Mbrostari i Fierit dëshmon domosdoshmërinë e infrastrukturës për menaxhimin e sigurtë të mbetjeve urbane dhe reflektim të shoqërisë

U desh situata e rënduar e smokut të krijuar nga tymi helmues që çlirohet nga zjarri në fushën e depozitimit të mbetjeve në Mbrostar që banorët e Fierit të kuptojnë se sa e rendësishme është infrastruktura për menaxhimin e sigurtë të mbetjeve urbane.

Në këto ditë të nxehta, këto vend depozitime janë “bomba me sahat”që mund të aktivizohen në çdo moment për shkak të çlirimit të gazrave lehtësisht të djegshëm dhe që marrin lehtësisht flakë kur temperatura në djell kalon më shumë se 40 gradë. Shpërthimi i zjarrit në vend depozitimet shumëvjeçare me përmbajtje të lartë të mbetjeve plastike është i krahasueshëm me rastet kur shpërthejnë në flakë puset e naftës.

Në fakt, fusha e depozitimit  të mbetjeve në Mbrostar nuk është vëndi i vetëm në Shqipëri ku aktualisht digjen plehrat, por vëmendja u përqëndrua në Fier për shkak të përmasave që mori situata e ndotjes së ajrit. Dihet se ajri i ndotuar nga djegja e mbetjeve përmban substanca shumë të dëmshme për shëndetin e njerëzve. Ndaj situata u vlerësua si emergjencë mjedisore dhe duhet të marrë fund sa më parë.

Ky ishte një eksperiment me pasoja të rënda për të kuptuar rëndësinë e infrastrukturës për menaxhimin e sigurtë të mbetjeve, për të kuptuar përgjegjësitë ligjore dhe zbatuar me kujdes kriteret teknike që lidhen me mbetjet urbane ose të rrezikshme.

Kryetari i Bashkisë së Fierit në një intervistë deklaroi se në fund të Gushtit mbetjet e qytetit do të shkojnë për tu asgjesuar në insineratorin e ndërtuar për këtë qellim. Ky është një lajm i mirë për Ferin por nuk duhet të harrohet kapsulimi dhe monitorimi i fushës së depozitimit të mbetjeve në Mbrostar, të sigurohet nga çlirimi i gazrave dhe rrjedhja e ujrave të ndotur.

Perse ndodhi dhe a mund të parandalohej ngjarja në mbrostar? Rendësi ka që disa mësime duhen nxjerrë, jo vetëm që Mbrostari të mos përsëritet por që në Shqipëri plehrat mos të rrinë rrugëve, lumenjëve ose të digjen vënd e pa vend.

Do ishte e pafalëshme që këto ditë të nxehta, kritike për fatin e pyjeve, të shpërthejnë flakët në zonat ku janë depozituar ose depozitohen mbetjet. Ky rrisk me pasoja katastrofike është evident dhe duhet marrë seriozisht.

Mendoj se është urgjente që “pushteti lokal dhe institucionet përgjegjëse të marrin masa për “rrethimin, e vendepozitimeve, monitorimin dhe mbulimin e mbetjeve me shtresa dheu çdo ditë”. Vend-depozitimet e braktisura duhet të mbulohen me dhe ose inerte, të reabilitohen për të shmangur renjen e zjarrit dhe përhapjen e tij në zona të tjera.

Përballë situatës së vështirë të krijuar nga mbetjet urbane në zonat turistike dhe disa zona të tjera qytetarët duhet të ndërgjegjësohen se “tarifa për mbeturinat”që i paguhet pushtetit vendor është e vetmja mënyrë për të siguruar grumbullimin, transportin, asgjesimin ose groposjen e mbetjeve urbane. Infrastruktura për menaxhimin e mbetjeve është jetike për të siguruar normalitetin e zhvillimit social-ekonomik të vendit. Rasti i Fierit, na fton për reflektim të gjithëve, sepse të gjithë krijojmë mbetje, ndaj dhe të gjithë duhet të bëhemi pjesë e zgjidhjes.

 

Prof. Dr. Seit Shallari
Përgjegjës i Departamentit të Mjedisit dhe Burimeve Natyrore, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, UBT.

 

Burimi: www.panorama.al

Na Ndiqni në: