Varieteti i rrushit “shesh i zi” është një ndër më të njohurit në vendin tonë dhe gjen konsum jo të paktë në popullatë. Ky kultivar autokton e ka origjinën nga fshati Shesh i komunës së Ndroqit, Tiranë prej të cilit merr edhe emrin.
Ky varietet i rrushit është mjaft i përhapur në vendin tonë dhe zë vendin e parë për sasinë e sipërfaqes së mbjellë me të. Rrushi “shesh i zi’’ dallohet për lastarët që kanë rritje të fuqishme, ngjyrë të gjelbër dhe me push. Në vjeshtë marrin ngjyrë të verdhë në kafe dhe në nyje ngjyrë violetë. Gjethja është mesatare, me formë pesëkëndëshe, me pesë lobe dhe me gropëzën e bishtit të hapur.
Lulja është dyseksore normale. Numri i lulërive për lastar shkon nga 2.1 deri në 3. Bistaku është i madh, me gjatësi mesatare dhe mesatarisht i ngjeshur. Kokrrat janë të rrumbullakëta, me madhësi mesatare, ngjyrë blu në të zezë, me puhizë, me cipë mesatarisht të trashë, me 2 deri në 3 fara dhe pa aromë.
Nësë do të përmendim karakteristikat agronomike për këtë frut, vlen të përmendet se ky kultivar kultivohet në toka me taban të hellë, të shkrifta e me përmbajtje gëlqerore dhe jep prodhime të bollshme dhe cilësore. Duke qenë se karakterizohet nga sytha të bazës prodhues, mund të aplikohen si krasitjet e shkurtra ashtu dhe ato të përziera. Shkon mirë me nënshartesat Kobber 5 bb, 110 R, 1103 P. Preket nga sëmundjet kërpudhore, nga tenja dhe kalbëzimi. Grumbullon mesatarisht 23-25% sheqer, por në vite të veçanta, sasia e sheqerit arrin 27%. Rrushi “shesh i zi’’ piqet vonë.
Ky kultivar kryesisht përdoret për prodhimin e verës për tryezë, me përmbajtje të artë alkoolike, të qëndrueshme e me trup të plotë por që përdoret shpesh edhe për konsum të freskët.
Burimi IRGJB