura kanë kushte klimatike që e favorizojnë kultivimin e saj. Vaji i lavandës ka një përdorim të gjerë në industrinë kozmetike në pergjithësi dhe në atë organike në veçanti.

Lavanda kultivohet kryesisht në klimat e buta. Ajo njihet si bimë zbukuruese dhe gjen përdorim nga arkitektët e peisazhit në dizenjimin e kopshteve dhe ambienteve të tjera të jashtme dhe jo vetëm. Lavanda gjen përdorim në gastronomi dhe industrinë farmaceutike.

Lavandula angustifolia shpesh quhet edhe livando. Ajo përfaqëson specien me kultivimin më të gjerë. Livando shoqërohet me hijeshinë që kanë edhe lulet e kësaj specieje. Livandoja është përdorur gjatë shekujve në mjekësinë tradicionale dhe kozmetikë. Ajo njihet për vetitë e saj antibiotike, antibakteriale dhe antiseptike.

Karakteristikat e lavandës dhe nënproduket e saj

Lavanda dallohet për një bimë sa të bukur po aq edhe aromatike. Përveç këtyre karakteristikave të para dalluese, ajo është edhe një bimë me veçanti kuruese. Lavanda njihet si bimë medicinale e cila trajton sëmundje të ndryshme.  

Përveç aromës  karakteristike, kultivimi i  lavandës mundëson “transformimin” në ngjyrë vjollcë të të gjitha sipërfaqeve, ku ajo kultivohet përgjatë kohës së periudhës së lulëzimit. Toka në të cilën mbillet bima e lavandës duhet të jetë tokë që nuk e mban lagështirën, jo shumë e ekspozuar në diell dhe jo e pasur në plehra organike.

Faza e lulëzimit zakonisht ndodh nga muaji qershor deri në muajin korrik (kryesisht në vendet e Mesdheut).

Në lidhje me proçesin e tharjes dhe vjeljes së lavandës duhet të tregohet një kujdes i veçantë, sepse lulesat e saj janë shumë delikate. Nëse ky proçes nuk realizohet siç duhet, atëherë lulet e lavandës shoqërohen me humbjen e ngjyrës së tyre e cila u jep hijeshi pa fund sipërfaqeve të mbjella me të.

Një tjetër nënprodukt i rëndësishëm i lavandës është mjalti që karakterizohet për nga vlerat e tij ushqyese. Ky lloj mjalti përgjithësisht prodhohet në vendet e Mesdheut dhe marketohet në vendet e tjera si produkt premium. Gjithashtu, lulet e lavandës përdoren për dekorime në produktet e pastiçerive të cilat përdoren gjerësisht në festa apo në ceremoni martesore. Një tjetër nënprodukt që nxirret nga lulet e bimës njihet si ‘sheqeri i lavandës’.

Vlerat kurative të kësaj bime lidhen ngushtësisht me përdorimin në terapinë aromatike. Ajo ka një efekt shumë të mirë dhe qetësues për shëndetin. Njihet për eleminimin e dhembjes së kokës, migrenës, pagjumësisë, largimit të ankthit, stresit dhe lodhjes mendore.

Ajo gjen përdorim në industrinë kozmetike si më poshtë:

  • shërimin e djegieve pasi lehtëson qetësimin e tyre
  • largimin e akneve dhe strijave në trup
  • përmirësimin e ekzemave të ndryshme
  • gjithashtu ndihmon në mosrënien e flokëve
  • përdoret si tonik për lëkurën kundra plakjes dhe si antioksidant
  • apo kundra pickimit të insekteve të ndryshme

Kultivimi në Evropë Në kontinentin e vjetër Franca njihet për kultivimin e saj dhe veçanërisht zona e Provancës (Aix-en- Provance, e cila gjendet në Francën Jugore dhe 30 km në veri të qytetit të Marsejës).

Fushat e pafundme me lulet e livandos e bëjnë peisazhin një mjedis piktoresk.

Franca është shteti në të cilin prodhohen nënproduktet e lavandës duke nisur nga vaji esencial që ka përdorim të gjerë në mjekësi, por edhe në nënproduktet e tjera farmaceutike të cilat shiten kudo në botë edhe si produkte premium.

Tek nënproduktet e lavandës përfshihen: sapunë bio, vajra dhe parfume esenciale, fragranca të ndryshme, shampo, qirinj, aromatizues të ndryshëm, bimë dekoruese paketuar në shportëza.  Shpeshherë këto produkte, gjenden të maretuara me labela të ndryshme si ‘produits de terroir’ dhe kanë edhe ‘d’appelation d’origine géographique’.

Çertifikimet e ndryshme që merren për cilësinë, garantojnë konsumatorët sidomos në produktet kozmetike organike dhe që shiten me çmim premium (çmime prestigji ose çmime imazhi)

Në këtë mënyrë këto produkte arrijnë tregje të ndryshme në mbarë botën duke u identifikuar me markat përkatëse të vendit nga vijnë, duke marrë segmente të caktuara tregjesh dhe duke iu shërbyer konsumatorëve besnikë të cilët kanë përqasje më të mirë për produktet duke u nisur edhe nga origjina, cilësia dhe çertifikatat e cilësisë.

Në Evropë, në shtete si Bullgaria, gjenden sipërfaqe të tëra të kultivuara më këtë bimë. Madje edhe në vendin tonë kanë filluar të mbillen sipërfaqe të konsiderueshme sidomos në pjesën e Malësisë së Madhe. Në Itali, në zona ku kultivohet lavandë organike bëhet edhe distilimi i luleve të lavandës nga ku del edhe nënprodukti i hirdosolit, që është uji i pastër i livandos. Gjithashtu, livando mund të përdoret si temjan ose si ndezësi fillestar i zjarrit nëpër oxhaqe.

 

Anika Totojani
Instituti i Resurseve Gjenetike të Bimëve, UBT

 

Na Ndiqni në: