Strategjia e Re e BE-së për Biodiversitetin 2030

Bashkimi Evropian synon të jetë kontribues në dobi të klimës deri në vitin 2050 nëpërmjet një sërë nismash që përfshihen në Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane. Një nga shtyllat e kësaj marrëveshjeje është Strategjia e BE-së për Biodiversitetin 2030. Strategjia është një një plan veprimi gjithëpërfshirës, ambicioz dhe afatgjatë për të mbrojtur natyrën dhe për të shmangur degradimin e ekosistemeve. Me këtë instrument të ri, BE-ja ka hedhur themelet për kontributin e saj në negociatat e ardhshme ndërkombëtare të zhvilluara nga Kombet e Bashkuara për kuadrin global të biodiversitetit pas vitit 2020.

Në 40 vitet e fundit, biodiversiteti i pranishëm në planetin tonë është reduktuar me 60% për shkak të aktiviteteve njerëzore. Ndër arsyet kryesore gjejmë zgjerimin e zonave urbane si pasojë e mbindërtimeve;shfrytëzimin e tepruar të burimeve natyrore, përfshirë peshkimin dhe bujqësinë; ndryshimet klimatike, si dhe speciet e huaja pushtuese. Ka dëshmi të qarta se disa faktorë demografikë dhe ekonomikë e bëjnë shoqërinë tonë më të cenueshme. Pandemi, si ajo e Covid-19, na kanëbërë të kuptojmë lidhjet delikate që ekzistojnë midis shëndetit tonë dhe shëndetit të ekosistemeve, duke demonstruar kështu nevojën për të adoptuar zinxhirë të qëndrueshëm të furnizimit dhe mënyra të reja të konsumit. Funksionimi i mirë i ekosistemeve, mbrojtja dhe restaurimi i biodiversitetit, ndihmojnë në parandalimin e përhapjes së sëmundjeve në të ardhmen. Biodiversiteti është thelbësor për ruajtjen e sigurisë ushqimore në vendet e BE-së dhe të gjithë planetin, dhe varfërimi i tij përbën një kërcënim për sistemet ushqimore. Për më tepër, biodiversiteti qëndron në themel të dietave të shëndetshme; ai përmirëson jetesën e njerëve në zonat rurale dhe produktivitetin bujqësor. Mbrojtja e biodiversitetit është gjithashtu e një rëndësie të vecantë për aspektin ekonomik dhe mjedisor. Humbja e biodiversitetit,vjen nga shkatërrimi i specieve, burimeve gjenetike bimore e shtazore dhe ekosistemeve, konsiderohet një kërcënim për zhvillimin global, sigurinë dhe prosperitetin ekonomik.

Gjatë takimit të Forumit Ekonomik Botëror në Davos në vitin 2019, u prezantua Raporti i Riskut Global me disa vlerësime që tregojnë se 42 trilionë dollarë, pra rreth dy të tretat e PBB-së globale, varen nga kontributi i natyrës në formën e ushqimit, ujit, etj. Rreziqet që lidhen me humbjen e biodiversitetit dhe kolapsin e ekosistemeve, megjithëse të nënvlerësuara nga sipërmarrësit globalë sipas një studimi të fundit që identifikon tendencat dhe modelet kryesore në ekonominë globale, duket se janë më të mundshme dhe potencialisht më të dëmshme se shumica e kërcënimeve të tjera globale. Investimet në ruajtjen e kapitalit natyror dhe rrjedhimisht të burimeve që e përbëjnë atë, në veçanti tokës dhe ujit, si dhe restaurimi i habitateve, janë sot piketa të qarta drejt të cilave duhet të drejtohen politikat mjedisore, pasi ato ofrojnë një nivel të lartë ekonomik dhe kanë një ndikim pozitiv mbi klimën. Strategjia e re e Biodiversitetit përcakton se si BE mund të kontribuojë në arritjen e këtij objektivi, me qëllimin parësor për të rikthyer biodiversitetin në Evropë dhe për rimëkëmbjen e tij deri në vitin 2030, në të mirë të njerëzve, planetit, klimës dhe ekonomisë, në përputhje me Axhendën 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Objektivat e Marrëveshjes së Parisit për ndryshimet klimatike. Strategjia përmban shumë angazhime dhe masa konkrete që do të zbatohen deri në vitin 2030, të cilat shkurtimisht jepennë nëntë pikat e mëposhtme:

1. Një rrjet trans-evropian i zonave të mbrojtura, që synon krijimin e një rrjeti evropian të zonave të mbrojtura, në tokë dhe në det, me mbrojtje rigoroze të zonave me biodiversitet dhe vlerë klimatike shumë të lartë, si dhe një rrjet natyror trans-evropian me korridore ekologjike, meobjektiva dhe masa të qarta ruajtjeje dhe monitorimi. Në këtëkontekst, Shqipëria kohët e fundit ka bërë progres të konsiderueshëm në zgjerimin e rrjetit të zonave të mbrojtura nga 5.2% të territorit të vendit në 2005, në 16% të territorit në 2014. Sot, 799 zonat e mbrojtura përbëjnë rreth 18% (5,263 km²) të territorit.  Shumica e tyre është e përcaktuar në kategorinë Monument natyre (747) dhe shumica janë të vogla për nga madhësia.
2. Vlerësimi i natyrës dhe tokës bujqësore. Marrja e  masave për reduktimin e përdorimit të pesticideve; alokimi i 10% të sipërfaqeve bujqësore për elementë karakteristikë të peizazhit me diversitet të lartë; mbështetja e masave që lehtësojnë ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të kulturave dhe varieteteve tradicionale.
3. Kufizimi i përdorimit të tokës. Mbrojtja e pyjeve bazë dhe atryre antike, rritja e shtrirjes së zonave pyjeve, përmirësimi i cilësisë dhe bërja e tyre më elastike ndaj zjarreve, thatësirave, organizmave të dëmshëm, sëmundjeve dhe kërcënimeve të tjera, përmes një strategjie pyjore.
4. Rivendosja e ekosistemeve të degraduara. Për zonat e mbrojtura detare, masat e menaxhimit të peshkimit duhet të vendosen konformobjektivave të përcaktuara qartë dhe këshillave shkencore për ruajtjen e tyre. Mbeshtetja në shkallë të gjerë e investimeve për restaurimin e lumenjve dhe zonave të përmbytura, të cilat mund të nxisin restaurimin lokal dhe aktivitetet socio-ekonomike, duke përmirësuar rregullimin e ujit, habitatet dhe reduktimin e ndotjeve.
5. Gjelbërimi i zonave urbane dhe periurbane. Parqet dhe kopshtet, çatitë e gjelbra dhe kopshtet me perime janë hapësira të gjelbra urbane që ofrojnë përfitime dhe mundësi të shumta për njerëzit, bizneset, florën dhe faunën. Ato reduktojnë ndotjen, nxisin elasticitetin dhe lidhjen e njeriut me natyrën.
6. Lufe vazhdueshme ndaj specieve huaja pushtuese. Speciet aliene pushtuese mund të minojnë përpjekjet për të mbrojtur dhe rivendosur natyrën dhe të shkaktojnë dëme në ekonomi.
7. Zgjidhjet inovative për prodhimin e energjisë elektrike. BE-ja do t’i japë përparësi zgjidhjeve me shumë pozitive si: energjia detare apoenergjia e erës në det, cilat lejojnë rigjenerimin e rezervave të peshkut, parqet diellore me mbulim tokësor që respekton biodiversitetin dhe bioenergjinë e qëndrueshme. Direktiva evropiane e rishikuar e Energjisë së Rinovueshme përmban kritere më të rrepta të qëndrueshmërisë dhe promovon kalimin në biokarburantet e avancuara bazuar në mbetjet e papërdorshme dhe të riciklueshme. Komisioni evropian do të zhvillojë udhëzime operacionale mbi kriteret e reja të qëndrueshmërisë për biomasën pyjore të përdorur për prodhimin e energjisë.
8. Krijimi i një sistemi menaxhimi e qeverisjeje dhe një qasje të integruar që përfshin të gjithë aktorët e BE-së. Komisioni do të prezantojë një kornizë të re evropiane për qeverisjen e biodiversitetit, e cila do të ndihmojë në hartimin e detyrimeve, angazhimeve dhe përgatitjen e udhërrëfyesve. Komisioni do të paraqesë një iniciativë të re për qeverisjen e qëndrueshme dhe kujdesin e duhur; programet dhe instrumentet e investimeve dhe të financimit publik e privat.
9. Ndikimi i qeverisjes ndërkombëtare nëpërmjet institucioneve dhe politikave tregtare. Komisioni propozon që BE-ja të sigurojë përfshirjen në kuadrin global pas 2020 të synimeve globale për vitin 2050 dhe objektivave për vitin 2030; do të jetë e nevojshme të lehtësohet përfundimi i një marrëveshjeje për përcaktimin e tre zonave të mbrojtura detare në Oqeanin Antarktik. Politika tregtare e BE-së do të mbështesë në mënyrë aktive dhe do të jetë pjesë integrale e tranzicionit ekologjik.

Sigurisht që nuk mungojnë çështjet kritike. Kompleksiteti strukturor i kornizës evropiane të vendimmarrjes mund ta bëjë procesin e miratimit të vështirë dhe të ngadalshëm. Diversiteti i sektorëve, rajoneve dhe angazhimeve individuale shteteve anëtare do të merret parasysh. Do të jetë e nevojshme të gjendet një rezultante ndërmjet pozicioneve të shteteve të ndryshme anëtare, palëve të interesuara dhe qytetarëve me të drejtat e tyre. Por do të jetë e dobishme për të gjithë: Marrëveshja e Gjelbër dhe Strategjia e Biodiversitetit për vitin 2030 janë sigurisht një mundësi dhe krijojnë kushtet për ndryshime që do të sigurojnë mirëqenien dhe prosperitetin e qëndrueshëm ekonomik të brezave të tanishëm dhe atyre të ardhshëm.

Përgatiti

Prof. Dr. Sokrat Jani

Instituti i Resurseve Gjenetike të Bimëve, UBTiranë

Shto Koment

Na Ndiqni në: