Emocione dhe ndjesi pozitive përcolli pak ditë më parë vlerësimi me titullin “Doctor Honoris Causa’’ i Dr. Ndue Kanarit, nderim i dhënë nga Universiteti Bujqësor i Tiranës me rastin e 70-vjetorit të këtij universiteti. Në praninë e dhjetëra njerëzve, profesorë e staf akademik të UBT-së, anëtarë të Senatit Akademik të këtij universiteti, familjarë e të afërm, u zhvillua ceremonia e ndarjes së titujve akademikë dhe titujve të nderit për disa personalitete të sektorit të bujqësisë, ndër të cilët edhe për dr. Ndue Kanarin. Dhënia e titullit “Doctor Honoris Causa” për shkencëtarin Ndue Kanari, një propozim ky i Prof. Dr. Seit Shallari dhe miratuar nga Senati Akademik i UBT-së.
Dr. Kanari, një figurë e shquar në vend dhe jashtë tij, veçanërisht në University of Lorraine, Francë ku ka dhënë një kontribut të madh akademik dhe shkencor. Ai është është nderuar nga organizatat shkencore më prestigjioze ndërkombëtare me “The International Award” nga web of Science and Publons (2019); me 2 çmime të tjera nga “The International Certificate of Excellence nga Elsevier“ (2013 dhe 2016); me ‘’The International Award Scientific and Technological Innovation” nga Alpha Recyclage-WasteEng12 si dhe me “Science Award’ nga TMS-Minerals, Metals & Materials Society, USA” (2001).
Për të mbajti një fjalë përshëndetëse edhe Prof. Dr. Sulejman Sulçe si edhe Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku.
I pranishëm në sallë, prof. Kanari pas akordimit të titullit tha i emocionuar se ky ishte titulli më i bukur e më me vlerë i fituar deri tani dhe një thesar për të. Edhe pse është vlerësuar shumë herë gjatë jetës së tij për kontributin e dhënë dhe sukseset e arritura gjatë karrierës së tij, Kanari tha se emocionet më të mëdha i përjetoi më dhënien e këtij çmimi nga UBT.
Ndue KANARI është autor i dy patentave të njohura në nivel ndërkombëtar në fushën e ferrateve. Kontributi i tij shkencor ka të bëjë me një inovacion të procesit të sintezës dhe rritjes së stabilitetit të jonit ferrat [FeO4]2-. E ashtuquajtura “metoda Kanari” është e thjeshtë dhe unike, me kosto të ulët dhe e pa njohur më parë në fushën e sintezës së ferrateve.
Kanari është autor i qindra publikimeve shkencore dhe pjesëmarrës në konferenca internacionale; autor i dhjetëra raporteve shkencore, oponent i qindra artikujve, editor i ftuar i revistës “Materials”-MDPI dhe oponent i rreth 30 revistave më të njohura shkencore ndërkombëtare.
Studimet dhe eksperimentimet e tij kanë fituar shumë popullaritet pas një sërë hulumtimesh dhe arritjesh në fushën e sintezës së ferrat-it (eve) të metaleve alkaline. Joni ferrat [Fe6+O4]2- kimikisht është pak i qëndrueshëm por përmban hekurin në valencën e tij të rrallë dhe pak të njohur Fe6+ (zakonisht hekuri është në gjendje valence Fe°, Fe2+ dhe Fe3+), por sinteza e ferrateve (Fe6+) me metoda klasike është e komplikuar dhe ka rendiment të ulët.
Ndue Kanari vazhdon të kontribuojë edhe për menaxhimin e mbetjeve industriale dhe rikuperimin e metaleve me vlerë sipas një plani strategjik të fokusuar tek: (i) trajtimi i mbetjeve dhe stoqeve historike; (ii) ndërhyrja në skemat teknologjike për të përpunuar mbetjet brenda procesit; (iii) konceptimin e proceseve të reja për të tentuar drejt proceseve të pastra me të ashtuquajtura “zero” mbetje industriale.
Ai vazhdon aktivitetin e tij shkencor në Universitetin e Lorenës si “Senior Researcher” në laboratorin e njohur “GeoRessources”.