Përcaktimi i Hemetokritit me anë metodës së Mikrohematokritit

Hematokriti (HCT) ose volumi i paketuar qelizor (PCV), është proporcioni i volumit të gjakut i okupuar nga qelizat e kuqe të gjakut. Ky tregues konsiderohet si pjesë integrale e rezultateve të numërimit të gjakut komplet. Për matjen e PCV përdoren dy metoda; ajo automatike me analizer hematologjik dhe metoda manuale e mikrohematokritit. Avantazhet e metodës së mikrohematokritit qëndrojnë në faktin se është e thjeshtë, me kosto minimale, realizohet në një kohë të shkurtër (3-5 minuta) dhe sasia e gjakut të kërkuar është e vogël (duke shpuar edhe në llapën e veshit). Përveç faktit që mat me saktësi masën e qelizave të kuqe të gjakut, ky test mundëson informacion të bollshëm në lidhje me gjendjen shëndetësore të kafshës.

Teknika: Për këtë metodë përdoren tuba mikrohematokriti (75×1.5-mm) me antikoagulant ose jo, në varësi të mënyrës së marrjes së mostrës. Gjaku thithet dhe mbush tubin kapilar. Fundi i tubit mbyllet me një lëndë bllokuese. Pas kësaj, tubat vendosen në mikrocentrifugën e hematokritit dhe centrifugohen për 5 minuta me 10000 rrotullime/minutë (ose 3 min me 15000 rrotullime/min). Forca centrifugale do të shtresëzojë elementët qelizorë sipas peshës të tyre në tubin kapilar.

Komponentët më të rëndë janë eritrocitet që shtresohen në fund të tubit. Leukocitet dhe trombocitet vendosen mbi këtë shtresë dhe përfaqësojnë shtresën me ngjyrë gri që emërtohet ndryshe guna. Në qoftë se do të ketë eritrocite me bërthamë (forma të pamaturuara të RBC), ato do të përfaqësojnë një shtresë të tretë të vendosur mbi leukocitet, me ngjyrë të kuqe të errët. Mbi këtë shtresë është plazma. Matja e shtresës së eritrociteve me hematokritometër përcakton PCV/HCT dhe shprehet si përqindje e shtresës së eritrociteve ndaj sasisë së gjakut të centrifuguar. PCV është një masë e saktë e eritronit (përqëndrimit të RBC). Sipas rezultatit të përftuar gjykohet nëse kafsha ka anemi apo policitemi (numër të rritur të RBC). Bazuar në vlerat e PCV bëhet dhe klasifikimi i ashpërsisë së anemisë. Psh, tek qeni ku vlera normale e PCV luhatet nga 38 – 55%, anemia klasifikohet e lehtë (kur PCV = 30–37%), e moderuar (PCV=20–29%), e rëndë (PCV=13–20%) dhe shumë e rëndë (PCV<13%). Po kështu, PCV shërben si tregues bazë për llogaritjen e treguesve eritrocitarë (MCV dhe MCHC).

Nëpërmjet kësaj metode përftohet informacion shtesë mjaft i dobishëm për praktikën klinike veterinare. Ekzaminimi me sy të lirë i plazmës në tubin e mikrohematokritit dikton:

  • Iker, nëse ka pigmentim të verdhë të kolonës së plazmës, gjë që sugjeron hiperbilirubinemi; madhësia e kesaj hiperbilirubinemie duhet të konfirmohet nga ekzaminime biokimike të plazmës. Observimi i ngjyrës ikterike është mjet diagnostikues më i aplikueshëm në kafshët e shoqërimit, ku normalisht plazma duket pa ngjyrë. Në lopë e kuaj, pigmentet e verdhë të bimëve në ushqime si karoteni dhe ksantofili, i japin ngjyrë të zverdhur plazmës. Ngjyra e verdhë rritet në anemitë hemolitike, në sëmundjet e mëlçisë dhe obstruksionin e duktusit biliar.
  • Hemolizë, nëse plazma duket me ngjyrë të kuqe (më pas investigohet më tej nëse hemoliza ka ndodhur in vivo apo in vitro). Hemoliza zakonisht rezulton nga lizimi i qelizave të kuqe, indukuar gjatë mbledhjes së gjakut (procedura jokorrekte). Një sasi e vogël eritrocitesh të lizuara është e mjaftueshme për të dhënë hemolizë vizuale. Prandaj, nëse hematokriti është normal, mund të supozohet se është një artifakt. Më rrallë anemitë nga hemoliza intravaskulare shkaktojnë hemolizë të vëzhgueshme në fraksionin plazmatik që njihet si hemoglobinemi. Kjo patologji shoqërohet edhe me hemoglobinuri.
  • Lipemi, nëse plazma duket e bardhë, opake apo e turbullt. Një plazmë e turbullt tregon lipemi ose prezencën e emulsioneve të imta të substancave yndyrore (kilomikrone).

Procedura e mikrohematokritit është gjithashtu një test skrining për sëmundjet e parazitëve të zemrës në qen, sepse mikrofilarjet janë të përqëndruara në plazmë mbi shtresën e gunës.

Plazma e tubave të mikrohematokritit mund të përdoret për të përcaktuar me refraktometër nivelin e proteinës totale. Përqëndrimi i proteinës plazmatike ndihmon në përcaktimin e gjëndjes së dehidratimit tek kafshët apo hiperglobulinemitë në rastet e inflamacioneve kronike.

Një tjetër informacion që mund të përftojmë nga ky test ka të bëjë me masën e qelizave të bardha të gjakut. Në një kafshë normale guna është një shtresë me ngjyrë gri në të bardhë me trashësi 0.5 – 1.2 mm. Një gunë me trashësi më pak se 0.5 mm sugjeron leukopeni dhe më shumë se 1.5 mm sugjeron leukocitozë.

Figura tregon tuba mikrohematokriti normalë dhe jo normalë (4 tuba) në panelin e djathtë. Tubi I në të majtë është normal. Eritrocitet e paketuara janë në pjesën e poshtme, shtresa e plazmës sipër dhe guna në mes (shigjeta e tregon të zmadhuar në të majtë). Tubi II ilustron lipeminë, III hemolizën dhe tubi IV sugjeron ikter. Vini re gjithashtu se hematokriti është ulur ndjeshëm në tubin IV

Komplikacionet klinike të këtij treguesi:

Rritja e PCV është fenomen i rrallë dhe mund të ndodhë gjatë policitemisë së vërtetë, dehidratimeve të forta, fibrozave pulmonare, insufiçencave kardiake dhe në të gjitha rastet kur ndodh hemokoncentrimi tek pacientët.

Ulja e vlerës së PCV është fenomen i shpeshtë në klinikë dhe bashkëshoqëron anemitë.

Zakonisht hematokriti rritet kur rritet numri i eritrociteve dhe ulet kur ulet numri i tyre. Ky konkluzion mund të mos jetë i vërtetë vetëm në rastet kur kafsha vuan nga anemitë makro dhe mikrocitike.

Duke pasur parasysh thjeshtësinë e kësaj metode, shpejtësinë me të cilën rezultatet janë në dispozicion dhe informacionin e dobishëm të përftuar, përcaktimi i PCV me metodën e mikrohematokritit është padyshim një mjet që rekomandohet për përdorim rutinë në diagnostikimin dhe monitorimin e shëndetit të kafshëve.

 

Prof. Asoc. Elenica Dimço
Departamenti i Moduleve Paraklinike, Fakulteti i Mjekësisë Veterinare, UBT.

Na Ndiqni në: