Photo: www.metoffice.gov.uk

Temperatura rekord në Siçili, në Sirakuzë termometri kalon 48 gradë

Pasditja e një dite më parë në Siçili të Italisë regjistroi temperaturën 48.8 °C. “Pasi të jenë kryer edhe matjet dhe analizat e duhura, mund të themi se bëhet fjalë për vlerën më të lartë të regjistruar në kontinent’’, pohoi meteorologu italian Manuel Mazzoleni.

Siçilia është e nxehtë dhe në disa zona temperaturat i kalojnë 45 gradë.Por së fundmi është shënuar një vlerë akoma më e lartë që mund të jetë edhe temperature rekord, 48.8°C (të dhëna sipas rrjetit Sias) në provincën e Sirakuzës, pas temperaturës prej 47°C të regjistruar të martën në Lentini. Sipas Organizatës Botërore të Meteorologjisë, rekordi paraprak ishte shënuar në Athinë në vitin 1977, ku mërkuri preku vlerën e 48 gradëve.

“Luçiferi” ka mbërthyer me të gjithë forcën Italinë jugore, me termometrin që ka shënuar vlera rekord dhe zjarret që po shkrumbojnë sipërfaqe të tëra.

Zjarrfikësit italianë thanë se janë përfshirë në më shumë se 300 operacione në Siçili dhe Kalabri përgjatë 12 orëve, duke luftuar edhe gjatë natës me flakët që kanë djegur mijëra hektarë tokë.

Vala e fundit e të nxehetit në Itali po shkaktohet nga anticikloni, i pagëzuar si “Luçifer” dhe që vjen nga Afrika. Ai parashikohet të zhvendoset drejt veriut, përgjatë Italisë kontinentale, duke rritur edhe më tej temperatura në qytete të tjera, përfshirë Romën.

 

Burimi: tg24.sky.it

Na Ndiqni në: