Loquat ose Nespula verore njihet me emrin latinisht “Eriobotrya japonica L” dhe në të gjithë vendet e botës, njihet me emrin loquat. Në vendin tonë njihet me emrin nespula verore.
Është një frut subtropikal dhe i përket familjes rosaceae, sub-familja pomoideae. Nespula kultivohet në shumë vende dhe në Kinë është thirrur “pipa” ose “Luju”, japonese medlar ose japonese plum. Në Francë njihet si neflier du Japon, në Spanjë me emrin napero dhe në Itali njihet si nespola. Mendohet që origjina e saj të jetë nga Lugina e lumit Dadu në Kinë, gjinia Eribotrya. Disa autorë mendojnë që origjinën e ka nga Kina dhe prej andej është përhapur në vende të tjera (Campbell and Malo 1986, Zhung et al 1993, Polat and Caliskan 2007). Loquat është fruti më popullor në Kinë.
Loquat është kultivuar 2000 vjet më parë. Në Japoni është importuar nga Kina që në vitin 1180. Për tregtim ka filluar gjatë viteve të fundit.
Loquat kultivohet në Azinë Lindore dhe prej andej është përhapur në vende të tjera. Në Evropë është njohur për herë të parë kur u krijua kopshti botanik i Parisit në vitin 1784. Gjendet në Evropë, Turqi, Greqi, Spanjë, Itali, ( Janich 2007), në Amerikë (Florida, Kaliforni), në Kinë, Japoni, Pakistan, Indi, Madagaskar, në Amerikën e Jugut, Venezuelë, Brazil dhe në kontinentin më të largët, Australi. Në shekullin e 18-të shfrytëzohej si pemë dekorative dhe në shekullin e 19-të si rezultat i seleksionimeve u futën në kultivarë.
Vlerat ekonomike
Prodhimi i këtij fruti në botë arrin në 549.220 ton, 460 000 prej të cilave rezultojnë në Kinë, Spanja arrin në 43.300 ton e pasuar nga India, etj.
Kina është prodhuesi i parë në botë me 120.000 ha sipërfaqe dhe 460 000 ton prodhim në vit.
Spanja është prodhuesi i dytë në botë me 3700 ha dhe 45 000 ton prodhim në vit por mbetet eksportuesi i parë në botë, pasuar nga Turqia, India, Japonia, Pakistani dhe pak nga Kili, Greqia, Izraeli, Italia, Maroku dhe Portugalia.
Turqia është prodhuesi i tretë në botë me 820 ha dhe 12000 ton prodhim në vit (Polat, Caliskan 2007, Karadeniz and Senyurt 2007). Pas luftës së II Botërore, Japonia ka qenë prodhuesja më e madhe në botë.
Në vendin tonë ka ardhur gjatë viteve 1950 nga specialistë që udhëtonin jashtë për punë. U përhap në Tiranë, Durrës, Fier e Vlorë. Gjithmonë në kopshte familjare dhe dekorative. Përgjatë viteve 2008 deri në vitin 2012 pati një tendencë nga rritësit që në kopshtet e tyre të kultivonin loquat por dhe kjo nismë u shua, ndoshta për disa arsye; padurimi për të siguruar fitime financiare sa më shpejt dhe mosnjohja e vlerave të vitaminës C që ka ky frut si dhe pjekjes së tij në muajin e pranverës.
Klasifikimi botanik
Nespula verore ose loquat i takon familjes rosaceae, gjinia eriobotrya, specia eriobotrya japonica.
Gjinia eriobotrya ka 16 specie. Vetm Eriobotrya japonica është për frut. Speciet e tjera jane për n/shartesa dhe kultivarë dekorativë.
Pemë me gjelbërim të përhershëm. Dalin gjethet e reja që zëvendësojnë gjethet e vjetra pa u ndërprerë procesi vegjetativ. Pema arrin deri në 10 m lartësi.
Gjethet janë në formë shigjete ose eliptike, të mëdha, fillimin dhe fundin e kanë të ngushtë e zgjerohen në mes të gjethes. Ngjyra është jeshile e errët dhe kur del e reja, është jeshile më e çelët. Pjesa e poshtme e gjethes është jeshile e çelët. Gjethja në sipërfaqe të saj është e ashpër dhe si e rrudhosur.
Lulet janë të bardha dhe të vendosura në cluster, tufë. Lulëzimi ndodh në muajin nëntor deri në fillim të dhjetorit, në varësi të temperaturave dhe zonave ku janë mbjellë.
Fruti është 25-75 mm, me ngjyrë të verdhë dhe portokalli, sipas varietetit. Forma e frutit është në formë dardhe dhe rrumbullake. Cipa e frutit është e trashë dhe brenda gjendet tuli i lëngshëm me fara ngjyrë kafe. Farat mund të jenë 2 deri në 4 në sasi kur janë të mëdha dhe më shumë kur janë të vogla. Shija sipas varieteteve varion në të ëmbël, shumë të ëmbël dhe të athët. Destinacioni i pemës është për konsum të freskët dhe funksion dekorativ. Pjekja ndodh në muajin maj deri në fillim të qershorit, në varësi të temperaturave.
Frutifikimi i pemës fillon në vitin e 4 dhe të 5 të pas mbjelljes, kurse prodhimi i plotë pas 10-15 vjetësh. Kjo pemë ka nevojë për pjalmim të kryqëzuar.
Vlerat shëndetësore
Fruti ka fibër të lartë, vitaminë A, B dhe C, është antioksidant dhe është i ngrënshëm.
Fruti dhe gjethet kanë një vlerë të lartë. Janë anti-inflamatorë. Gjethet përmbajnë agjentë antitumoralë, kanë veti antidiabetike. Farat e lokuatit përmbajnë acid linolenik dhe sterol beta – sistosterol, të cilët mund të kontribuojnë në përmirësimin e funksionit të jetës.
Kushtet agronomike
Klima dhe toka
Adaptohet mirë në klimë mesdhetare dhe prodhon në tokat e agrumeve. Në përgjithësi adaptohet në të gjitha tokat por kërkon të jenë të drenazhuara. Rritet mirë në toka acide dhe toka alkaline.
Toleron temp – 10 ˚ C për frutin deri në temp – 3 ˚ C (Lin et al 2007). Duhet patur kujdes në rritje.
Shtimi
Shtohet me farë dhe me shartim dhe me copa.
Varietetet
Ka dy tipe loquati, tipi kinez dhe ai japonez. Ekzistojnë disa varietete por ato më të njohura që kanë hyrë dhe në vendin tonë janë:
Tanak – Lulëzon nga fundi i muajit nëntor dhe piqet në fund të muajit maj. Është frut mesatar, me ngjyrë të verdhë, ka 3 fara të vogla dhe forma e frutit është rrumbullake e me shije të ëmbël.
Precoce di Palermo – Lulëzon në mes të muajit nëntor dhe piqet në mesin e muajit maj. Fruti është me ngjyrë të verdhë, me 4 fara dhe i ëmbël.
a,b.c Lulëzim, gjethe, fruti
Prof. Ass. Dr. Tatjana Koka
Përgjegjëse për pemët frutore, farore dhe sub-tropikale, Instituti i Resurseve Gjenetike të Bimëve, UBT.