Përfundoi punimet disa ditore konferenca shkencore për Bujqësinë dhe Shkencat e Jetës, organizuar në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Me një aktivitet të ngjeshur sesionesh shkencore u zhvillua edhe dita e dytë e punimeve të ICOALS 3, konferencë e cila nxorri në pah një sërë problematikash e sfidash me të cilat përballet bujqësia në ditët e sotme. U diskutua ndër të tjera për domosdoshmërinë e bashkëpunimit edhe më të ngushtë ndërmjet të gjithë aktorëve (qeverisë, strukturave lokale, ekspertë të fushave përkatëse, universiteteve specifike, fermerëve etj). U diskutua gjithashtu për nevojën e rinovimit dhe digjitalizimin e teknologjisë prodhuese, për nevojat që kanë fermerët, për mënyrat e përmirësimit të cilësisë së jetës në zonat rurale, për veprimet që duhen të ndërmerren në dhjetëvjeçarin e ardhshëm për të siguruar prodhim të qëndrueshëm të ushqimit, për reformat e përbashkëta në politikat bujqësore, për “Green Agenda” për ballkanin perëndimor , për strategjinë e BE për kërkimin dhe inovacionin bujqësor, për domosdoshmërinë e shtimit të fondeve për kërkuesit shkencorë; për situatën aktuale të sektorit të MAP-seve në vendin tonë, tendencat dhe sfidat për të ardhmen; për situatën aktuale, sfidat dhe të ardhmen e sistemit arsimor në shkencat bujqësore etj. Një sërë temash u trajtuan në sesionet shkencore ku morën pjesë personalitete të shquara të botës akademike në sektorin bujqësor. U diskutuan e u trajtuan problematika me të cilat përballet sektori në vend e më gjerë ku përfshiheshin edhe tema të tilla si: roli i mbështetjes gjermane për UBT dhe bujqësinë shqiptare në tërësi; shkencat bujqësore dhe teknologjitë e prodhimit; politikat e zhvillimit rural dhe strategjitë e menaxhimit të agrobiznesit; shkencat e mjedisit dhe menaxhimi i burimeve të qëndrueshme natyrore të burimeve pyjore; shkencat mjekësore dhe mirëqënia e kafshëve, siguria ushqimore dhe shëndeti publik, industria epeshkimit në vend, situata aktuale e BMA- në Shqipëri etj. Një sesion po aq i rëndësishëm, ishte edhe ai i dedikuar studenteve/ëve me temë “Hapat e parë të kërkimit mbi shkencat e jetës- kontributi i studentëve’’, ku protagonistët kryesorë ishin padyshim studentet/ët.
Konferenca shkencore organizuar nga UBT me mbështetjen e GIZ Albania, bëri bashkë që në sesionet e para të saj ministra, deputetë, ambasadorë, përfaqësues të Akademisë së Shkencave dhe nga Konferenca e Rektorëve, përfaqësues të njësive diplomatike në vend, staf akademik, specialistë e ekspertë të sektorit të bujqësisë, administratorë, përfaqësues nga sektori privat etj. Në të morën pjesë një sërë profesoreësh të huaj nga universitete të njohur nga vende të tilla si Italia, Vjena, Gjermania, Franca, Greqia, vende të rajonit etj.
Drejtuesit e UBT-së organizuan në ditën e fundit të konferencës edhe një vizitë turistike në disa qytete të Shqipërisë duke iu dhënë mundësinë edhe të ftuarve të huaj në ICOALS 3, të njihen me resurset që ofron vendi ynë.
Zhvillimi i ICOALS 3 përkoi edhe me 70-vjetorin e themelimit të Universitetit Buqjësor të Tiranë, festë me rastin e së cilës u ndërmorën një sërë aktivitetesh akademike në ambientet e kmapusit universitar.