Photo credit - www.cbd.int

“Ne jemi pjesë e zgjidhjes”, tema e 22 majit, Ditës Ndërkombëtare së Diversitetit Biologjik 2021

22 Maji, Dita Ndërkombëtare e Biodiversitetit (IDB) shpallur e tillë nga Kombet e Bashkuara ka si qëllim të rrisë edhe më tepër mirëkuptimin dhe ndërgjegjësimin për çështje të biodiversitetit.  Kjo ditë synon jo vetëm të rrisë ndërgjegjësimin por edhe të përmirësojë vlerësimin e çështjeve të biodiversitetit. Slogani apo tema e këtij viti për këtë ditë është “Ne jemi pjesë e zgjidhjes”. Biodiversiteti luan një rol shumë të rëndësishëm në ruajtjen e balancës në tokë. Është themeli i shërbimeve të ekosistemit me të cilin mirëqenia njerëzore është e lidhur ngushtë. E gjithë larmia e kafshëve, bimëve, kërpudhave, madje edhe e mikroorganizmave si bakteret, përbëjnë botën tonë natyrore. Secila prej këtyre specieve dhe organizmave punon së bashku në ekosistem, si një rrjet i ndërlikuar, për të ruajtur ekuilibrin dhe për të mbështetur jetën. Nëse njëri prej tyre zhduket, atëherë edhe të tjerët do të fillojnë të rrezikohen. Organizmat ndërkombëtarë saktësojnë se kur biodiversiteti ka një problem, edhe njerëzimi ka një problem. Burimet e diversitetit biologjik janë shtyllat mbi të cilat ndërtojmë civilizimin, ndaj problemet me biodiversitetin na kërcënojnë të gjithëve ne, përfshirë edhe shëndetin tonë. Është vërtetuar se humbja e biodiversitetit mund të shtojë zoonozat, sëmundjet e transmetuara nga kafshët tek njerëzit dhe nga ana tjetër, nëse e ruajmë dhe e mbajmë të paprekur biodiversitetin, ai mund të ofrojë mjete dhe mënyra të shkëlqyera për të luftuar kundër pandemive siç janë ato të shkaktuara nga koronaviruset.

Kur u  krijua për herë të parë nga Komiteti i Dytë i Asamblesë së Përgjithshme të OKB në fund të 1993, 29 dhjetori (data e hyrjes në fuqi e Konventës së Diveristetit Biologjik) u caktua si dita Ndërkombëtare e Diversitetit Biologjik. Në dhjetor të vitit 2000, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së përcaktoi 22 majin si IDB, Dita Ndërkombëtare e Biodiversitetit për të të përkujtuar miratimin e tekstit të Konventës më 22 maj 1992 nga akti përfundimtar i konferencës së Nairobit për tekstin e dakordësuar të Konventës mbi Diversitetin Biologjik. Ky hap ishte i pjesshëm sepse ishte e vështirë për shumë vende të planifikonin dhe të kryenin festime të përshtatshme për datën 29 Dhjetor, duke pasur parasysh një sërë festash që përkojnë me këtë periudhë të vitit.

Vitin e kaluar tema e kësaj dite ishte “Zgjidhjet tona janë në natyrë”, duke theksuar shpresën, solidaritetin dhe rëndësinë e bashkëpunimit në çdo gjë për të ndërtuar të ardhmen në harmoni me natyrën. “Ruajtja dhe administrimi i qëndrueshëm i biodiversitetit është i nevojshëm për të lehtësuar prishjen e klimës, duke garantuar sigurinë e ujit dhe ushqimit dhe madje edhe parandalimin e pandemive”, theksoi António Guterres, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, në kuadër të kësaj dite.

Na Ndiqni në: