Profesorë italianë të Universitetit italian të Tuscia-s vizitë në UBT

Universiteti Bujqësor i Tiranës forcon bashkëpunimin me Universitetin e Tuscia-s

Një delegacion nga Universiteti i Tuscia-s, në Viterbo, Itali, kryesuar nga rektori i këtij universiteti u prit sot në ambientet e Universitetit Bujqësor të Tiranës nga rektori dhe stafi më i ngushtë drejtues i UBT-së.

Takimi i cili është i pari mes palëve i këtij lloji, kishte si synim gjetjen, krijimin dhe diskutimin e hapësirave të mundshme të bashkëpunimit ndërmjet dy IAL-ve, veçanërisht në mundësinë e programeve të përbashkëta të studimit në ciklin e dytë të studimeve Master të Shkencave duke synuar diploma të dyfishta, shkëmbimin e studentëve të Bachelor, të Masterit dhe Doktoratës, shkëmbimin e stafit akademik dhe atij ndihmës, në kuadër te Erasmus + program dhe gjithashtu projekteve të tjera.

Gjatë takimit miqësor mes dy delegacioneve akademike u artikuluan një sërë idesh dhe mendimesh konkrete për fushat e bashkëpunimit të tilla si kombinimi për kurset PhD të studentëve të të dy vendeve, bashkëpunimi në mësimdhënie sipas modelit “co-tutoring’’ (bashkë-mësimdhënie), shkëmbime për studentet/ët respektivë apo stafin akademik, zgjerimin e marrëdhënieve me palët e treta, zhvillimin e aktiviteteve më interes të përbashkët, ndërkombëtarizimi i marrëdhënieve në një spektër me të gjerë për të dy universitetet, pjesëmarrjen e përbashkët në projekte shkencore dhe kërkimore etj.

Në tryezën e bisedimeve u fol edhe për problematikat që kanë universitetet dhe për domosdoshmërinë e rritjes së kapaciteteve.

Rektori i Universitetit të Tuscia-s, Prof. Stefano Ubertini dhe ai I UBT-së, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku u dakordësuan në parim për fushat e bashkëpunimit të cilat do të konkretizohen në të ardhmen e afërt pasi të jenë diskutuar dhe formalizuar të gjitha teknikalitetet.

Në hyrje të takimit Prof. Sallaku i njohu miqtë italianë me disa të dhëna për UBT-në, sfidat dhe objektivat e këtij universiteti, për programet apo ciklet studimore, për fakultetet dhe njësitë e tjera përbërëse të tij. Ai u ndal në prezantimin e tij edhe në fokusin e universitetit ku përmendi tre shtyllat kryesore: mësimdhënien, kërkimin dhe ekstensionin e shërbimet për të tretët.

Rektori Sallaku foli edhe për objektivat e UBT-së në planin 10-vjeçar të tilla si; arritjen e standarteve më të larta në programet e studimit të ngjashme me ato të universiteteve të ngjashme në Europë apo transformimin e UBT-së në një Qendër Rajonale të Ekselencës, një lider në inovacion etj.

Në prezantimin e tij Prof. Sallaku u ndal edhe në disa alternativa të mundshme të bashkëpunimit mes UBT-së dhe Univ. të Tuscias-s në fushën e mësimdhënies dhe atë të kërkimit, etj.

Strategjia e zhvillimit të mëtejshëm të UBT-së, një nga aspiratat e shprehura nga Rektori Sallaku për të ardhmen e universitetit, gjithashtu ishte pjesë e prezantimit për delegacionin e profesorëve italianë.

Ndërkaq për potencialet e mundshme të bashkëpunimit mes UBT-së dhe Univ. të Tuscia-s thanë fjalën e tyre edhe anëtarët e delegacionit Italian të cilët ndër të tjera shtuan edhe bashkëpunimin në programet e përbashkëta ndërkombëtare, zhvillimin e praktikave të studentëve në vendet respektive (Shqipëri-Itali dhe anasjelltas), vizibilitet më të madh të aktiviteteve dhe shërbimeve qe ofrohen, programet studimore apo projektet kërkimore, shkollat verore, konferenca apo aktivitete të tjera.

Në kuadër të zhvilimit të aktiviteteve të ndryshme, veçanërisht atyre ndërkombëtare, Prof. Sallaku shfrytëzoi rastin për t’I ftuar miqtë të jenë të pranishëm në konferencën ndërkombëtare që UBT do të organizojë në nëntor dhe që përkon me 70-vjetorin e themelimit të këtij universiteti. Rektori i UBT-së përmendin edhe rolin e qeverisë në mbështetjen që kreu i kësaj të fundit po i jep në veçanti Universitetit Bujqësor të Tiranës.

Ndërkaq Rektori i Universitetit të Tuscias-s, Prof. Stefano Ubertini e cilësoi UBT-në si një partner strategjik ndaj theksoi se është i rëndësishëm bashkëpunimin me këtë universitet shqiptar.

Pas diskutimeve, delegacioni i akademikëve italianë shoqëruar nga homologët shqiptarë, vizituan disa nga ambientet e kampusit universitar.

Universiteti i Tuscia-s (Universiteti I Studimeve në Tuscia- UNITUS) ndodhet në Viterbo, Itali, rreth 100 km larg Romës dhe është i vetmi universitet ne Rajonin e Lazios i cili ka edhe bujqësinë si fushë të studimeve .

Ai është themeluar në 1979 dhe ka një histori të vjetër, ndërsa përbëhet nga 6 fakultete: ai i Bujqësisë, i Trashëgimisë kulturore, fakulteti I Ekonomisë, ai i Gjuhëve dhe Literaturës Moderne të Huaj, fakulteti i Matematikës, Fizikës dhe Shkencave të Natyrës dhe fakulteti i Shkencave Politike. Universiteti i Tuscia-s u përfaqësua në takimin e sotshëm nga Rektori i tij, zv/rektori, profesorë e drejtues të departamenteve të ndryshme të universitetit, përfaqësues të marrëdhënieve ndërkombëtare etj.

Na Ndiqni në: