Kathas_Fotos - www.pixabay.com

Domatet e Shqipërisë së Mesme

Shqipëria, si dhe vendet e tjera të  Mesdheut, ka traditë të gjatë në kultivimin e domates. Ekspertët besojnë se bima e domates u fut këtu në të njëjtën periudhë me vendet e tjera të  Mesdheut. Sidoqoftë, Shqipëria ka varietete lokale të vjetra të njohura gjithashtu si domate të trashëgimisë që kanë potenciale për diversifikimin bujqësor dhe fuqizimin ekonomik të komuniteteve rurale.

Varietetet lokale të domates, ashtu si edhe për bimët e tjera, janë ruajtur falë veprimit  konservator të fermerëve dhe shkëmbimit të farërave mes tyre, gjatë gjithë rrjedhës historike të zhvillimit të bujqësisë, deri në ditët tona. Ky “shkëmbim” i materialit faror, shoqëruar me shkëmbimin e informacionit mbi traditat dhe zakonet lidhur me kultivimin, përpunimin dhe përdorimin, nuk ka qenë rregulluar asnjëherë me norma të shkruara, por mbi bazën e praktikave brenda fshatit apo zonës.

Fal kësaj veprimtarie të fermerëve shqiptar, në fondin e Bankës Gjenetike të Bimëve, pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës, ne kemi sot 67 varietete lokale të domates të kultivuara dhe trashëguara në breza.

Duke qenë se domatet janë ndër produktet e freskëta më të konsumuara në BE dhe në botë, varietetet lokale te domateve në Shqipëri mund të ndihmojnë në zhvillimin e komuniteteve rurale dhe të promovojnë ruajtjen e agrobiodiversitetit dhe përdorimin e qëndrueshëm të produkteve vendore.

Domatet lokale, që, në zona të ndryshme të vendit njihen edhe me termin domatet e trashëgimisë, janë ruajtur dhe mbajtur nga bahçevanët, duke zbatuar teknikat tradicionale të kultivimit. Farat merren dhe transmetohen nga sezoni në sezon. Ato zgjidhen nga fermerët bazuar në tipare të tilla si forma, madhësia, ngjyra, shija, tuli, lëngu, etj. Ato janë sezonale dhe të kultivuara në fushë të hapur. Është e rëndësishme të theksohet se varietetet lokale janë përshtatur mirë me kushtet lokale të mjedisit. Kjo e bën shumë më të lehtë punën për fermerët për të menaxhuar sëmundjet, dëmtuesit dhe streset abiotike që mund të dëmtojnë kulturën.

Përgjithësisht, varietetet e vjetra lokale kultivohen për përdorim në tregjet lokale, sepse nuk i qëndrojnë magazinimit dhe transportit në distanca të gjata. Vëmendje të shtuar ka marr përdorimi tyre në resortet agro-turistike. Ato janë domate që shumë rrallë mund ti gjesh në tregjet e mëdha të qytetit. Shfaqen me larmi në forma,  madhësi  dhe ngjyra të frytit. Më e rëndësishmja, ato janë me shije më të mirë krahasuar me domatet moderne të tregut. Ka shumë varietete të domateve tradicionale në Shqipëri që janë kultivuar në të gjithë vendin, sikurse ka edhe të tilla të kultivuara në zona të veçanta agro-klimatike. Disa ende kultivohen nga fermerë të veçantë ose kopshte shtëpiake, ndërsa të tjerë rrezikojnë të zhduken.

Më poshtë po përmendim vetëm disa, që vijnë nga tradita e bahçevanëve të Shqipërisë së Mesme:

Domate “Zemër Kau”

“Zemër kau” është një varietet lokal  domateje e tipit  të  pakufizuar (e gjatë), e njohur për frytin me formën e zemrës, kokërr të madhe, ngjyrë rozë  dhe aromë të veçantë. Është kultivuar në Shqipërinë e mesme për më se 100 vjet, por mund të gjendet edhe në zona të tjera të vendit. Aktualisht, përbën rreth 10-15 për qind të domateve së kultivuar në fushë të hapur në Shqipërinë e Mesme. Për shkak të tulit mishtor dhe aromatik, vlerësohet për  sallata dhe salcë. Këto karakteristika e bëjnë atë të kërkuar për përdorim shtëpiak dhe restorante. Prodhimi vjen  gjatë sezonit nga korriku në tetor. Rendimenti i domates “Zemër kau” shkon nga  35-40  deri në 50 kuintal për dynym. Ky varietet  është i qëndrueshëm ndaj sëmundjes së vrugut (Phytophthora infestans (Mont) de Bary) dhe temperaturave të ulëta, por jo ndaj plasaritjes rrezore të frutave dhe transportit në distanca të gjata. Për transporte në distancë kërkon paketim të veçantë. Aktualisht, domatja “Zemër kau” kultivohet kryesisht në kopshtet shtëpiake  dhe nga fermerë të veçantë, për furnizim të tregjeve lokale.

Domatja e Tiranës

Në  Shqipërinë e mesme, kryesisht në zonën e Piskës dhe Shëngjergjit,  njihet e kultivohet  për më se 100 vjet. Aktualisht zë më pak se 5 % të sipërfaqes së domates së kultivuar në fushë të hapur dhe mbillet kryesisht në zonën e Shëngjergjit. Ekspertët kanë diferencuar  dy forma të domates Tirana, të regjistruara në inventarin e Bankës Gjenetike të Bimëve, përkatësisht Tirana-92 me fruta më të mëdha (180-200 g) e përshtatshme për prodhim të mesëm e të vonë  dhe Tirana-100, me fruta më të vegjël (150-160 g), mesatarisht e hershme.

Klima lokale e bëjnë domaten Tirana një produkt unik të zonës së Shëngjergjit dhe fshatrave përreth. Trashëgimia ka kaluar nëpër breza, ndërsa Banka Gjenetike e Bimëve,  herë pas here ndihmon në rikthimin e farës dhe ruajtjen e saj në fermë .

Domatja Tirana mbillet në fushë nga fundi muajit Maj e fillimi Qershorit dhe prodhimi fillon  pas 8-10 javë, në gusht dhe vazhdon deri në fund të tetorit. Rendimenti i saj shkon rreth 45-50 kuintal për dynym.

Dallohet për qëndrueshmëri të mirë ndaj vrugut (Phytophthora infestans (Mont) de Bary) dhe temperaturave të ulëta; është rezistente ndaj transportit në distanca të gjata.

Domatja Cërre e Tiranës

Varieteti  lokal “Cërre”, e njohur dhe kultivuar nga bahçevanët për mbi 100 vjet,  kryesisht në zonën e ulët të Tiranës, por  dhe kodrinore të Priskës dhe Petrelës. Aktualisht mbillet pak, diku tek 3-5 për qind të domates në zonë, në kopshte shtëpiake. Varieteti  Cërre është e tipit  të  kufizuar (e shkurtër) dhe ka masë bimore të vogël, lulesë të përbërë, fruta të rrumbullakët dhe të vegjël,  rreth 25-30 g, me ngjyrë të kuqe intensive, me aromë dhe shije të mirë. Është shumë e hershme. Jep rendiment të ulët, 25-30 kuintal për dynym. Nga ana tjetër, me futjen e farërave të importuara, varieteti Cërre rrezikon të zhduket nga prodhimi dhe tregu.

Domatja e Gropaj të Tiranës

Në  Shqipërinë e mesme, kryesisht përreth Vaqarit (fshati Gropaj nga ka marr edhe emrin) dhe fshatra të tjerë në zonën e ulët perëndimore të Tiranës,  njihet e kultivohet  për më se 100 vjet. Aktualisht zë më pak se 3-5 % të sipërfaqes së domates së kultivuar në fushë të hapur në këtë zonë. Është e tipit  të  pakufizuar (e gjatë),  masë bimore mesatare, lulesë e thjeshtë, fruta të rrumbullakët e me pole lehtësisht të shtypur, me peshë mesatare 200 – 220 g, me shije dhe aromë të mirë. Është e përshtatshme për prodhim të mesëm e të vonë, korrik-tetor.  Rendimenti i saj shkon rreth 45-50 kuintal për dynym. Dallohet për qëndrueshmëri relativisht të mirë ndaj vrugut (Phytophthora infestans (Mont) de Bary) , por jo ndaj plasaritjes rrethore të frutave dhe transportit në distanca të gjata. Me futjen e farërave të importuara,  mbillet vetëm në disa kopshte shtëpiake dhe rrezikon të zhduket.

 

Prof. Dr. Sokrat Jani
Instituti i Resurseve Gjenetike të Bimëve, UBT.

Na Ndiqni në: