Shënime shpjeguese për raportimin financiar në Shqipëri

Shënime shpjeguese për raportimin financiar në Shqipëri

Raportimi financiar është mënyra kryesore dhe më e saktë për të siguruar informacion të vlefshëm ekonomik në vendimmarrje, duke i shërbyer si përdoruesve të brendshëm dhe atyre të jashtëm. Në bazë të ligjeve në fuqi është detyrim i çdo subjekti që të përgatisë dhe të publikojë pasqyrat financiare brenda afateve të përcakturara. Në bazë të madhësisë së njësisë ekonomike detyrimi mbi formatin e pasqyrave financiare varion si më poshtë:

  • Për njësitë mikro, minimalisht duhen raportuar një pasqyrë pozicioni të thjeshtuar, pasqyra e të ardhurave dhe shpenzimeve të thjeshtuara dhe shënimet shpjeguese.
  • Për njësitë e vogla, minimalisht duhen paraqitur pasqyra e pozicionit financiar, pasqyra e performancës dhe shënimet shpjeguese.
  • Për njësitë e mesme e të mëdha duhet pasqyra e të ardhurave gjithëpërfshirëse, pasqyra e flukseve monetare dhe pasqyra e ndryshimeve në kapitalet e veta dhe shënimet shpjeguese.

Pasqyrat financiare duke u bazuar në standarte duhet të jenë sa më transparente dhe të zhveshura nga të dhënat e tepërta për t’i bërë sa më të lexueshme. Shënimet shpjeguese janë pjesë integrale e pasqyrave financiare të cilat nuk shërbejnë vetëm për shpjegimet e pasqyrave kryesore financiare.

 

Pasqyrat për raportin financiar janë:

  1. Pasqyra e pozicionit financiar
  2. Pasqyra e të ardhurave gjithëpërfshirëse
  3. Pasqyra e lëvizjes së parasë
  4. Pasqyra e ndryshimeve në kapitalin e vet dhe shënimet shpjeguese.

Këto pasqyra duhet të përmbushin disa kushte bazuar në Standartet Kombëtare të Kontabilitetit (SKK).

 

Sipas SKK1, pasqyrat financiare japin një pamje të vërtetë e të drejtë të pozicionit financiar, performancës financiare dhe fluksit të parasë së njësisë ekonomike raportuese, vetëm dhe vetëm nëse (a) ato janë të sakta e të plota në pasqyrimin e përmbajtjes së ngjarjeve ekonomike; (b) përgatitja e tyre bazohet në vlerësime të arsyeshme e të bazuara (në rastet kur vlerësimet janë të domosdoshme); (c) shënimet në pasqyrat financiare janë përgatitur me detaje të mjaftueshme për të dhënë një pamje të përgjithshme të pozicionit financiar, performancës financiare dhe fluksit të parasë të një njësie ekonomike raportuese, në mënyrë të tillë që lexuesit kompetentë të mund të nxjerrin konkluzione të arsyeshme.

 

Sipas SKK1, parimi i kuptueshmërisë parashikon që informacioni në pasqyrat financiare duhet të paraqitet në mënyrë të tillë që ai të jetë informues dhe pa ekuivok, për ata përdorues të pasqyrave financiare që kanë njohuri të mjaftueshme në fushën e kontabilitetit, për të kuptuar pasqyrat financiare. Ndërsa në paragrafin 75 të po këtij standarti theksohet që informacioni në lidhje me zërat dhe transaksionet materiale, do të shpjegohet më vete në shënimet e pasqyrave financiare.

 

Kështu shënimet shpjeguese marin një rol të rëndësishëm në përmbushjen e qëllimit kryesor të pasqyrave financiare që është dhënia e një paraqitjeje të vërtetë e të drejtë të pozicionit financiar, performancës financiare dhe fluksit të parasë të njësisë ekonomike raportuese.

 

Në SKK 2 parashtrohen informacionet që duhet të plotësojnë shënimet shpjeguese:

  • Kuadrin kontabël të aplikuar, d.m.th. Standardet Kombëtare të Kontabilitetit të Shqipërisë
  • Përshkrimin e politikave kryesore kontabël, të përdorura për përgatitjen e pasqyrave financiare
  • Informacion shtesë mbi zërat materialë, të paraqitur në pasqyrat parësore dhe ndryshimet e tyre gjatë periudhës kontabël
  • Informacion tjetër të nevojshëm për një paraqitje të vërtetë e të besueshme të pozicionit financiar, performancës financiare dhe fluksit të parasë së njësisë ekonomike raportuese (për shembull, pasivet e mundshme, transaksionet me palët e lidhura, ngjarjet që kanë ndodhur pas datës së bilancit)

 

Shënimet shpjeguese të pasqyrave financiare do të paraqiten në mënyrë sistematike, për shembull sipas renditjes së mëposhtme: (a) politikat kontabël; (b) shënimet që shpjegojnë zërat e pasqyrave kryesore (preferohet në të njëjtin rend, si rendi i zërave në pasqyrat kryesore); (c) shënime të tjera shpjeguese.

 

Gjithashtu sipas Ligjit nr.25/2018 “Për Kontabilitetin dhe Pasqyrat Financiare”, njësitë ekonomike, subjekt i këtij ligji, me përjashtim të rasteve të parashikuara në pikat 2 dhe 3 të këtij neni, duhet të zbatojnë SKK-të për hartimin e pasqyrave financiare. Shënimet shpjeguese janë pjesë e kërkuar për çdo njësi ekonomike, mikro apo njësi e madhe. Ligji përcakton që njësitë ekonomike duhet:

  • të paraqesin edhe numrin mesatar të punëmarrësve gjatë periudhës raportuese.
  • të paraqesin: a) shumën e pagave që u jepet për periudhën raportuese anëtarëve të organeve ekzekutive, drejtuese dhe mbikqyrëse, për shkak të përgjegjësive të tyre dhe çdo angazhim që lind ose merret përsipër në lidhje me pensionet e ish-anëtarëve të këtyre organeve, duke treguar shumën gjithsej për çdo kategori të organit, nëse dhënia e këtij informacioni nuk do të bënte që të identifikohej gjendja financiare e një anëtari konkret të një organi të tillë; b) numrin mesatar të punëmarrësve gjatë periudhës raportuese, të zbërthyer sipas kategorive dhe nëse nuk janë paraqitur më vete në pasqyrën e të ardhurave dhe shpenzimeve, kostot e personelit në lidhje me periudhën raportuese, të zbërthyera sipas pagave, kostove të sigurimeve shoqërore dhe kostove të pensionit; c) emrin dhe selinë për secilën prej njësive ekonomike, në të cilat njësia ekonomike, ose vetë ose përmes një personi që vepron në emër të tij, por për llogari të njësisë ekonomike, zotëron një interes në pjesëmarrje duke treguar përqindjen e kapitalit të zotëruar, shumën e kapitalit dhe rezervave dhe fitimin ose humbjen për periudhën më të fundit raportuese të njësisë ekonomike në fjalë për të cilën janë miratuar pasqyra financiare.
  • Njësitë ekonomike të mesme, të mëdha dhe ato me interes publik, përtej kërkesave të parashikuara në pikat 2 dhe 3, të këtij neni apo në standardet kontabël të aplikueshme, në shënimet shpjeguese duhet të paraqesin tarifat gjithsej për periudhën raportuese, të kërkuara nga secili auditues ligjor apo firmë auditimi lidhur me auditimin ligjor të pasqyrave financiare vjetore dhe tarifat gjithsej të kërkuara nga secili auditues ligjor ose firmë auditimi për shërbime të dhënies së sigurisë, për shërbime këshillimore tatimore dhe për shërbime të tjera joauditimi.

 

Duhet theksuar që ligji dhe standartet nuk sugjerojnë një format të përcaktuar mbi përpilimin e shënimeve shpjeguese, por sugjerohet të niset nga shpjegimi i zërave të pasqyrave kryesore. Për një efiçencë më të lartë të përdorimit të informacionit kontabël në vendimmarrjen financiare inkurajohet përfshirja e të dhënave që shkojnë përtej kërkesave bazë mbi shënimet shpjeguese, të tilla si: Analiza SËOT e njësisë ekonomike, objektivat, misioni, etj.

 MSc. Florinda Zherri

Departamenti Financë Kontabilitet, Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit, Universiteti Bujqësor i Tiranës

Na Ndiqni në: