PublicDomainPictures - www.pixabay.com

Bishtajoret kokërr – ushqime të njeriut që nga lashtësia

Bishtajoret kokërr – farat ushqyese të natyrës

Në kuadrin e garantimit të sigurisë ushqimore dhe të zhvillimit ekonomik botëror, rëndësia e resurseve gjenetike të bimëve për ushqimin dhe bujqësinë po rritet gjithnjë e më shumë. Si komponent i agro-biodiversitetit, resurset e bishtajoreve janë shumë të rëndësishme për ushqimin, prodhimin bujqësor të qëndrueshëm si dhe për sigurimin e jetesës së një pjese të madhe të popullsisë e cila merret dhe jeton me bujqësi.

Statistikat në nivel botëror tregojnë se afërsisht një miliardë njerëz në botë vazhdojnë të kenë uri të përditshme, ndërsa në vitin 2050 parashikohet që popullsia e globit të arrijë në nëntë miliardë banorë, prandaj është domosdoshmëri të rritet gjithnjë e më shumë vëmendja për ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të resurseve gjenetike të bimëve për ushqimin dhe bujqësinë.

Dita Botërore e Bishtajoreve e organizuar nga Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO) e Kombeve të Bashkuara, është një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin për përfitimet ushqyese të bishtajoreve dhe kontributin e tyre në sisteme të qëndrueshëm të të ushqyerit dhe të një bote pa uri. Duke u bazuar në suksesin e Vitit Ndërkombëtar të Bishtajoreve në 2016, të udhëhequr nga FAO, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara caktoi 10 Shkurtin si Ditën Botërore të Bishtajoreve.

Ndërkaq kriza e vazhdueshme e klimës thekson më shumë se kurrë nevojën për të diversifikuar sistemet agro-ushqimore në mënyra më inteligjente për rritjen e prodhimit të ushqimit, forcimit të zinxhirëve të furnizimit dhe përmirësimit të dietave, veçanërisht për fermerët familjarë dhe konsumatorët me të ardhura të ulëta që jetojnë në rajone të varfëra. Në këtë këndvështrim, bishtajoret janë kritike në adresimin e sfidave të diversifikimit të prodhimit, në uljen e varfërisë, rritjen e sigurisë ushqimore, të shëndetit të njeriut dhe të të ushqyerit dhe shëndetësimit të tokës dhe mjedisit.

Në këtë aspekt, Instituti i Resurseve Gjenetike të Bimëve (IRGJB), njësi kryesore e Universitetit Bujqësor, së bashku me qendrat e tjera kërkimore të vendit, kryen kërkime mbi bishtajoret dhe po punon për të demonstruar se me përdorimin e bishtajoreve për kokërr, mund të përfitojnë jo vetëm fermerë familjarë, por edhe prodhimi i bishtajoreve në shkallë vendi, duke ndihmuar në rritjen e sasisë dhe të sigurisë ushqimore për mbështetjen e dietave më të mira për konsumatorët. Standardi i FOA-s për përfshirjen e bishtajoreve kokërr në dietën tonë vjetore për çdo person është 36 kg/person/vit.

Bishtajoret janë gjithashtu bimë të përshtatshme për qarkullimet bujqësore. Për kushtet e vendit tonë aplikimi i sistemeve të larmishme bujqësore që kombinojnë drithërat dhe bishtajoret shihet si një qasje alternative në përballimin e ndikimeve klimatike dhe të bujqësisë mono-kulturë të drithërave.

Hulumtimet e IRGJB (dhe jo vetëm) demonstrojnë se për fermerët, krijohen mundësi më të mira dietike kur mbjellja e drithërave kombinohet dhe qarkullohet me bishtajore. Bishtajoret nuk janë vetëm një burim i madh i proteinave, por në simbiozë me bakteret ato rregullojnë azotin në tokë, duke rritur rendimentin, cilësinë dhe qëndrueshmërinë e të korrave pasuese. Si rezultat, prodhuesit përmirësojnë sigurinë e tyre ushqimore dhe zvogëlojnë përdorimin e plehrave të kushtueshëm dhe të pesticideve të pashëndetshme.

Përdorimi i bishtajoreve çon në përmirësimin cilësor dhe sasior të rendimentit si dhe në rritjen e të ardhurave të familjeve fermere.

Rritja e përdorimit të bishtajoreve kokërr në bujqësi është me rëndësi thelbësore për të ruajtur agrobiodiversitetin dhe për të siguruar fitime gjenetike, në mënyrë që në të ardhmen, të jemi në gjendje të përballojnë ndikimet intensifikuese të ndryshimit të klimës. Një gjë e tillë kërkon edhe mbështetjen e politikave kombëtare që nuk duhet të mbështesin vetëm praktikën e përdorimit të “vetëm fara importi të avancuara”, por të inkurajojnë rritjen e zinxhirit të vlerave të produkteve vendase nëpërmjet përdorimit të bimëve bishtajore.

IRGJB do të lehtësojë vështirësitë për fermerët në gjetjen e farave të përshtatura me kushtet lokale të tyre dhe kërkesat e industrisë ushqimore me çmime të përballueshme. Për të përmbushur kërkesën në rritje për alternativa të shëndetshme dhe miqësore me mjedisin për proteina dhe mish në vend, IRGJB, me mbështetjen e UBT dhe të partnerëve të tjerë në vend, do të bashkëpunojë për të rritur përdorimin e qiqrave, fasuleve të zakonshme, thjerrëzave, bizeleve, etj., përmes fenotipizimit, gjenotipizimit dhe lokalizimit hartografik të germoplazmës së bishtajoreve që ruhen në Bankën Gjenetike Shqiptare.

Larmia e kushteve në të cilat kultivohen bishtajoret, shoqërohet me gamë të gjerë diversiteti produktesh, me preferenca shumë specifike lokale për specie dhe varietete të veçantë, ku forma, madhësia dhe ngjyrat e farës i kanë komplikuar përpjekjet e shpejta në përmirësimin e tyre.

Materiali gjenetik i bimëve bishtajore përfaqësuar më shumë nga fasulet dhe disa të afërm të egër të ruajtur në Bankën Gjenetike Shqiptare dhe në Qendrat e Transferimit të Teknologjive Bujqësore, përfaqëson një investim të mirë në lidhje me rezervat e përshtatshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike.
Këto resurse gjenetike, me vlera të mëdha potenciale ndaj ndryshimeve klimatike, janë lirisht të disponueshme për kërkime, për mbarështime dhe përdorim për ushqimin dhe bujqësinë. Me fjalë të tjera, këto tipare të nevojshme për përshtatje me skenarët e ardhshëm të klimës mund të jenë të pranishme në rezervuarin e gjeneve që ruhen në bankën gjenetike.

Prof. Dr. Belul Gixhari
Instituti i Resurseve Gjenetike të Bimëve, UBT.

Na Ndiqni në: