Kapilariet e gjitarëve

Capillaria bovis Schyder, 1906. Capillaria bovis është parazit i zorrëve të holla në rreth 30 lloje të ripërtypësve në të gjithë botën që kryesisht i përkasin përfaqësuesve të familjeve Bovidae, Cervidae dhe Antilocapridae Gjithashtu intereson dhe përfaqësues të familjeve Giraffidae dhe Camelidae. Paraziton në gjedhë por takohet më pak dhe në ruminantët e tjerë. Mashkulli është 8-13 mm dhe femra 12-20 mm, vezët janë 40-45 x 20-25 µ. Cikli biologjik i tyre është i drejtëpërdrejtë pa përbujtës ndërmjetës. Klinika e tyre shpesh herë pothuajse mungon fare tek përbujtësit sepse këto kapilarie janë pak patogjene. Diagnoza e tyre kryhet me metodën e notimit në feçet e ruminantëve.

Capillaria brevipes Ranson, 1911. Është e njohur me sinonimet Aonchotheca brevipes, Baruscapillaria brevipes, Pterothominx brevipes, Thominx brevipes, Trichocephalus brevipes, Trichosoma brevipes, Trichosomum brevipes, Tridentocapillaria brevipes. Paraziton në gjedhë, dhen dhe dhi. Janë të përhapura në të gjithë botën. Mashkulli është 8-13 mm dhe femra 12-20 mm. Vezët janë 40-45 x 20-25 µ. Cikli biologjik i tyre është i drejtëpërdrejtë pa përbujtës ndërmjetës. Klinika e tyre shpesh herë pothuajse mungon fare tek përbujtësit sepse këto kapilarie janë pak patogjene. Diagnoza e tyre realizohet me metodën e notimit në feçet e ruminantëve.

Capilaria aerophyla Creplin, 1839. Njihet dhe si Eucoleus aerophilus.. Përbujtësi përfundimtar janë qentë, dheprat, kunadhet, ujku dhe kafshë të tjera mishngrënës të egër (rrëqebull, rakun etj). Takohet në të gjithë globin. Paraziti lokalizohet në bronke, trake, kavitetin nazal dhe në sinuset frontale. Mashkulli është 22-24 mm dhe femra 25-32 mm. Vezët janë 60-80 x 30-40 µ granulare, me ngjyrë jeshile të errët dhe në çdo skaj të tyre kanë karakteristikë prezencën e tapave të vogla skajore. Capillaria aerophila është e lidhur me sëmundjen e frymëmarrjes së maceve dhe qenve. Disa raste të infestimit njerëzor janë raportuar gjithashtu. Infestimi nga C. aerophila quhet “kapilariozë pulmonare, kapilariozë bronkiale ose (rrrallë) thominksozë”. Cikli biologjik është i drejtëpërdrejtë pa përbujtës të ndërmjetëm. Vezët e prodhuara nga parazitët e rritur dalin në mukus dhe mund të dalin në ambjent nëpërmjet gojës ose hundës por dhe me feçe në rastet kur kapërdihen në aparatin tretës. Vezët në ambjentin e jashtëm shndrohen në larva invazive pas 5-7 javësh. Veza mund të rezistojë në varësi të kushteve ambjentale në katë stad deri në një vit. Përbujtësi infestohet kur i merr larvat invazive me ujin ose ushqimet e tij. Në stomak dhe zorrë prej vezës çlirohet larva invasive e cila migron dhe me qarkullimin e gjakut dhe limfës lokalizohet në mushkëri, bronke sinuse etj. C. aerophila zakonisht shkakton vetëm simptoma të vogla klinike të tilla si acarim i traktit respirator dhe kollitje. Krimbat mund të gjenden në pasazhet e hundës, sinuse, trake dhe bronke. Prania e krimbave shkakton inflamacion të butë kataral dhe mund të shkaktojë kollitje në qentë, por jo në të gjitha rastet. Në infestim të rëndë mund të shkaktojë pengim të lumenit të rrugëve të frymëmarrjes dhe mund të zhvillohet bronkopneumonia sekondare nga infeksionet dytësore bakteriale të traktit respirator, që mund të zhvillohen në infestime të rënda. Përgjithësisht përbujtësi ka inflamacione të cilat kanë për shkak ngacmimet që paraziti i bën mukozës së organit ku lokalizohet. Komplikacionet vijnë si pasojë e ngarkimit të vatrave të inflamacionit në rrugët e frymëmarrjes nga mikroflora e rrugëve. Patogjeneza e sëmundjes është në raport të drejtë me numrin e parazitëvë të rritur që parazitojnë në rrugët e frumëmarrjes, sinuse, kavitetin nazal dhe bronke. Bronkopneumonia është shpesh tregues i prezencës së kapilarieve në këto rrugë.  Kafshët kanë kollë, sekrecione muko-purulente nga hundët dhe në rastet më të rënda mund të vëzhgohen dhe rrjedhje hemoragjike. Kafshët kanë vështirësi në frymëmarrje dhe mund të kenë dhe temperaturë. Në varësi të kohëzgjatjes së parazitozës vrehen dobësi progresive, pakësim i prodhimtarisë, anemi dhe në rastet e infestimeve të rënda mund të përfundojnë me ngordhje. Diagnoza është koproskopike. Klinika në rastet që u lart përmendën mund të jetë orientuese për të ekzaminuar feçet me notim për të gjetur vezët e kapilarieve. Edhe rrjedhjet e hundëve mund të shërbejnë si material për të gjetur vezët. Trajtimi me antihelmintikë, siç është levamisoli ose fenbendazoli, zakonisht është i mjaftueshëm për të kuruar infestimet prej C. aerophila. Terapia në mishngrënës konsiston në përdorimin e levamisolit 5 mg-kg subkutan për pesë ditë rrjesht. Përsëritja e terapisë pas një jave ka rezultuar e suksesshme për trajtimin e kapilariozave. Profilaksia konsiston në kontrolle të herë pas hershme të feçeve të mishngrënësve për praninë e vezëve, trajtimet individuale me levamisol, higjenë në vend mbajtjet e mishngrënësve shtëpiakë dhe dizinfektime të vend qëndrimeve të tyre.

Capillaria gastrica (Baylis, 1926) Baylis, 1931. Është shkaktar i kapilariozës së brejtësve. Vend lokalizimi i shkaktarit është duodeni dhe ileumi i brejtësve. Takohet në Amerikë, Japoni dhe Europë. Paraziti mashkull është nematod 2,1-3,6 mm i gjatë, ndërsa femra është 0,4-1,2 mm. Vezët e  Capillaria gastrica janë 56-74 x 23-24 µ.

Capillaria annulosa (Dujardin, 1945) Travassos, 1915. Është shkaktar i kapilariozës së iriqëve por më rrallë dhe brejtësve. Vend lokalizimi i shkaktarit është duodeni dhe ileumi. Kjo kapilariozë takohet vetëm në Europë. Paraziti mashkull është nematod 1,4-2,1 mm i gjatë x 0,4-0,6 mm, ndërsa femra është 2,1-3,5 x 0,1-0,2 mm. Vezët e Capillaria annulosa janë 50-70 x 23-24 µ.

Capillaria hepatica Brancroft, 1838. Capillaria hepatica = Calodium hepaticum, intereson rastësisht qentë dhe njerëzit. Bujtësit kryesorë përfundimtarë janë rodentët (rats, minj, lepujt) dhe majmunët. Takohet në të gjithë globin. Paraziti i rritur është një nematod 4-8 cm. Krimbat e rritur marrin formën e një nematodi të hollë, me pjesën e përparme të trupit të ngushtë dhe pjesa e prapme gradualisht me e fryrë.Femrat jane 53-78 mm x 0.11-0.20 mm, por meshkujt janë rreth 24-37 mm x 0.07-0.10 mm. Krimbat e rritur rrallë shikohen, pasi ata piqen dhe vdesin në parenkimën e mëlçisë, sepse vend lokalizimi i tyre është mëlçia e përbujtësit dhe shpesh njihen me sinonimin Hepaticola hepatica. Femrat adulte pas fekondimit depozitojnë vezë që janë rreth 48-66μm x 28-36μm në parenkimën e mëlçisë. Herë pas here larvat mund të emigrojnë në mushkëri, veshka dhe organe të tjera. Cikli biologjik i tyre realizohet nga përhapja e larvave invazive të cilat ndodhen në mëlçinë e brejtësve dhe këta hahen nga grabitqarët e tyre ku nga feçet e grabitqarit në ambjentin e jashtëm çlirohen të lira vezët që ndodhen në mëlçinë e tyre. Vezët në ambjent kthehen në vezë invazive. Brejtësit infestohen kur marrin këto vezë me ushqimet e tyre. Veza e parazitit është e zhveshur me shenja polare në të dyja anët. Vezët do të embrionojnë në mjedis, ku kërkojnë që ajri dhe lagështia të bëhen optimale dhe kjo zgjat rreth 30 ditë. Në brejtësit vrehen hepatite granulomatoze, ciroza dhe peritonite. Parazitoza në njerëz shfaq një kuadër të rendë me prognozë të keqe. Dëmtimet e rënda që ajo shkakton në mëlçi si hepatitet akute, splenomegalia, peritonitet, ascitet dhe cirozat hepatike zakonisht sjellin vdekje. Diagnoza rezulton të jetë e vështirë. Vetëm marrja e materialit prej mëlçisë së pacientit të vdekur ose biopsia mund të ndihmojë për të gjetur vezët e kapilaries në parenkimë. Trajtimi i të sëmurit në forma të rënda zakonisht nuk është efektiv.

Capillaria felis-cati Diesing, 1851. Capillaria feliscati = Pearsonema feliscati. Përbujtës përfundimtar rastësor është macja dhe përfaqësues të tjerë të egër të familjes Felidae. Janë krimbat e fshikëzës së urinës në mace dhe më rrallë në qen. Bujtësit kryesorë përfundimtarë janë mishngrënës të egër (dhelpra, ujq, kojotë, iriqë, etj.). Sëmundja takohet në të gjithë globin. Vend lokalizimi i tij është fshikëza e urinës dhe më rrallë ureterët dhe uretra. Mashkulli është 25-30 x 0,03-0,06 µ, ndërsa femra 28-45 x 0,03-0,14 µ. Vezët 51-62 x 24-32 µ janë eliptike dhe në stadin e zigotës kur dalin me urinën në ambjentin e jashtëm. Capillaria feliscati është një parazit që mund të irritojë mukozën e sistemit urinar (fshikëz dhe trakt), ndonjëherë me urinim dhe mosmbajtje të dhimbshme. Në macet me një infeksion të rëndë, simptomat mund të përfshijnë urinim të shpeshtë, urinim të dhimbshëm, urinë të përgjakur, lodhje për të urinuar. Macet e infestuara zakonisht janë mbi 8 muajshe. Shenjat klinike ose simptomat tek bujtësit e tjerë të prekur përfshijnë dhimbje barku, ethe, fshikëza e dhimbshme dhe bllokimi i urinës. Diagnoza bazohet në gjetjen e larve dhe fragmenteve të të rriturve në sedimentin e urinës. Vezët janë karakteristike në dukje: në formë limoni me ngjyrë të verdhë në kafe me të fryra karakteristike në të dy anët e vezëve. Ky parazit lehtësisht trajtohet me fenbendazol dhe ivermektine. Fenbendazoli jepet në 25 mg/kg çdo 12 orë për 10 ditë.

Capillaria putorii = Aonchotheca putorii është një kapilarid parazit i stomakut të maceve. Ai i prek macet herë pas here si bujtës përfundimtar të rastësishëm. Ndërkohë që bujtësit kryesorë përfundimtarë janë gjitarët e egër si vidrat, derrat e egër, etj.

Capillaria boehmi. E njohur dhe si Eucoleus boehmi dhe intereson mukozën e hundës dhe sinuset. Krimbat e rritur janë nga 15 mm deri në 40 mm. Bujtësit definitivë janë qentë, dhelpra, ujqër dhe kanidë të tjerë. Bujtës paratenikë janë krimbat e tokës. Cikli jetësor i këtij paraziti është i ngjashëm me atë të C. aerophilia. Bujtës definitiv infestohet kur merr një vezë infestive ose një krimb që zhvillon një larvë infestive në indet e saj. Larva infestive lë vezën ose krimbat në zorrën e hollë të bujtësit dhe depërton në muret e tyre. Larva është bartur nga gjaku në mukozën e zgavrës së hundës. Atje në mukozën e zgavrës së hundës dhe sinuset frontale dhe paranazale zhvillohet në fazën adulte. Vezët qe prodhojnë adultët dalin në lumenin e këtyre organeve dhe të mbartura në pjesën e pasme të fytit me mukusin, gëlltiten dhe më pas përfundojnë me fece. Vezët në mjedis arrijnë infektivitetin midis 7 dhe 30 ditësh kur mbahen në 20 ° C. Në lloje të tjera të Capillaria nëse një krimb i tokës bie në kontakt me një vezë infestive, veza çel në zorrën e krimbit dhe larva migron në indet e tij ku pret një bujtës përfundimtar për të ngrënë krimbin. Vendi ku paraziti i rritur gjendet në bujtësin përfundimtar është mukoza e zgavrës së hundës; sinuset frontale dhe paranazale. Faza e diagnostikimit ka të bëjë me gjetjen e vezës tipike bipolare (asimetrike) dhe madhësi 60 μm me 30 μm.  Testi i zakonshëm diagnostikues është teknika e notiimit në fece. Mund të aplikohen dhe ekzaminime të tamponit të hundës (nëse bujtësi ka rrjedhje të hundës). Shenjat klinike janë zakonisht asimptomatike në qen. Ndonjëherë shkakton teshtima dhe një lëshim mukopurulent (ndonjëherë i përgjakshëm). Trajtimi medikamentoz realizohet me milbemicine në një dozë më të lartë se doza normale dhe moxidectine.

Capillaria plica = Pearsonema plica. Njihet si krimbi i fshikëzës së urinës së qenve. Intereson shpesh herë qentë dhe me rallë macet. Bujtësit kryesorë përfundimtarë janë mishngrënës të egër (dhelpra, ujq, kojotë, cakenj etj.). Gjendet në mbarë botën në rajone të buta dhe tropikale me përjashtim të Australisë. Krimbi i fshikëzës së urinës së qenve është një nematod parazitar, i cili më së shpeshti gjendet në fshikëzën urinare, dhe herë pas here në veshka. Ai është gjetur gjithashtu në macet shtëpiake dhe në gjitarë të ndryshëm të egër. Prania e tij zakonisht nuk sjell simptoma klinike, por në disa raste të rralla çon në hematuri (gjak në urinë), cystitis (inflamacion i fshikëzës urinare), ose vështirësi në urinim.  Capillaria plica gjendet shpesh në urinë, fshikëzën urinare ose veshkat e qenve dhe maceve në Amerikën e Veriut, Evropë, Azi dhe Afrikë. Ajo është identifikuar gjithashtu në fshikëzën urinare dhe në veshkat e disa gjitarëve të egër në Amerikën e Veriut (Canis latrans, Taxidea taxus, Mustela vison, Procyon lotor, Blarina brevicauda) dhe në Evropë (Ursus arctos, Mustela lutreola, Meles meles, Felis lynx): Në qen dhe mace, vezët e Capillaria plica lëshohen në urinën e bujtësit definitiv. Larvat e fazës së parë (L1) zhvillohen brenda vezës brenda 30-36 ditëve. Kur hahen nga bujtesi i ndërmjetëm – krimbat e tokës të gjinisë Lumbricus ose Dendrobaena – larvat e L1 dalin në zorrën e krimbit dhe përmes murit të zorrëve shpërndahen në indin lidhës në të gjithë trupin e krimbit. Nëse krimbat merren nga gjitarët, larvat kthehen në larvat e fazës së dytë (L2), depërtojnë nëpër muret e zorrëve dhe kthehen në larvat e fazës së tretë (L3). L3 përmes sistemit të qarkullimit të gjakut shkon në glomerulet e veshkave nga ku udhëtojnë prej uretrës në fshikëzën urinare 33 ditë pas infestimit. Këtu ata piqen dhe riprodhohen seksualisht dhe prodhojnë vezë të fekonduara në urinë brenda rreth 60 ditësh nga infestimi. Shumica e kafshëve të infektuara nuk shfaqin simptoma klinike. Në rastet e infestimit të rëndë, simptomat mund të përfshijnë cystitis (inflamacion i fshikëzës urinare), proteinuria e butë (proteina në urinë) dhe hematuria (gjak në urinë). Është raportuar gjithashtu inflamacioni i butë i ureterit. Diagnoza në rastet e hematurisë ose cystitis bëhet duke gjetur vezë në sedimentin e urinës. Është raportuar një trajtim i suksesshëm me levamisol, ivermektine ose fenbendazole.

Capillaria philippinensis. Bujtës përfundimtarë shërbejnë zogjtë peshkngrënës dhe të gjithë peshngrënësit duke përfshirë njeriun. Bujtës i ndërmjetëm dhe bujtës paratenik janë peshqit. Takohet më shumë në Azi dhe Indokinë. Adultët e C. philippinensis janë shumë të vegjël. Meshkujt arrijnë gjatësinë maksimale prej 1.5-3.9 mm dhe gjerësi maksimale 23-28 μm, ndërsa femrat e rritura janë 2.3-5.3 mm të gjata dhe gjerësi maksimale 29-47 μm. Vezët jane 36-45 μm të gjata dhe 20 μm të gjera me formën karakteristike të kapilarideve. Cikli i plotë i jetës së C. philippinensis mund të jetë ose indirekt (që përfshin një bujtës të ndërmjetëm) ose i drejtpërdrejtë. Cikli i jetës indirekt ndodh nga zogjtë që hanë peshk, të cilat i mbajnë të rriturit C. philippinensis në zorrët e tyre dhe lëshojnë vezë të embrionuara në fecet e tyre. Kur këto vezë merren nga peshqit larvat e C. philippinensis celin në zorrët e peshkut. Nëse me peshqit e infestuar ushqehen shpendët larvat zhvillohen në traktin e zorrëve të tyre. Larvat nga peshqit gjithashtu zhvillohen në të rritur kur me këta peshq ushqehen gerbilë ose majmunë. Gjithashtu janë gjetur peshq të natyrshëm të infektuar (Hypseleotris bipartita dhe Apagon sp.) dhe shpendët (Ixobrychus sp.). Njerëzit infestohen kur hanë peshk të papërpunuar ose peshq të cilat kanë larvat infestive në organizmin e tyre. Peshqit e papërpunuar që zakonisht hahen nga disa prej kulturave aziatike në të cilat janë gjetur infestime  prej C. philippinensis. Shumë lloje të disa peshqve, përfshirë Cyprinus carpio, Puntius gonionotus, Rasbora borapetensis, Eleotris melanosoma, Ambassis commersoni dhe Apogon sp., rezultojnë pozitive me larva infestive të C. philippinensis. Infestime janë vrejtur në zogjtë peshkngrënës duke përfshirë Anourornis phoenicurus, Ardeola bacchus, Nycticorax nycticorax, Bubulcus ibis, Ixobrychus sinensis, Gallinula chloropus dhe Rostratula benghalensis që shërbejnë si bujtësit kryesorë përfundimtarë. Cikli i jetës direkt ndodh gjatë ushqimit me larva nga zorrët e peshkut në gerbilët mongolianë (Meriones unguiculatus) ose majmunët (Macaca sp.) që sjellin infestimin me mijëra krimba të rritura nëpërmjet “autoinfestimit”. Autoinfestimi ndodh kur pasardhësit mund të riinfestojnë të njëjtin bujtës. Të dy mënyrat, oviparët dhe larviparët (duke lindur në larvat aktive) femrat e rritura të C. philippinensis u gjetën në gerbilët mongoliane dhe disa zogj. Majmunët e infestuar në mënyrë eksperimentale kurrë nuk zhvilluan ndonjë simptomë klinike, madje edhe gjatë infestimeve të zgjatura aktive. Në disa brejtës kjo kapilariozë zhvillon simptoma të rënda dhe ngordhje.  Megjithëse infestimet prej C. philippinensis janë të rralla, mund të shërbejë si një tregues se duke u ekspozuar ndaj peshqve të papërpunuar ose të pagatuar mund të rriskohet shumë. Diagnoza e hershme e parazitit është e dobishme dhe kështu pengon që numri i krimbave në një person të infestuar të mund të rritet.  Krimbat depërtojnë në mukozën e zorrëve të vogla dhe duke u futur në lumen. Ndërsa përparojnë në trup, ato shkaktojnë degjenerimin e mukozës dhe submukosës. Capillaria philippinensis (= Paracapillaria phillipinensis) and Capillaria hepatica (= Calodium hepaticum) janë gjithashtu parazitë të njerëzve. Një numër i vogël i rasteve të infestimit të njerëzve është vrejtur dhe prej Capillaria aerophila (= Eucoleus aerophilus). Njerëzit e infestuar mund të kenë dhimbje të barkut, diarre, humbje peshe, dobësi dhe anoreksi. Ata gjithashtu përjetojnë humbjen e proteinave dhe elektrolitëve dhe keqpërdorimin e yndyrave dhe sheqernave. Nëse simptomat dhe numri i krimbave rriten, kjo mund të çojë në vdekje. Ky parazit mund të diagnostikohet duke marrë një biopsi të indeve nga zorra e hollë ose duke ekzaminuar mostrat e feceve përmes një koproskopie notuese mikroskopike. Në një individ të infestuar rëndë është më mirë që të shqyrtohen fecet e tyre per krimba të rritur dhe vezë. Kur shikojmë vezët e C. philippinensis, duhet të jemi në gjendje ta dallojmë atë nga vezët e Trichuris trichiura. Infestimet prej C. philippinensis duhet të trajtohen me 200 mg mebendazol. Ky medikament merret dy herë në ditë për 20 ditë ose derisa të gjitha simptomat të zhduken dhe nuk ka më vezë të pranishme në mostrat e feceve të pacientit. Një tjetër medikament që mund të përdoret është albendazol 400 mg, i cili merret me gojë çdo ditë për të paktën 10 ditë.

 

Prof. Asoc. Dr. Bejo Bizhga
Departamenti i Moduleve Paraklinike, Fakulteti i Mjekësisë Veterinare, UBT.

Na Ndiqni në: