AhmadArdity - www.pixabay.com

Procedura e kampionimit të gjakut dhe indeve për vlerësim laboratorik në kafshë

Gjaku: Sigurimi i një kampioni gjaku në kafshë ka si qëllim a) vlerësimin rutinë të gjëndjes fiziologjike: ose b) vlerësimin dhe konfirmimin e diagnozës të një sëmundje potencialisht infektive/ose joinfektive. Për realizImin e pikës (b) preferohet, kampion i plotë gjaku me qëllim identifikimin dhe izolimin e shkaktarit patogjen, si dhe serum, me qëllim vendosjen e diagnozës serologjike. Prelevimi i një kampioni gjaku në kafshë bëhet kryesisht përmes shpimit venoz/ose rrallë herë dhe shpimit arterial (Tab.1), gjithmonë në kushte asepsie. Për të realizuar këtë procedurë rekomandohet,

  • Përdorimi individual i shiringave (një përdorimshe)
  • Pastrimi dhe sterilizimi i vendit të shpimit me tretësirë alkooli 70% + betadinë
  • Manipulimi me kujdes i kafshës
  • Prelevimi i sasisë së duhur të gjakut në varësi të llojit dhe dimensioneve të kafshës. Në kafshët e mëdha rekomandohet nga 3-10 ml gjak ndërsa në kafshët e vogla nga 4-6 ml
  • Identifikimi i kampionit të gjakut sipas kritereve që kërkon laboratori. Kriteret bazë indentifikuese përfshijnë, llojin, gjininë, moshën, numrin identifikues si dhe emrin e poseduesit të kafshës. Kritiret specifike përfshijnë, të dhëna individuale mbi kartelën klinike të kafshës.

Vëndi i marrjes së kampionit – Vendi i marrjes së kampionit të gjakut varet jo vetëm nga lloji/temperamenti por dhe nga vendi e kushtet mjedisore ku ndodhet kafsha objekt i manipulimit. Nëse merret gjak nga enët e vogla të gjakut rekomandohet përdorimi i shiringave të pajisura me age me dimension të vogël me qëllim minimizimin e dëmtimit të këtyre të fundit. Po kështu duhet treguar kujdes i vecantë për shmangjen e hemolizës së kampionit të prelevuar.

Antikoagulantët – Pas marrjes nga kafsha, gjaku futet në tuba sterile me dimensione që variojnë nga 5-10 ml. Tubat kryesisht janë të pajisura me antikoagulantë të tipit EDTA (acidi etildiaminetetraacetik), heparinë ose citrat. Megjithatë përcaktimi i llojit të antikoagulantit varet nga kërkesat e laboratorit diagnostik si dhe treguesi analitik që do të vlerësohet. Në rastet kur kampioni i gjakut shkon për vlerësim virologjik, preferohet trajtimi i kombinuar i kampionit me antibiotikë (kombinimi penicilinë + streptomicinë).

Transporti – Në të gjitha rastet transporti i kampionit bëhet në bokse frigoriferike me temperaturë 4 gradë celsius në kushte asepsise. Koha e dergimit të kampionit në laborator mund të shkojë deri 24-72 orë.

Tabela.1.1 Vëndi i marrjes së një kampioni gjak në kafshë të ndryshme

Figura1. Procedura e marrjes së gjakut në gjedhë (1) dhe kuaj (2) në venën jugulare

Vena koksigeale

Figura 2. Procedura e marrjes së gjakut në gjedhë në venën koksigeale

Fecet: Kampioni i feceve i prelevuar nga kafshë ose shpende mund të dërgohet në laborator me qëllim egzaminim parazitar, bakteriologjik ose viral. Në të gjitha rastet rekomandohet marrja e kampionit të freskët direkt në rectum/kloakë. Në pamundësi manipulimi preferohet të merret material fekal menjehere pasi kafsha defekon. Sasia që rekomandohet për ekzaminim shkon nga 5- 10 gr fece. Menjëherë pas marrjes, fecet futen në enë plastike sterilë njepërdorimshe. Ruajtja dhe transporti bëhet në kushte frigoriferike me temperaturë 4 gradë celsius. Në rastet kur kërkohet ekzaminim parazitar, rekomandohet shtimi i ujit steril/formalinë në kampion. Në të gjitha rastet, bëhet etiketimi i kampionit duke i kushtuar rëndësi indentifikimit të kafshës/shpendit.

Urina: Kampioni i urinës përftohet në kafshë gjatë urinimit, kateterizimit apo dhe cistocentezës. Sasia e urinës që rekomandohet për ekzaminim laboratorik shkon nga 5-10 ml. Ruajtja dhe trasporti i kampionit bëhet në kushte frigoriferike. Si në të gjitha rastet duhet të bëhet etiketimi i kampionit duke shënuar të dhënat identifikuese të kafshës.

Lëkura: Marrja e kampionit të lëkurës në kafshë kryesisht bëhet përmes kruarjes së lezionit/aspirimit me shiringë në rastet e vezikulave dhe absesit. Sasia e kampionit shkon deri në 2 gr. Materiali i prelevuar futet në enë plastike sterile në të cilën shtohet tretësirë buferike me pH 7. Në rastet kur kërkohet ekzaminim histopatologjik kampioni i lëkurës futet në solucion formaline. Kujdes i vacantë duhet të tregohet gjatë aspirimit të absesit, aspirimi bëhet gjithmonë anash dhe jo në qëndër të tij. Sasia e qelbit e nevojshme për ekzaminim shkon deri 3 ml.

Trakti gjinor dhe sperma: Marrja e materialit analitik në traktin gjinor femëror bëhet kryesisht përmes larjes vaginale/prepucuimit ose duke përdorur tamponë sterilë. Në meshkuj marrja e spermës bëhet përmes përdorimit të vaginës artificiale/stimulimit artificial. Në të gjitha rastet kampioni i prelevuar futet në enë palstike sterile. Ruajtja dhe transporti bëhet në kushte frigoriferike në temperaturën 4 gradë celsius.

Qumështi: Kampioni i qumshtit rekomandohet të merret nga kafsha pasi gjiri të jetë pastruar,  dezifektuar dhe tharë me kujdes. Pikat e para të qumshtit nuk rekomandohet të merren si kampion. Sasia e qumshtit që nevojitet për ekzaminim varion nga 3-5 ml. Ruajtja dhe transporti bëhet në kushte frigoriferike në temperaturën 4 gradë celsius/ngrirje.

 

Dr. Enkeleda OZUNI
Departamenti i Moduleve Morfo Funksionale, Fakulteti i Mjekësisë Veterinare, UBT.

Shto Koment

Na Ndiqni në: