Valiphotos - www.pixabay.com

Kush i zotëron pyjet në Europë dhe si menaxhohen ato?

Pyjet europiane i përkasin rreth 16 milionë pronarëve privatë dhe publikë. Në BE, rreth 60% e sipërfaqes pyjore është në pronësi të privatit dhe 40% është pronë publike.

Pyjet publike janë në pronësi të komunave, qeverive rajonale ose kombëtare.

Pyjet private mund të përfshijnë lloje tradicionale, jo-industriale të pronësise private duke përfshirë familjet, fermat, komunitetet rurale, kishat dhe aristokratët e pasur. Pronarët privatë industrialë përfshijnë kompanitë e industrisë pyjore, psh., kompani që merren me prodhimin e pastës dhe letrës. Ekzistojnë gjithashtu lloje specifike që nuk janë plotësisht private dhe publike, të tilla si pyjet në pronësi të përbashkët nga qytetarët lokalë ose ferma, pronat që kthehen në format historike të pronësisë ose janë krijuar nga shoqëri në lëvizje.

Në përgjithësi, madhësitë e pronës variojnë nga nën një hektar deri në disa miliona hektarë. Megjithatë, pothuajse 90% e pronave pyjore private janë më të vogla se 10 hektarë, shumë të tjera janë edhe më të vogla. Të ardhurat e krijuara nga përdorimi i pyjeve shperndahen në një numër të madh të familjeve dhe individëve në shoqëri (në ndryshim psh., nga të ardhurat e krijuara nga burimet e qymyrit, naftës ose gazit).

Për shkak të rrethanave të ndryshme historike, juridike dhe shoqërore, modelet e pronësise publike dhe private ndryshojnë në vende të ndryshme të Evropës. Për shembull, në Evropën Veriore, rreth 70% e pyjeve janë në pronësi private, ndërsa në Evropën Juglindore rreth 90% janë publike. Ndërsa pronësia private qartë dominon në rajonet e Evropës Perëndimore, e kundërta ndodh në Evropën Lindore.

Shtrirja e të drejtave pronësore, të dhëna të pronarëve nga kornizat ligjore kombëtare gjithashtu ndryshojnë shumë, duke dhënë liri më të madhe për pronarët të cilët menaxhojnë pyjet në vendet e Evropës Perëndimore dhe më shumë kufizime ligjore ndodhin në Evropën Lindore.

Zhvillimet shoqërore dhe politike ashtu si dhe ndryshimet strukturore në bujqësi, urbanizimi, ndryshimet në stilin e jetesës si dhe kthimi dhe privatizimi i tokave, më pas rënia e Perdes së Hekurt më 1989 dhe decentralizimi, kanë çuar në ndryshime rrënjësore në modelet e pronësisë. Kur fermat e vogla heqin dorë, toka bujqësore zakonisht u shitet fermerëve të tjerë, por pyjet shpesh mbahen në familje dhe mund të bëhen pronë e pronarëve jo-bujqësorë të cilët kanë një stil jetese urbane. Kompensimi për tokat e shtetëzuara për ish -pronarët e saj ka qenë një ndryshim i madh (dhe ende në vazhdim) për disa vende të Evropës Lindore. Privatizimi i pyjeve shtetërore vërehet në shtetet baltike. Qëllimet dhe motivet për të menaxhuar pyjet e tyre nga pronarët ndryshojnë në mënyrë thelbësore. Kjo varet nga madhësia e pyjeve, lidhja e tyre me pronën, preferencat e tyre në lidhje me ekonominë, mjedisin e vlerat sociale dhe fleksibilitetin e tyre për t’iu përgjigjur tendencave të tregut. Vendndodhja rajonale dhe infrastruktura (psh., a ka një industri vendase që përdor dru) është gjithashtu e mundshme të ketë një efekt të madh. Të gjitha këto së bashku ndikojnë në mënyrën se si menaxhohen pyjet dhe mbi produktet dhe shërbimet të cilat i ofrohen shoqërisë.

Ndërsa pronarët shtetërorë të pyjeve, në përgjithësi menaxhojnë në mënyrë aktive pyjet e tyre sipas objektivave të biznesit, politikës dhe shoqërisë dhe ka një ndryshim të gjerë në krahasim me pyjet private, veçanërisht në pronësinë e pyjeve në shkallë të vogël. Kjo mund të shkojë nga pjesëmarrja aktive në treg deri në vetë shkallëzimin e produkteve pyjore, duke e mbajtur pyllin e tyre si rezervë për investime familjare, për motive altruiste dhe pa përdorur fare menaxhim. Në veçanti pronarët e pronave shumë të vogla shpesh i mungojnë njohuritë, aftësitë, kapacitetet dhe interesin për menaxhimin e pyjeve.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm është urbanizimi i pronarëve; disa kanë pak ose aspak lidhje me pyjet e tyre, ato mund të jetojnë larg apo mund të mos e dinë se janë pronarë të këtyre pyjeve. Kjo është e vërtetë si për vendet e Evropës Perëndimore (p.sh. pyjet e trashëguara në pronësi të njerëzve urbanë) dhe për vendet e Evropës Lindore ku pronat pjore të kthyera pronarëve të ligjshëm, shpesh u mungon lidhja me pronat e tyre të fituara. Në kontrast me mirëkuptimin e sjelljes nga zotëruesit tradicionalë të pyjeve, në shumicën e vendeve ka shumë më pak njohuri për pronarët e tjerë të pyjeve dhe llojet, motivet dhe preferencat specifike të tyre.

Pronësia më e fragmentuar e pyjeve e cila është dhe më e rëndësishmja (por dhe më e vështirë), është të bësh bashkë pronarët e pyjeve për qëllime dhe politika pyjore të përbashkëta. Fragmentimi shpesh çon në një ekonomi jo efektive në menaxhimin e pyjeve (korrjet dhe transaksionet më të mëdha kushtojnë), stimuj për investime në praktikat e qëndrueshme pyjore dhe problemet më të mëdha të menaxhimit lidhen me sigurimin e shërbimeve mjedisore, përfshirë kafshët e egra, ujin, mundësitë e rekreacionit dhe mbrojtjen e tokës. Sidoqoftë, menaxhimi i përbashkët nga shoqatat pyjore private, iniciativat pyjore të çertifikimit dhe mbështetja nga shërbimet këshilluese mund t’i adresojnë zgjidhje këtyre disavantazheve. Diversiteti i pronarëve të pyjeve gjithashtu përfaqëson një pasuri në mozaikun e menaxhimit dhe  mund të rrisin elasticitetin e pyjeve, nivelin e peizazhit në biodiversitet dhe të ndihmojë për të siguruar një larmishmëri me shërbimet e ekosistemit pyjor.

 

Dr. Ina Vejsiu
Departamenti i Pyjeve, Fakulteti i Shkencave Pyjore, UBT.

Na Ndiqni në: