Është e vështirë të besohet se mund të ekzistojë një familje e cila nuk konsumon në forma e metoda të ndryshme, qepën dhe varietetet e ndryshme të saj. Një ndër to, është edhe qepa e bardhë e Sukthit që i përket species “Allium cepa L”. ekspertët besojnë se origjina e saj është nga Italia.
Kjo lloj qepe mendohet të jetë mbjellë që në fillim të shekullit të 20-të në fermën e Sukthit, Durrës. Ajo kultivohet prej rreth 80-100 vjetësh në zonën e ulët e atë bregdetare. Nëse do ta përshkruajmë këtë kultivar, do të mësojmë se bulbi ka formë të rrumbullakët, plloçak nga ana e rrënjëve dhe eliptik nga ana e kërcellit. Diametri i bulbit është rreth 8-10 cm. Pesha mesatare e tij arrin rreth 200-300 g, por nuk përjashtohen rastet kur arrijnë deri 400 g.
Luspat e jashtme janë mesatarisht 2-3 dhe kanë ngjyrë të bardhë në krem. Luspat e brendshme kanë trashësi 4-5 mm, janë të lëngshme dhe me ngjyrë të bardhë qumështi. Bulbet përmbajnë rreth 90-92 % ujë. Ka shije të mire e gati në të ëmbël dhe për rrjedhojë konsumohet gjerësisht e freskët në sallata të ndryshme. Ato nuk ruhen për kohë të gjatë.
Qepa e bardhë e Sukthit tradicionalisht kultivohet me fidanë. Fara për prodhimin e fidanëve mbillet gjatë korrikut deri në fillim të gushtit. Fidanët mbillen në fushë gjatë periudhës shtator – tetor, në largësitë 20 x 15 – 20 cm. Prodhimi i qepës së njomë merret në periudhën shkurt-maj, kurse për qepë gjysmë të thatë, merret në qershor-korrik të vitit pasardhës.
Kjo lloj qepe ka një rendiment prej rreth 25 – 30 kv/dynym dhe është mesatarisht e qëndrueshme ndaj sëmundjeve por nuk ruhet për një kohë të gjatë.
Instituti i Resurseve Gjenetike