22 prilli – Dita e Tokës

Çdo vit në datën 22 prill, Dita e Tokës shënon edhe përvjetorin e lindjes apo themelimit të lëvizjes moderne ambientaliste të 1970. Prej gjysmë shekulli nëpërmjet kësaj lëvizjeje ndërmeren aksione dhe veprimtari të ndryshme në mbarë botën.

Dita e Tokës kremtohet për të demostruar mbështetjen për mbrojtjen e mjedisit, me një sërë aktivitetesh të koordinuara globalisht. Në vitin 1969, në konferencën e UNESCO-s në San Francisco, aktivisti për paqen John McConnell propozoi një ditë të veçantë dedikuar Tokës dhe që për herë të parë u festua në 21 mars të 1970, ditën e pranverës në hemisferën veriore. Kjo ditë e natyrës u sanksionua më vonë në një shpallje të shkruar nga McConnell dhe e nënshkruar nga Sekretari i Përgjithshëm në Kombet e Bashkuara. Një muaj më vonë senatori amerikan Gaylord Nelson propozoi idenë për të organizuar një mësim mbarëkombëtar mbi mjedisin më 22 prill 1970 dhe që më pas do të emërtohej “Dita e Tokës”.

Dita e parë e Tokës u përqëndrua dhe u organizua në Shtetet e Bashkuara ndërsa në vitin 1990, Denis Hayes organizoi ngjarje ndërkombëtare me këtë tematikë në 141 vende. Gjithashtu, në Ditën e Tokës 2016, u nënshkrua Marrëveshja e Parisit nga Shtetet e Bashkuara, Kina dhe rreth 120 vende të tjera. Nënshkrimi plotësoi një kërkesë kryesore për hyrjen në fuqi të draft- traktatit historik të mbrojtjes së klimës, të miratuar me konsensusin e 195 vendeve të pranishme në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike në vitin 2015, në Paris.

Kjo ditë synon të rrisë ndërgjegjësimin për mundësi për të përmirësuar efikasitetin e energjisë dhe shfrytëzimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe mbrojtjen e mjedisit. Dita e Tokës festohet në më shumë se 175 vende të botës dhe nga mbi 500 milionë njerëz. Kjo shifër renditet në ditën e tretë në botë për festimet. Zyrtarisht, OKBja e themeloi 22 prillin si Dita e Tokës dhe prillin si muaji i Tokës. Kjo ditë festohet në mbarë botën me një shumëllojshmëri aktivitetesh të tilla si pyllëzime, fushata të ndryshme, shfaqje, panaire, etj. Dita e Tokës ka si simbolikë të saj edhe flamurin e vet, i cili është quajtur flamuri ekologjik në dy ngjyra, i gjelbër dhe i bardhë. E bardha nënkupton ajrin e pastër dhe e gjelbra tokën e gjelbër. Flamuri gjithashtu përmban edhe gërmat ‘’E” dhe “O” që nënkuptojnë mjedisin (environment) dhe organizmin (organism). Kjo ditë synon jo vetëm të rrisë ndërgjegjësimin e gjithësecilit nga ne por edhe të na bëjë të kuptojmë e të mendojmë për mënyrat nëpërmjet të cilave kontribuojmë për ruajtjen e mjedisit, për parandalimin e proceseve shkatërruese të Tokës dhe për të frenuar ndotjen e planetit.

Na Ndiqni në: