Ministrja Muzhaqi takim me studentet/ët e UBT në kuadër të hartimit të strategjisë për të rinjtë.

Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët u ndal sot në një vizitë në ambientet e Universitetit Bujqësor të Tiranës ku zhvilloi një takim më dhjetëra të rinj e të reja, student/ë të këtij universitetit. Në kuadër të hartimit të një strategjie për rininë dhe fëmijët, ministrja Muzhaqi zgjodhi të diskutonte me studentë të UBT-së për të dëgjuar drejtpërdrejtë prej tyre shqetësimet që kanë, problemet me të cilat përballen aktualisht, çfarë kërkojnë prej qeverisë për t’ua lehtësuar mësimnxënien e për  t’i ndihmuar ata të përballen sa më lehtë me tregun e punës, çfarë mangësish kanë në auditore dhe ç’mund të bëhet më tepër për të patur një sistem arsimor sa më efikas dhe në dobi të studenteve/ëve por edhe të mbarë shoqërisë.

Sipas ministres Muzhaqi, 5 janë shtyllat kryesore për të cilat qeveria mendon se janë më të rëndësishme për rininë, ndaj ajo zgjodhi të ndalej e të diskutonte për to specifikisht si; punësimi, arsimi, aktiivtetet sociale dhe vullnetarizimi etj.

Diskutimi i sotëm pati në vëmendje totalisht studentët ndaj dhe ministrja mendoi ta organizonte këtë takim duke i dhënë zë kryesor të rinjve e të rejave të pranishëm. Këta të fundit zunë vend në panelin e diskutantëve dhe titullarja e MSHRF zuri vend në radhët e studentëve të tjerë në auditor për të dëgjuar e për të shënuar çdo ankesë apo shqetësim të tyre.

Ky takim interaktiv nxorri në pah disa nga problematikat me të cilat përballen studentet/ët të tilla si: mungesa e praktikave për degë të profileve të ndryshme, mungesa e pajisjeve dhe hapësirave laboratorike, domosdoshmërinë e krijimit të mundësive më të mëdha për punësim, penalizimi për shkak të mungesës së eksperiencës (për të aplikuar në pozicione të ndryshme pune), vëmendje më e madhe sektorit të pyjeve (për vetë rëndësinë e madhe që ka ky sektor) dhe t’i jepet përparësi disa degëve që rrezikojnë të mbyllen, problematikat që hasen në lidhje me bazën materiale, mungesat e hasura në fushën e kërkimit shkencor pas diplomimit, të mundësohet infrastruktura e duhur për të lehtësuar udhëtimin për në universitet, tarifa më të ulta shkollimi, funksionimin real të kartës së studentit (duke përfshirë shërbime shëndetësore, akses në institucione të ndryshme, ulje të çmimit të aboneve apo për studentët jashtë Tiranës, etj), pasurimin e bibliotekës me literaturën më të fundit, etj.

Ndërkaq ministrja Muzhaqi tha se të tjera takime do të pasojnë për të siguruar kështu një panoramë më të plotë por edhe më të detajuar në lidhje me atë se çfarë e shqetëson rininë e sotme dhe ç’mund të bëhet për tua përmirësuar jetën çdo të riu e të reje, çdo studenti e studenteje. Ajo u bëri me dije gjithashtu të rinjve të pranishëm në takim se ekziston një mundësi e mirë për ata që ende nuk e dinë, dhe mund të aplikojnë për të kryer praktika të ndryshme e ku në sajë të performancës së mirë, më pas mund të integrohen plotësisht në vende të ndryshme pune. Bëhet fjalë për Programin Kombëtar të Praktikave të Punës ku nuk kërkohet kriteri i të paturit eksperiencë pune.  Në të mund të kryhen 3 muaj praktikë e më pas (duke patur parasysh performancën) të rinjtë mund të punojnë në institucione të ndryshme shtetërore por edhe në sektorin privat.

Na Ndiqni në: