Ylvers - www.pixabay.com

Parandalimi dhe kontrolli i zjarreve në pyjet e vendit tonë.

Shumëkush mund të artikuloje ide e këshilla lidhur me situatën aktuale që po kalon vendi ynë për shkak të vatrave të zjarrit që kanë përfshirë disa zona e në këtë kuadër si specialist pyjesh po ju përcjell komentet e mia kontribuese për forcimin e masave parandaluese dhe kontrolluese ndaj zjarreve në disa grumbuj pyjorë.

Temperaturat tepër të larta në 10 ditëshin e fundit të qershorit, përgjatë muajit korrik dhe në fillim të muajit gusht të këtij viti, kanë bërë që deri tani zjarret të përbëjnë rrezik serioz për pyjet në vendin tonë. Gjatë kësaj periudhe temperaturat maksimale gjatë ditës kanë arritur edhe mbi 400 C, gjë që ka ndikuar në tharjen e bimësisë barishtore dhe pakësimin e ndjeshëm të lagështisë së shkurreve apo drurëve, duke krijuar në këtë mënyrë kushte të favorshme për rënien e zjarreve. Kështu, ditët e fundit në të gjitha mediat lajmi kryesor është ai për zjarret në grumbujt pyjore apo zonat rurale të vendit tonë por edhe ato në vendet  fqinje. Në këto zona zjarret përveç bimësisë pyjore, bimëve bujqësore apo drurëve frutorë, kanë djegur banesa, kafshë shtëpiake, mjete bujqësore e automjete, por kanë marrë edhe jetë njerëzish, duke sjellë një dëm të konsiderueshëm njerëzor, ekonomik e mjedisor. Pamje jo të këndëshme kanë qenë ato të ditëve të fundit në bashkinë e Vlores – Tragjas apo Karaburun (që është cilësuar edhe zonë e mbrojtur), në Gjirokastër – Lunxhëri (ku pati dhe një humbje jete), në Vaun e Dejës- Cukal apo në bashkinë e Lezhës – mali i Shëngjinit. Këto situata i kemi ndeshur gjatë kësaj periudhe të nxehtë edhe në zonën bregdetare të Turqise apo Greqisë, si dhe në Kosovë.

Kujtojme se gjatë 15 viteve të fundit në pyje dhe veçanërisht në pyllëzimet artificiale me llojet e pishave mesdhetare (të zonave bregdetare e kodrinore) apo llojin ‘’pishë e zezë’’ (të zonave malore), zjarret kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme, duke vënë në pikëpyetje për të ardhmen ekzistencën e këtyre pyllëzimeve të krijuara kryesisht gjatë viteve 1970 – 1990. Kujtojmë këtu në veçanti vitet 2007, 2010 apo 2017 me vlera maksimale të sipërfaqeve të djegura, pa lënë mënjanë dhe vitet e tjera. Është e vërtetë se gjatë këtyre viteve kemi patur një rritje të temperaturave veçanërisht gjatë verës, ku në periudhat e ashtuquajtura të të “nxehtit afrikan’’, temperaturat kanë qenë mjaft të larta.

Rikujtojme se që të kemi vatra zjarri është domosdoshmëri prania e tre elementëve që janë lënda djegëse, oksigjeni dhe burimi i nxehtësisë. Mungesa e vetëm njërit prej këtyre elementëve bën të pamundur shfaqjen e zjarreve. Kështu, prania e bimësisë barishtore të tharë apo bimësisë pyjore me përqindje të ulët të lagështisë, që përbën në këtë rast lëndën djegëse (elementi i I-re i zjarrit) të rrethuar nga oksigjeni ( elementi i II-te i zjarrit), nuk shkakton zjarr nëqoftëse nuk futet në lojë dhe elementi i III-të që është burimi i nxehtësisë (apo energjia termike), nëpërmjet ndezjes së një shkrepseje, çakmaku, hedhjes së një fishekzjarri, hedhjes së një cigareje të ndezur etj., me qëllim apo pa qëllim. Në këtë rast ndezja e zjarrit me apo pa qëllim, dëmin e shkakton të njëjtë, nëqoftëse zjarrvënësi nuk ndërhyn në moment për ta fikur zjarrin.

Duke iu referuar tre elementëve të domosdoshëm të zjarrit, për parandalimin e tij ne kemi mundësi të ndikojmë kryesisht tek elementi i tretë që ështe burimi i nxehtësisë (duke shmangur zjarrvënien), ndërsa tek elementi i parë që është lënda djegëse, mund ta pakësojmë atë nëpërmjet punimeve përgatitore per mosperhapjen e zjarrit (si psh, rrallime në grumbujt pyjore, krasitje, pastrim dhe heqje mbeturinash bimore etj.). Duhet t’i kushtojmë tepër rëndësi masave parandaluese të zjarreve edhe për faktin që masat përgatitore kërkojnë investime të konsiderueshme, ndërsa mundësitë për masat kontrolluese i kemi të kufizuara për shkak të kostove të larta të tyre si dhe të terrenit malor ku shtrihen kryesisht pyjet tona

Me aspektet teknike të mësipërme duam të qartësojmë lexuesit se parandalimi i zjarreve është i lidhur ngushtë me veprimin e zjarrvënies. Theksojmë që në kushtet e vendit tonë nuk ka zjarr pa zjarrvenie. Zjarri nuk ndizet vetë, nuk vetëndizet nga temperaturat sado të larta të jenë ato (që të këtë zjarr duhet që temperaturat të shkojnë rreth 2500C). Duke iu referuar literaturës, në natyrë zjarri mund të shkaktohet vetëm nga vullkanet (në zonat vullkanike) apo nga rrufetë, por këto të fundit në vendin tonë si shkak për përhapjen e zjarrit janë tepër të rralla, pasi rënia e rrufesë në përgjithësi shoqërohet nga rreshje dhe kështu rrufeja mund të dëmtojë (djegë) vetëm drurët që ajo godet dhe më pas rreshjet që pasojnë e fikin zjarrin. Prandaj ka ardhur koha që të merremi të gjithë më seriozisht me gjetjen e personave që ndezin zjarret, që bëjnë të mundur fillimin e tyre me dashje (përfitim toke, për hakmarrje etj.), apo nga pakujdesia (duke djegur mbeturinat bimore, duke dashur të “përmirësojnë” kullotat nëpërmjet zjarrvënies dhe moskontrollit të mëtejshëm të zjarrit, hedhjes pa dashje të materialeve të ndezura etj). Meqënëse burimi i nxehtësisë që realizohet nëpërmjet zjarrvënies (me ose pa dashje) është shkaku i rënies së zjarreve, pikërisht te ky element duhet të fokusohen edhe masat parandaluese ndaj zjarreve në pyje. Disa nga këto masa i rendisim si në viijm:

Masat ligjore që nënkuptojnë forcimin dhe zbatimin rigoroz të ligjit ndaj personave që ndezin zjarrin në sipërfaqet pyjore e kullosore, apo rreth tyre dhe veçanërisht gjatë stinës së verës në periudhat me temperatura të larta. Ligji vërtet duhet të bëjë diferencimin e zjarrvënësve në të qëllimshëm e të paqëllimshëm, por duke i dënuar të dy palët pasi dëmi që shkaktohet mund të jetë i njëjtë. Personi që ndez zjarr në zonat pyjore apo kullosore, aq më tepër në kushtet e temperaturave shumë të larta, duhet të jetë i vetëdijshëm për dëmin që mund të shkaktojë si dhe për ç’ka e pret atë. Është detyra e personelit pyjor tashmë pranë bashkive, policies së shtetit, prokurorisë dhe gjykatave të gjejnë personin/at zjarrvënës dhe ta/t’i dënojnë atë sipas qëllimit që ka/kanë patur dhe dëmit të shkaktuar. Nuk duhet të ketë asnjë zjarr “jetim”. Pas çdo vatre zjarri është një person përgjegjës. Ndoshta ka ardhur koha të vendoset edhe një çmim nga ana e policisë për ata që denoncojnë personin zjarrvënës, siç bëhet edhe për rastet e grabitjeve të mëdha apo vrasjeve. Mos të harrojmë që kohët e fundit zjarret përveç pyjeve kanë përfshirë shpesh dhe drurët frutorë, veçanërisht ullinjtë, duke rrezikuar jo në pa kraste  djegien e banesave, kafshëve shtëpiake apo dhe vetë jetën e njerëzve siç ishte rasti i 3 gushtit në Lunxhëri të Gjirokastrës. Pak ose aspak persona janë ndëshkuar për zjarrvënie në pyje në vendin tonë dhe është krijuar përshtypja se personat e arrestuar vitet e fundit për vepra të tilla janë arrestuar në verë, në pikun e zjarreve dhe janë liruar në dimër me ftohjen e motit, kur janë harruar pasojat e zjarreve. Për drejtoritë pyjore pranë bashkive, për policinë e shtetit dhe prokurorinë një vatër zjarri me dëm ekonomik e mjedisor, duhet të figurojë si një çështje e pazbuluar sikurse një vepër penale, përderisa nuk është zbuluar autori i zjarrvënies. Vënia e zjarrit me qëllim duhet të konsiderohet krim mjedisor, ekonomik dhe njerëzor. Besoj se zbatimit të ligjshmërisë në mbrojtjen ndaj zjarreve në pyje e kullota, do t’i shërbejë dhe rivendosja e studiuar e vrojtuesve të zjarreve nga ana e bashkive gjatë periudhave të nxehta e të thata të verës, që me praninë e tyre do të frikësojnë zjarrvënësit, apo do të diktojnë që në momentet e para shfaqjen e zjarreve, duke ndërhyrë për të mos lejuar përhapjen e tyre apo duke sinjalizuar sa më shpejt për kontrollin e zjarrit duke  minimizuar në këtë mënyrë zjarret në pyje.

Masat informative – propaganduese që shërbejnë për informimin dhe paralajmërimin e popullsisë (vizitorëve të pyjeve, fermerëve e popullsisë lokale, punonjësve që kryejnë aktivitet në pyje etj.), mbi rrezikun e zjarreve në pyje. Një rol të rëndësishëm këtu duhet të luajnë mediat nëpërmjet spoteve televizive, emisioneve me specialistët përkatës, etj, gjë që gjatë muajve qershor e korrik të këtij viti pothuajse kanë munguar plotësisht. Mediat duhet të jenë më aktive me veprimtarinë e tyre për parandalimin e zjarreve. Nuk mjafton që ato vetëm të transmetojnë lajme e kronika ‘’pas pilafit’’, por të organizojnë emisione të posaçme për parandalimin e zjarreve apo të përcjellin spote sensibilizuese për dëmet dhe rrezikun e zjarreve  pasi këto spote i shërbejnë në fund të fundit të gjithëve, i shërbejnë mjedisit ku ne jetojmë.

Masat kontrolluese ndaj zjarreve tek ne kanë mjaft mangësira, duke filluar qysh nga mungesa e pajisjeve mbrojtëse dhe të fikjes së zjarrit për një pjesë të personelit të angazhuar për këtë detyrë dhe që ndeshet i pari me zjarrin (ku dhe sipas kronikave televizive që shohim, më tepër punojnë me mjete rrethanore si degë drurësh apo shkurresh, në vend të fshesave metalike, mjeteve prerëse apo atyre gërmuese), për të kaluar më pas tek mjetet zjarrfikëse tokësore dhe ato ajrore. Makinat zjarrfikëse që ne përdorim për kontrollin e zjarreve në zonat pyjore janë të destinuara për zonat urbane. Në zonat pyjore dhe rurale ato shpesh dalin “jashtë loje”, për shkak të mungesës së rrugëve për t’u futur në grumbullin pyjor të përshkuar nga zjarri. Prandaj është mëse e nevojshme që për bashkitë më problematike për zjarret pyjore, të sigurohen makina zjarrfikëse të specializuara për zonat rurale dhe pyjore. Po kështu duhet të mendojmë më tepër për mjetet ajrore që aktualisht i kemi të pakta dhe me kapacitete të ulta për shuarjen e zjarrit dhe që kryesisht janë mjete të transportit ajror të modifikuara për shuarjen e zjarreve ndaj veprimi i tyre shpesh kushtëzohet nga kushtet e relievit.

 

Prof.Dr. Fatmir Laçej
Fakulteti i Shkencave Pyjore, Departamenti i Pyjeve, UBT.

Na Ndiqni në: