Ulliri autokton “KANINJOT”

Ulliri, si specie bimore në Shqipëri, është i vjetër si në të gjithë Mesdheun. Kultivimi i ullirit dhe ullishtaria në tërësi, kurdoherë kanë qenë drejtimi bazë ose themel për çdo sistem bujqësor të politikave zhvillimore të vendit, për arsye ekonomike, sociale dhe kulturore.

Në planin social, ullishtaria ka zvogëluar eksodin rural dhe ka qenë indeks i mirëqënies dhe civilizimit. Ullishtaria zë pothuajse 12% të tokës bujqësore dhe administrohet në formën private nga 48 mijë ferma. Vendi ynë ka diversitet të madh gjenetik. Pasuria gjenetike e ullirit përbëhet prej rreth 170 aksesionesh (gjenotipe).

Më të rëndësishëm janë: 104 gjenotipe Olea europaea L. ssp sativa, 21 gjenotipe Olea europaea L. ssp oleaster, 6 gjenotipe Olea europaea L. ssp.  sylvestris. Origjina e genotipeve kryesore me vlera përdorimi, vjen prej species Olea europaea L.ssp sativa, gjenotipe me popullata sporadike prej përmirësimit të vazhdueshëm të Olea europaea L. ssp oleaster. Ullishtaria përbëhet prej 14 kultivarësh kryesorë autoktonë, të cilët zënë 82% të sipërfaqes së përgjithshme dedikuar bujqësisë dhe ku vetëm kultivari Kaninjot zë 45%.

Ky kultivar njihet ndryshe me emrin ‘’Olea europaea L. ssp.sattiva’’. Sinonime të tij janë Kalinjot e Ulli Kanine. Origjina e këtij ulliri është Kanina ku vlerësohet të ketë një popullatë  të madhe. Pema e këtij kultivari ka cilësi të tilla si; e fuqishme, kurorë me degë të hapura, anësore dhe vertikale. Edhe degëzat e kësaj peme janë të fuqishme e të dendura ndërsa ka një kurorë  konike. Disa forma kanë tendencë vertikale.

Gjethja e ullirit autokton ‘’kaninjot” ka  formë  eliptike. Ato janë të gjata (L=6 dhe të gjera (l=13). Kanë  ngjyrë jeshile të hapur në faqen e sipërme dhe të hirtë-argjendi në faqen e poshtme. Lulja:

Kjo pemë njihet për lulëzim të bollshëm ndërsa lulet hapen në javën e tretë të muajit maj. Kranthi është i gjatë 35mm dhe ka mesatarisht 18 lule. Është pjesërisht autofertil, abort i vezorit (18%).

Fruti i kësaj peme ka formë sferike, lehtësisht oval. Me një gjatësi mesatare (D=21.7), fruti ka 26-28% vaj. Piqet në muajin dhjetor dhe dallohet për një pjekje të vonshme dhe të shkallëzuar. Rezistenca e lidhjes së bishtit cilësohet mesatare.  Karakteristika teknologjike të ullirit kaninjot janë; rendiment të lartë vaji (27-28), prodhon vaj të cilësisë  maksimale, ka prodhim periodik dhe aftësi maksimale rrënjëzimi. Është një kultivar   me   qëndrueshmëri   ndaj të ftohtit, i ndjeshëm ndaj Pseudomonas dhe Cycloconium dhe mesatar ndaj Bractoceras.  Sigurisht nëse flasim për ullirin kaninjot, mund të përmendim përdorimin e tij të gjerë si vaj tryeze. Ky kultivar ka 27-28% vaj dhe është i përhapur masivisht në Vlorë, Sarandë, Delvinë, Mallakastër, Fier, Lushnjë, etj.

 

Prof. As. Dr. Adriatik ÇAKALLI
Përgjegjës për Rigjenerim-Shtimin e drufrutoreve, Instituti i Resurseve Gjenetike, UBT.

Na Ndiqni në: