12019 - www.pixabay.com

Shqipëria me sistem informacioni për pyjet

Mbyllet Projekti i Shërbimeve Mjedisore në vend.

Shqipëria ka tashmë kadastrën digjitale me të dhëna për pyjet dhe kullotat, një sistem elektronik që do të ketë si përdorues Fakultetin e Shkencave Pyjore në UBT dhe ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit.

Një risi e tillë u mundësua pas përfundimit me sukses të Projektit të Shërbimeve Mjedisore (PSHM) që nisi zbatimin në vitin 2015 nga Ministria e Mjedisit, me objektiv bazë mbështetjen e praktikave të qëndrueshme të menaxhimit të tokës dhe nëpërmjet tyre rritjen e përfitimeve monetare dhe jomonetare për komunitetet në zona të caktuara të projektit, që shtrihen kryesisht në zona të larta malore që preken nga erozioni.

Krahas ngritjes së Sistemit Shqiptar të Informacionit për Pyjet (AlFIS), ky projekt kishte për qëllim gjithashtu edhe forcimin e kapaciteteve institucionale për zbatimin e inventarit kombëtar të pyjeve dhe kullotave; regjistrimin e pyjeve dhe kullotave të cilat i janë transferuar njësive të qeverisjes lokale; planifikimin dhe ofrimin e nëngranteve për përmirësimin e menaxhimit të tokës, etj. Gjithashtu në kuadër të PSHM-së janë bërë studime shkencore me objektiv prezantimin e mekanizmave të pagesave për shërbimet mjedisore ose thënë ndryshe, ata që përfitojnë nga shërbimet mjedisore duhet të paguajnë për ofruesit e këtyre shërbimeve. Nga zbatimi i Projektit të Shërbimeve Mjedisore përveçse tashmë ekziston një kadastër elektronike e pyjeve dhe kullotave në vendin tonë, ka gjithashtu një terren më të qartë e të plotë për përthithjen e fondeve të ndryshme që vijnë nga Bashkimi Europian në fushën e mjedisit, pyjeve dhe administrimit të tokave. Po kështu kjo kadastër shërben si një udhërrëfyes i mirë për hartimin dhe zbatimin e politikave mjedisore, ripërtëritjen e pyjeve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale.

 

Burimi: www.panorama.com.al

Na Ndiqni në: