Ales Maze - www.unsplash.com

Zgjedhja e varietetit të hardhisë në vreshta të rinj

Shtrirja e kultivimit të vreshtave në të gjithë territorin e vendit tonë krijon përshtypjen se hardhia është bimë që mund të kultivohet lehtë në të gjitha tipet e tokave dhe të klimës së vendit, por në të vërtetë vetëm disa tipe tokash, për nga natyra fizike, përbërja kimike dhe ekspozicioni, janë në gjendje të sigurojnë shfrytëzimin e potencialit prodhues të varieteteve të ndryshme të hardhisë. Po kështu, kushtet klimatike mund të përmirësojnë ose të përkeqësojnë karakteristikat varietore. Në përcaktimin e varietetit të hardhisë për mbjelljen e vreshtave të reja janë të shumtë faktorët që duhet të analizohen për të patur rezultate të kënaqshme.

Është shumë e rëndësishme të marrim në konsideratë disa faktorë: kushtet e ambientit ku do të mbjellim si pozicioni gjeografik (lartësia mbi nivelin e detit, ekspozicioni, relievi, etj.), përbërja mekanike dhe fiziko-kimike e tokës, bimësia e mëparshme, rreziku i kushteve jo të favorshme meteorologjike (ngricat e vonshme, breshëri, etj.); veçoritë biologjike të varietetit si karakteristikat e rritjes, të prodhimtarisë, fenofazat (lulëzimi, pjekja), karakteristikat e bistakut, të kokrrës (i rrallë apo i ngjeshur, trashësia e cipës etj), qëndrueshmëria ndaj faktorëve biotikë e abiotikë, destinacioni kryesor i përdorimit (për përpunim, konsum të freskët, tharje, etj) si edhe perspektivën e zhvillimit të zonës.

Pra, në zgjedhjen e varietetit duhet të njohim mirë veçoritë biologjike të tij që të sigurojmë një ecuri të mirë në kushtet e ambientit ku do të mbjellim në mënyrë që të arrijmë të marrim prodhime të larta e me kosto sa më të ulët. Zgjedhja e nënshartesës në përputhje me kushtet e tokës dhe karakteristikat e mbishartesës, luan një rol tjetër të rëndësishëm. Për këtë arsye duhet të njohim mirë karakteristikat e nënshartesës që do të përdorim, si fuqia e rritjes, përputhshmëria e saj me varietetin e dëshiruar, qëndrueshmëria ndaj lagështirës, thatësirës, gëlqeres aktive në tokë, pjellorisë së tokës, strukturës së saj, etj.

Në përgjithësi, varietetet për verë mbillen në toka të lehta nga ana e përbërjes mekanike dhe mesatarisht të pasura me lëndë ushqyese, ndërsa për varietetet për konsum të freskët preferohen toka të pasura me taban të thellë, me strukturë subargjilore të mesme, me ujëra freatike në thellësi dhe pa prezencë kripërash të dëmshme. Në zonat e ftohta duhet të zgjidhen varietete që piqen më herët, pa kërkesa për nxehtësi të madhe në mënyrë që të sigurojnë pjekjen.

Në zonat me lagështi të madhe duhet të zgjidhen varietete me qëndrueshmëri të lartë ndaj sëmundjeve kërpudhore. Po ashtu, jo më pak e rëndësishme është edhe perspektiva e zhvillimit të zonës, në mënyrë që të arrihet maksimizimi i vlerës së shitjes së produktit të vjelë dhe përdorimit të tij. Sigurisht, nuk ekziston gjithmonë një ambient ideal por në çdo ambient duhet të manovrojmë duke përcaktuar varietetin, që në kushte të caktuara shpreh më së miri potencialin e tij gjenetik, pra të ndërthurim drejt varietetin, nënshartesën dhe ambientin.

 

Prof. Asoc. Dr. Frida Çarka
Instituti i Resurseve Gjenetike të Bimëve, UBT.

Na Ndiqni në: