Image: Wikipedia / Tobias Klenze / CC-BY-SA 4.0

Parqet kombëtare në Shqipëri

Përkufizimi i “Parkut Kombëtar’’

Parku kombëtar është një park në përdorim për qëllime konservimi dhe është nën mbrojtje të veçantë. Shpesh mund të jetë edhe një rezervat natyral, gjysmë natyral ose i zhvilluar të cilin e shpall si të tillë dhe zotëron një shtet sovran.

Organizata ndërkombëtare e Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN) dhe Komisioni Botëror i saj për Zonat e Mbrojtura (ËCPA), e ka përcaktuar “Parkun Kombëtar” si kategorinë e II-të të Zonave të Mbrojtura.  Sipas IUCN, në mbarë botën në vitin 2006, 6 555 parqe kombëtare i plotësuan kriteret për t’u cilësuar si të tilla. IUCN është ende duke diskutuar parametrat ligjore të përcaktimit të parqeve kombëtare.

Parqet Kombëtare janë pothuajse gjithmonë të hapura për vizitorët. Më poshtë mund të rendisim listën e Parqeve Kombëtare në Shqipëri.

PARKU KOMBËTAR “DAJTI”

Ndodhet në lindje të kryeqytetit të Shqipërisë dhe ka një sip. 29.193,27 ha. Ai ndodhet në pjesën lindore të fushës së gjerë të Tiranës, 26 km në lindje të saj dhe 50 km larg nga aeroporti “Nënë Tereza”. Aty gjenden individë ahu 200-vjeçarë që përfaqësojnë monumente natyrore mjaft të çmuar dhe me vlerë për t’u vizituar. Ky park është një zonë shumë e frekuentuar nga pushuesit ditorë. Gjithashtu ai konsiderohet “Ballkoni natyror i Tiranës” dhe ofron mundësi akomodimi për pushuesit.

PARKU KOMBËTAR “THETHI”

 Ka një sip 4.782,55 ha dhe ndodhet ne Alpet e Shqipërisë, pranë Bjeshkëve të Nëmuna. Ai ndodhet në një distancë prej 70 km larg qytetit të Shkodrës dhe përshkohet nga lumi i Thethit, i cili ka një prurje prej rreth 1000-1300 l/sek dhe është i pasur me troftën e malit. Një pikë mjaft piktoreske dhe mahnitëse është Ujëvara e Grunasit. Për t’u vlerësuar është prania e drurit relikt të lisit. Ky park përfaqëson zonën më të populluar të vendit me rrëqebull (50 krerë).

PARKU KOMBËTAR “LURË-MALI I DEJES”

Ka një sip 20.242,78 ha dhe shtrihet në faqen lindore të masivit “Kunora e Lurës”. Mjaft piktoreske këtu janë 14 liqenet akullnajore të Lurës. Në dimër sipërfaqet e tyre ngrijnë. Në pjesën jugore të parkut ndodhet “Fusha e Pelave” që ofron pamje shumë shlodhëse pasi ka bimësi të larmishme me lule shumëngjyrëshe të rrethuara nga drurë shekullorë halorë. Në këtë park ka mundësi të mëdha për zhvillimin e ekoturizmit.

PARKU KOMBËTAR “ DIVJAKË- KARAVASTA”

Ka një sip prej 21.972,1 ha dhe ndodhet 5 km larg Divjakës dhe 40 km larg qytetit të Lushnjës. Në këtë park bën pjesë Laguna e Karavastasë, që ndodhet në mbrojtjen e Konventës  Ndërkombëtare të Ramsarit që nga viti 1994. Ky park përbën një nga ekosistemet më të rëndësishme të të gjithë vendit. Kjo sidomos për faunën e pasur ku përfaqësuesi më tipik është pelikani kaçurrel i cili zë rreth 6.4% të popullatës botërore.

PARKU I  LLOGORASË

Ka një sip. prej 1.009,27 ha. Gjendet rreth 40 km në juglindje të qytetit të Vlorës, në kufirin  hapësinor midis detit Adriatik dhe Jon. Afër Qafës së Llogorasë takohen drurë me forma kurorash mjaft interesante në të cilat ndihet ndikimi i korenteve të erërave. Këtu do të veçonim “Pishën Flamur” që është një monument i rrallë i natyrës me mjaft vlera turistike dhe shkencore. Nga Qafa e Llogorasë rreth 3 km në vijë ajrore syri përfshin detin Jon, pjesët e thepisura të maleve të Vetëtimës si dhe një pjesë të mirë të Rivierës Shqiptare. Është vend i favorshëm për sportet e ajrit. Ky park ka vlera klimaterike të padiskutueshme dhe kjo falë kombinimit mjaft të mirë të ajrit të freskët malor me atë detar.

PARKU KOMBËTAR “BREDHI I DRENOVËS”

Ka nje sip.prej 1.379 ha. Ndodhet 10 km larg qytetit te Korçës dhe shtrihet ne kurrizin e malit te Moravës. Ky është mjaft i frekuentuar nga banoret e qytetit te Korçës dhe fshatrave përreth. Vlerat atraktive te këtij parku ia shton edhe prezenca e shume burimeve te cilët kane ujë te pijshëm gjate gjithë vitit, si ai i Shën Gjergjit, Plakës, Polices etj.

PARKU KOMBËTAR “LUGINA E VALBONËS”

Ka një sip prej 21.390,16 ha dhe konsiderohet si mrekullia e alpeve Shqiptare. Ndodhet 25-30 km në veriperëndim të qytetit Bajram Curri. Shtrihet midis majash të larta e të thepisura të mbuluara me një kolorit fantastik ngjyrash në çdo stinë, duke dhënë kështu imazhin e një lugine plot labirinte dhe të papritura. Ka vlera të mëdha turistike dhe rekreative të cilat ndërthuren me një biodiversitet me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare. Fshati Valbonë është pika më e rëndësishme turistike. Lugina nëpër të cilën kalon lumi me të njëjtin emër, ka natyrë të bukur dhe të pastër. Konfiguracioni, morfologjia, hidrologjia, pyjet, kullotat, llojshmëria e luleve, shtëpitë karakteristike, bujaria dhe mikpritja e banorëve krijojnë kushte për zhvillimin e turizmit.

PARKU “MALI I TOMORRIT”

Ka një sip 26.085,62 ha dhe ndodhet në lindje të qytetit muze të Beratit. Në të ndodhet mali i Tomorrit, që nga larg të jep përshtypjen e një kështjelle natyrore gjigante. Bukuritë natyrore të parkut janë evidente në çdo stinë. Këtu ndodhet edhe varri i Abaz Aliut (Tyrbja e Kulmakut), 1200 m mbi nivelin e detit, ku çdo vit në fund të muajit gusht, mijëra pelegrinë ngjiten për të zhvilluar një javë rresht ritet e bektashinjve, duke stimuluar kështu turizmin fetar.

PARKU KOMBËTAR “BREDHI I HOTOVËS – DANGËLLI”

Ka një sip prej 34.333,32 ha dhe ndodhet në krahinën e Frashërit, rreth 35 km në verilindje të qytetit të Përmetit. Karakteristikë e këtij parku është Bredhi i Hotovës i cili konsiderohet si një nga reliket bimore mesdhetare më të rëndësishme të vendit. Falë natyrës së bukur e piktoreske, klimës së shëndetshme, ajrit të pastër dhe afërsisë me qendrat e banuara ky park merr vlera turistike, rekreative e sportive në çdo stinë.

PARKU KOMBËTAR “QAFË- SHTAMA”

Ka një sip 1.998,65 ha dhe ndodhet rreth 25 km në verilindje të qytetit të Krujës. Në përgjithësi pamja e këtij parku është rrethore dhe mjaft piktoreske. Këtu përveç grumbullit me pishë të zezë, si mjaft tërheqëse përmendet edhe çezma e “Nënës Mbretëreshë” me ujë shumë të pastër, të ftohtë e kurativ. Është një zonë mjaft e frekuentuar për vlerat e larta kurative dhe ato të peisazhit që ajo ofron.

PARKU KOMBËTAR “PRESPA”

Ka një sip prej 27.727,61 ha dhe ndodhet në kryqëzimin e kufijve të Shqipërisë, Greqisë dhe Maqedonisë. Përbëhet nga liqeni i Prespës së Madhe dhe ai i  Prespës së Vogël si dhe pellgu ujëmbledhës i tyre. Kjo zonë është mjaft e pasur me vlera kulturore. Përmendim këtu kishat eremite të Bizantit, Shpellën e Trenit në liqenin e Prespës së Vogël, kalaja e Trajanit, kisha e Shën Mërisë ndërtuar në ishullin e Maligradit në shek. 14-të. Liqeni i Prespës së Madhe dhe ai Prespës së Vogël janë përfshirë në Parkun Ballkanik të Prespës, me një marrëveshje të kryeministrave.

PARKU “BUTRINTI”

Ndodhet afërsisht 25 km në jug të qytetit të Sarandës. Ai ka vlera të larta shkencore, turistike, arkeologjike, shoqërore e rekreative të cilat ndërthuren me një biodiversitet të rëndësishëm kombëtar e ndërkombëtar. Sip. e parkut është 9.416,82 ha. Është një zonë e një rëndësie të veçantë turistike e vendit. Në rradhë të parë dallohet për turizëm kulturor me qytetin antik të Butrintit të mbrojtur nga UNESCO, turizmin blu me Ksamilin, ekoturizmin në liqenin e Butrintit, sportet ujore po në liqenin e Butrintit, peshkimin etj.

PARKU “SHEBENIK- JABLLANICË’’

Ka një sip 33.894,25 ha dhe ndodhet rreth 25 km nga qyteti i Librazhdit. Ka një biodiversitet të lartë të llojeve të florës dhe faunës, ku ndër llojet pyjore përmendim dushqet, pishën e zezë, ahun dhe bredhin e bardhë.

PARKU KOMBËTAR DETAR “KARABURUN- SAZAN’’

Është i vetmi park detar i vendit tonë. Ka një sip ujore prej 12.417,89 ha. Përmban një biodiversitet të pasur të llojeve të faunës dhe bimësisë ujore.

 

Dr. Ina Vejsiu
Departamenti i Pyjeve, Fakulteti i Shkencave Pyjore, UBT.

Na Ndiqni në: