www.pixabay.com

Fermerë, është kohë për krasitje! – Kujdes për punimet dhe krasitjet e vonuara

Kultivimi i tokës

Kultivimi i tokës është një proces i cili bëhet për kontrollin e barërave të këqija dhe në thelb është i lidhur edhe me menaxhimin e ujit. Në varësi të tokës (pjerrësisë dhe strukturës), sistemit të mbjelljes dhe kushteve klimatike të secilës zonë, aplikohen praktikat e përshtatshme të kultivimit.

Mund të punohet toka rreth kurorës apo në të gjithë sipërfaqen.  Duhet patur kujdes kur punohet afër qafës së rrënjës (rreth 0.5 m) dhe toka të mos punohet ose thellësia e punimit  të mos i kalojë  5cm, duke patur kujdes  të mos i krijohen plagë pemës që më pas mund të jenë shkak infeksioni. Rekomandohet gjithashtu ruajtja e vegjetacionit në zona ose breza jo prodhuese (kufijtë e pemishteve, shpatet).

Plehërimi

Në zonat ku ka patur rreshje të mëdha shiu dhe nuk është bërë plehërimi bazë në periudhën janar- shkurt, plehërimi mund të kryhet pikërisht gjatë këtij muaji. Forma e azotit që do të zgjidhet për këtë proces, duhet të jetë amoniakal për të shmangur shpëlarjen. Gjithashtu plehërimi duhet të përfshijë elementët fosfor dhe kalium, që nuk shpëlahen. Ky plehërim do të ndihmojë pemët në fillim të vegjetacionit muajin e ardhshëm.  Azoti, sidomos në tokat me përmbajtje të lartë të gëlqeres, mund të përdoret në formën e sulfatit të amonit.

Lufta kundër dëmtuesve dhe sëmundjeve

Pas krasitjes duhet të aplikohet spërkatja dimërore për parandalimin e zhvillimit të dëmtuesve dhe sëmundjeve. Është e rëndësishme të mos nënvlerësohet spërkatja dimërore, sidomos për ato specie dhe ato parcela, ku vitin paraardhës ka patur probleme entomologjike dhe    fitopatologjike. Në këtë rast rekomandohet edhe përsëritja e spërkatjes dimërore, por para se të ndodhë bymimi i sythave.

Gjatë këtij muaji edhe kur sythat kanë çelur dhe ka ndodhur gonxhimi, bëhen spërkatje me pesticide të përshtatshme, të lincesuara sipas rekomandimeve nga specialistet për kohën, dozën dhe mënyrën e spërkatjes.

Ujitja (në raste të veçanta)

Nëse reshjet e shiut nuk kanë qenë të mjaftueshme, veçanërisht në kultivimet intensive ku është i instaluar sistemi i ujitjes me pika dhe sidomos për varietete të hershme, mund të bëhet ujitje. Një gjë e tillë ndihmon në inkurajimin e vegjetacionit të ri. Rëndësi duhet t’i jepet hapjes së gropave ujëmbledhëse të ullirit, një traditë shekullore kjo e kultivuesve tanë të ullirit.

Krasitjet

Krasitja e pemëve frutore gjetherënëse bëhet gjatë periudhës së dimrit (gjatë qetësisë dimërore të pemëve) nga dhjetori në shkurt dhe patjetër para se sythat të fillojnë të bymehen dhe të fillojë vegjetacioni i ri. Meqenëse krasitja mund të nxisë çeljen e sythave, është mirë që në zonat e ftohta të prekura nga ngricat e vona, krasitja bëhet nga fundi i qetësisë dimërore (fundi i shkurtit deri në fillim të marsit), për sa kohë që sythat nuk janë fryrë ende.

Gjatë muajit mars vazhdon normalisht krasitja e agrumeve dhe ullirit. Këtë vit, për arsye të pandemisë dhe rreshjeve të muajit shkurt, mund të mos ketë përfunduar gjatë shkurtit krasitja e pemëve gjetherënëse dhe e vreshtit. Kësisoj, krasitja mund të vazhdojë më vonë se afatet normale edhe në zonat e ngrohta.
Po çfarë duhet të kemi parasysh në krasitjet jashtë afateve të cilat do t’i etiketojmë si ‘’krasitje të vonuara’’?

Krasitjet e pemëve frutore gjetherënëse

Krasitja e pemëve frutore gjetherënëse bëhet gjatë periudhës së dimrit (në qetësi të bimëve), nga dhjetori në shkurt dhe patjetër para se sythat të fillojnë të fryhen dhe të fillojë vegjetacioni i ri. Meqenëse krasitja mund të përshpejtojë zhvillimin e sythave, është mirë që krasitja të bëhet më vonë në zonat e rrezikuara nga ngricat, drejt fundit të periudhës së qetësisë (fundi i shkurtit deri në fillim të marsit).

Qëllimi i krasitjes

Pemët frutore edhe pa krasitur, kur arrijnë ekuilibrin midis lëndëve të papërpunuara që thith bima dhe karbohidrateve që ajo prodhon me anë të fotosintezës, japin lule dhe fruta, pra prodhojnë. Ky ballancim që quhet ekuilibër fiziologjik, varet nga numri i sytheve dhe gjetheve që ka bima. Kur pema ka pak sytha në moshë të re, ky ekuilibër është në favor të lëndëve të papërpunuara. Në këtë rast pema ka vetëm rritje vegjetative. Krasitjet e lehta mund ta vendosin  këtë ekuilibër.

Prodhimi pa krasitje nuk ka interes në pemëtoret me rëndësi treg         tare. Pemët e pa krasitura, meqënëse nuk kanë kontroll mbi sasinë dhe shpërndarjen e elementëve prodhues dhe vegjetativë, prodhojnë gjithmonë drejt majave për arsye të polaritetit dhe zhvishen drejt bazës, dobësohen, nuk prodhojnë rregullisht çdo vit, nuk prodhojnë në cilësinë e kërkuar dhe në disa raste thahen para kohe.

Për arsyet e sipërpërmendura bëhet e nevojshme krasitja, me anë të së cilës hiqen disa pjesë të panevojshme ndërsa të tjerat përshtaten me qëllim që t’i jepet pemës forma e duhur, për të patur vegjetacion të kenaqshëm, prodhim të mirë, të përvitshëm dhe me cilësi. Me anë të krasitjes bëhet një shpërndarje sa më uniforme dhe e drejtë e pikave të rritjes në të gjithë pemën. Tentohet të shtohet numri i pikave të rritjes (sythave) kur ka furnizim të bollshëm me lëndë ushqyese dhe ujë dhe të pakësohen ato, kur lëndët ushqyese dhe ujë janë defiçitare. Pra, krasitja bën ekonomizim më të mirë të lëndëve ushqyese të përpunuara dhe të papërpunuara dhe nuk ndikon në sasinë e tyre.

Me anë të krasitjeve, ky ekuilibër arrihet duke përshtatur masën e prerjeve me fuqinë rritëse të pemës dhe agroteknikën e përdorur. Në toka të varfëra, në defiçite të furnizimit me ujë dhe lëndë ushqyese, pema ka rritje të dobët, pra duhet të krasitet rëndë për të lënë sa më pak sytha lulorë dhe vegjetativë dhe anasjelltas.

Nga se varet masa e krasitjes së pemës së pemës në përgjithësi dhe shkurtimi i degëve dhe degëzave?

  • Mosha e pemës dhe lloji i krasitjes. Nga mosha e pemës varet lloji i krasitjes dhe nga lloji i krasitjes varet dhe masa e prerjeve apo e largimit të masës drunore nga trupi i pemës. Kështu, kur pema është e re dhe ka rrritje të fuqishme, bëhet krasitja formuese dhe kryhen prerje të lehta, me përjashtim të krasitjes pas mbjelljes të fidanëve që mbillen me rrënjë të zhveshura (pa masë dheu në qeska apo vazo). Në këto raste, prerjet për arsye të ekuilibrit midis sistemit rrënjor të zvogëluar gjatë shkuljes dhe sistemit mbitokësor, bëhen prerje të rënda.

Kur pema futet në prodhim, bëhet krasitja prodhuese që ka qëllim të ruajë ekuilibrin midis rritjes dhe frutifikimit. Në këtë rast masa e prerjeve varet nga fuqia e rritjes së degëzave vegjetative, ngarkesës me degëza prodhuese, llojit të pemës, fuqisë së pemës, agrotenkikës së përdorur etj, siç pëshkruhet edhe më poshtë. Kur pema fillon plaket, është e nevojshme krasitja e rëndë për të ripërtëritur pemën.

  • Specia. Masa e prerjes ose e largimit të degëve varet nga specia dhe varieteti.

Kajsia: Përveç krasitjes bazë, hiqen edhe degët që kanë dhënë fruta vitin e kaluar, në mënyrë që të favorizojnë formimin e degëve të reja. Për të arritur këtë, është e nevojshme të kombinohet rrallimi i degëve të holla prodhuese me shkurtimin e degëve të gjata dhe të fuqishme në 1/2 e gjatësisë së tyre.

Pjeshka: Në krahasim me pemët e tjera, krasitja duhet të jetë e rëndë dhe duhet të hiqen më shumë se 50% të lastarëve të vitit të kaluar. Ne zgjedhim për prodhimin e ardhshëm degëzat e përziera, buketore dhe të holla duke i rralluar ato në një distancë midis tyre prej 15-20 cm dhe me ekspozimin ndaj dritës. Gjithashtu heqim degëzat që kanë prodhuar vitin e kaluar nga baza e tyre.

Molla: Degëzat vjetore të vitit të kaluar që nuk janë të nevojshme, hiqen nga baza e tyre. Përveç kësaj, rinovojmë degët frutdhënëse në 20-30%. Filizat tepër të gjatë priten në gjysmë,  ndërsa ato që varen në tokë hiqen ose shkurtohen.

Shega: Degët që dalin nga baza e trungut dhe ato që janë të varura  poshtë deri afër tokës  hiqen çdo vit. Rrallohen 50%  degëzat me rritje mesatare dhe shkurtohen ato shumë të fuqishme në gjysmën e tyre

  • Fuqia e rritjes.

Pemët e fuqishme (me rritje vjetore të degëzave njëvjeçare mbi 30cm, krasiten lehtë), bëhen rrallimet e duhura në çdo15-20cm) të këtyre degëzave dhe të tjerat nuk shkurtohen ose shkurtohen në më pak se 1/3 e gjatësisë të tyre.

Pemët e dobëta (me gjatësi të degëzave njëvjeçare më pak se 15cm), krasiten më rëndë. Degëzat drunore rrallohen në çdo 15-20cm, të tjerat shkurtohen 1/3deri në ½ e gjatësisë të tyre. Tek këto pemë bëhet dhe shkurtimi i degëve më të vjetra (2- 4 vjeçare), për të pakësuar pikat e rritjes dhe numrin e degëzave prodhuese.

  • Agroteknika që është përdorur dhe do përdore

Në prani të një agroteknike të lartë (punim, plehërim, ujitje) dhe në toka të pasura, krasitja bëhet me lehtë dhe anasjelltas.

  • Vendi në kurorë i degës që do krasitet.

Për arsye të polaritetit, degët dhe degëzat që ndodhen  me lartë kurorës apo degës skeletore shkurtohen më shumë se ato që ndodhen më poshtë.

Krasitjet e vonuara të pemëve frutore

Kur pema del nga qetësia e dimërimit, lëndët ushqyese që ka rezervuar në pjesët shumëvjeçare të trupit të saj, kryesisht në degët e trasha skeletore dhe trungun e saj kalojnë nga këto pjesë drejt degëve më të reja të pemës, pra kalojnë drejt majave të pemës. Kështu, me anë të largimit të një pjese apo të shkurtimit të tyre, ne largojmë dhe një pjesë të konsiderueshme të këtyre rezervave ushqimore, siç duket në figurën nr.1.

Një krasitje e bërë në këtë kohë do të ndikojë shumë negativisht në shëndetin e pemës, jo vetëm për vitin në vazhdim, por dhe për vitet e ardhshme. Pemët, sidomos ato të rejat me rritje jo të fuqishme dhe të shartuara mbi nënshartesa me rritje të dobët po të krasiten vonë, do të kenë rritje të dobët të lastarëve vjetorë dhe të të gjithë pemës që do ndikojë në zgjatjen e kohës së formimit të kurorës dhe të futjes në prodhim tek pemët e reja, të prodhimtarisë dhe të jetëgjatësisë tek pemët në prodhim.

Fig 1. Ndikimi i kohës së krasitjes në fuqinë e lastarit

F1: 10 Janar janë larguar vetëm 10% e rezervave ushqyese
F2: 10 Shkurt janë larguar 30% e rezervave ushqyese
F3: 10 Mars janë larguar 50% e rezervave ushqyese
F4: 10 Prill janë larguar 70% e rezervave ushqyese

Duke analizuar tabelën 1, vërejmë se me largimin e 1/3 së të njëjtit lastar gjatë muajit mars (10mars) ne largojmë bashkë me pjesën e lastarit të prerë edhe 50% të rezervave ushqyese, kur ndërkohë të njëjtën masë lastari, po ta presim në janar (10 janar), largojmë vetëm 10 % të këtyre rezervave. Po të marrim parasysh se gjatë krasitjes ekuilibruese që bëhet tek fidanët e mbjellë me rrënjë të zbuluara, pa qeska apo vazo, masa e prerjes është ½ deri në 2/3 e të gjithë pjesës mbitokësore të fidanit, kuptohet se sa negativisht ndikojmë në fuqinë rritëse të pemës së ardhshme në rast se mbjellja dhe krasitja nuk bëhet gjatë muajve dhjetor, janar e shkurt.

Po kështu po të marrim parasysh se gjatë krasitjeve prodhuese tek pjeshka, ne largojmë 50-80%  të të gjithë masës drunore (kurorës), tek kajsia, vishnja, bajamja dhe kumbulla largojmë 20-30% dhe tek molla e dardha 15-20%, kuptohet se sa e rëndësishme është që krasitjet duhet të përfundojnë brenda afateve të rekomanduara më sipër dhe sa kujdes duhet të kemi kur për arsye të ndryshme, jemi të detyruar të krasitim edhe gjatë marsit.

Kujdesi për krasitjet gjatë marsit

Duke patur parsysh ndikimin negativ që ka krasitja e vonuar në pemë, duhet të bëjmë kujdes:

  • Tek pemët, tek të cilat janë fryrë sythat dhe kanë hyrë në fazën e gonxhimit, nuk bëhet krasitje. Duhet patur kujdes të ndërhyhet herët me rrallimin e luleve, frutave dhe krasitjet verore.
  • Pemët e mbjella këtë vit me rrënjë të zhveshura (pa vazo apo qeska plastmasi), të cilave nuk u është bërë krasitja ekuilibruese si dhe ato që mbillen tani (mars), nuk krasiten, por për të favorizuar zënien dhe për të drejtuar rritjen në pikat që duam, largojmë sythat që ndodhen në pozicion jo të duhur, si dhe të gjithë sythat e pjesëve të degëzave apo të degëve që duhet të largohen. Një proces i tillë bëhet kur sythat janë bymyer. Më vonë plotësohet procesi plotësohet me krasitjen verore.
  • Krasitja formuese e pemëve të reja bëhet shumë e lehtë duke hequr nga baza vetëm degët që dendësojnë nga brenda kurorën dhe bëhen shkurtime shumë të kujdesshme (vetëm prerje të majave kur duhen). Plotësohet me krasitje verore.
  • Pemët e dobëta të cilat kur krasiten në kohë optimal krasiten rëndë, gjatë marsit nuk krasiten ose krasiten shumë lehtë.
  • Pemët me rritje normale, tek të cilat sythat nuk janë bymyer akoma, krasiten dy herë më lehtë se ato që krasiten në kohë normale. Psh, tek pjeshka nuk largohen më tepër se 20-25 % nga 50-80% që largohen kur krasiten në kohë normale, tek dardha dhe molla nga15-20% e degëve që hiqen në krasitjen në kohë normale, në krasitjet e vona, në mars, hiqen vetëm 5-10%; tek kumbulla, kajsia dhe vishnja hiqen 10-15% etj.
  • Duhet të kihet parasysh që në të gjitha këto raste të ndërhyhet sa më herët për rrallimin e luleve, frutave dhe krasitjet verore.
  • Nuk bëhet krasitje ripërtëritëse, me përjashtim të rasteve kur pema është e degraduar dhe ka nxjerrë thithakë, mbi të cilat bëhet prerja.

 

Prof. Petrit Ramaj
Departamenti i Hortikulturës dhe Arkitekturës së Peizazhit, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, UBT.

Na Ndiqni në: