Integrimi i fermerëve të vegjël në zinxhirin e vlerës në sektorin rural

Sektori rural është një nga sektorët më të rëndësishëm në Shqipëri, referuar kontributit në prodhimin e brendshëm bruto, nivelit të punësimit në vend dhe mirëqënies së popullsisë që jeton në zonat rurale.

Ky sektor karakterizohet nga një madhësi e vogël e fermave (1.2 / ha), numër i lartë i ngastrave (3-5/fermë) si dhe një nivel i ulët i mekanizimit dhe intensifikimit të prodhimit. Sipas strukturës, 86 % e fermave në vendin tonë janë deri në 2 ha dhe 14 % janë me një madhësi më shumë se 2 ha (FAO, 2020).

Rritja e madhësisë së fermës, intensifikimi i prodhimit, rritja e efikasitetit të përdorimit të burimeve dhe konkurrueshmërisë, konsiderohen si disa nga sfidat kryesore të këtij sektori për vendin tonë.

Zhvillimi i sektorit rural shoqërohet me probleme që lidhen me madhësinë dhe vendndodhjen e fermave bujqësore, çmimet e inputeve, qasjen në financime, marketingun dhe shitjen e produkteve bujqësore.

Funksionimi i zinxhirit të vlerës (ZV), marrëdhëniet midis aktorëve, forcimi i lidhjes me tregun përbëjnë disa nga problemet strukturore me të cilat ballafaqohet bujqësia shqiptare dhe fermerët e vegjël në zonat rurale.

Një komponent i rëndësishëm për të përballuar këto sfida dhe problematika, është integrimi i fermerëve përmes zinxhirit të vlerës. Zhvillimi dhe modernizimi i zinxhirit të vlerës në sektorin bujqësor është një instrument vendimtar për vendet në zhvillim, duke ofruar mundësi për të rritur të ardhurat, për të zvogëluar varfërinë dhe për të siguruar zhvillimin e qëndrueshëm rural.

Përfshirja e fermerëve të vegjël në zinxhirin e vlerës është thelbësore për rritjen e prodhimit, përmbushjen e objektivave komercialë dhe socialë si dhe një mekanizëm për rritjen e efikasitetit.

Sektori rural duhet të transformohet në një sektor fitimprurës që mund të garantojë siguri ushqimore, të tërheqë investime, zhvillim të qëndrueshëm dhe të sigurojë punësim, veçanërisht për të rinjtë në zonat rurale.

Qëllimi i këtij punimi është të analizojë se cilat janë përfitimet dhe sfidat për fermerët e vegjël si rezultat i përfshirjes/integrimit në zinxhirin e vlerës në sektorin bujqësor.

Sfidat dhe strategjitë për zhvillimin e zinxhirittë vlerësnë sektorin bujqësor

Referuar ndryshimeve të shpejta në sektorin agro-ushqimor gjatë dy dekadave të fundit, pjesëmarrja e pronarëve të vegjël në zinxhirin e vlerës është një strategji për rritjen e të ardhurave dhe mirëqënies në zonat rurale. Është një mënyrë për të rritur aksesin e fermerëve në tregje për inpute dhe shërbime të tjera si dhe për të rritur produktivitetin dhe efikasitetin.

Praktikat dhe studimet sugjerojnë se shoqatat e fermerëve mund të luajnë një rol në integrimin e pronarëve të vegjël në zinxhirët e vlerës dhe në rritjen e përfitimeve të tyre. Një nga qasjet më të drejtpërdrejta në zhvillimin e zinxhirëve gjithëpërfshirës të vlerës është ndihma e drejtpërdrejtë për fermerët nga agjensitë rajonale të zhvillimit bujqësor si dhe institucionet kërkimore.

Fermerët shpesh përballen me kufizime në zinxhirin e vlerës për shkak të mungesës së informacionit dhe njohurive, madhësisë së fermave, aksesit në financime, teknologjisë,si dhe infrastrukturës mbështetëse.

Zhvillimi i suksesshëm i zinxhirit të vlerës ka efekte të rëndësishme pozitive, të drejtpërdrejta dhe të tërthorta, në rritjen e prodhimit dhe produktivitetit si dhe përmirësimin e cilësisë së produkteve.

Zhvillimi i zinxhirit të vlerës përfshin adresimin e disa kufizimeve me të cilat përballen fermerët dhe prodhuesit, përpunuesit dhe tregtarët.

Kjo do të sjellë në mënyrë të pashmangshme një gamë të gjerë aktivitetesh të tilla si sigurimine inputevetë nevojshme, ofrimine shërbimeve për fermerët, aksesin për financime, si dhe rritjen e aksesit në treg.

Zhvillimi i zinxhirit të vlerës si pjesë e një strategjie të zhvillimit rural.

Zhvillimi gjithëpërfshirës i zinxhirit të vlerës është përcaktuar si një ndryshim pozitiv për të zgjeruar ose përmirësuar operacionet si dhe për të gjeneruar përfitime sociale për fermerët e vegjël, karakterizuar nga akses të kufizuar në inpute, teknologji, financime dhe tregje.

Në shumë vende, zhvillimi rural barazohet në mbështetjen për fermerët e mëdhenj, me arsyetimin se vetëm fermat e mëdha mund të përfitojnë nga ekonomitë e shkallës dhe teknologjitë moderne të prodhimit. Por zhvillimi rural duhet të shqetësohet edhe për fermerët e vegjël.

Fermerët e vegjël përballen me një sërë problematikash që janë specifike për kushtet e tyre, si aksesi për kredi, qasja në inpute, cilësia e produkteve, informacioni për tregjet, bashkëpunimin midis tyre si dhe integrimi në zinxhirin e vlerës.

Në kontekstin e zinxhirit të vlerës, duke përfshirë grupet e veprimit kolektiv dhe forcimin e lidhjeve me aktorët e tjerë, është e rëndësishme të analizohen:

  • konceptet, metodat dhe mjetet për adresimin e sfidave dhe nevojave specifike në zinxhirin e vlerës;

 

  • identifikimi i faktorëve që ndikojnë në integrimin e fermerëve të vegjël në zinxhirin e vlerës;

 

  • strategjitë dhe ndërhyrjet për të mbështetur përfshirjen e pronarëve të vegjël në zinxhirin e vlerës.

Lidhja midis sektorit bujqësor dhe zhvillimit të zinxhirit të vlerës

Zinxhiri i vlerës në sektorin bujqësor paraqet mundësi të reja për shtimin e vlerës dhe rritjen e të ardhurave për fermerët e vegjël që hyjnë në këto tregje.

Bujqësia në vendet në zhvillim përballet me disa barriera si produktiviteti i ulët, kosto të larta transaksioni për të hyrë në tregjet me vlerë të lartë, rajonale dhe globale, (Ëiggins et al., 2010).

Praktikat dhe studimet e ndryshme, tregojnë se modelet që bashkojnë palët e interesuara rreth zinxhirit të vlerës mund të rezultojnë në produkte, procese, norma dhe sjellje të reja, nga të cilat përfitojnë dhe fermerët e vegjël.

Shumica e fermerëve të vegjël nuk janë të lidhur me tregjet për një sërë arsyesh si: largësia, infrastruktura, prodhimi i ulët, çmimet, standardet e larta që kërkohen si dhe mungesa e informacionit.

Adresimi i këtyre çështjeve janë kusht për të siguruar lidhje sa më efikase të fermerëve të vegjël me tregjet që do të sjellë rritjen e të ardhurave, punësimin dhe reduktimin e varfërisë në zonat rurale.

Faktorët që ndikojnë në integrimin e fermerëve në zinxhirin e vlerës.

  1. Shoqatat e Fermerëve. Praktikat tregojnë për rolin që luajnë shoqatat e fermerëve në integrimin e fermerëve të vegjël në zinxhirin e vlerës.
  • Së pari lidhet me uljen e kostove të transaksionit në integrimin e fermerëve të vegjël në zinxhirët e vlerës. Kontraktimi me një shoqatë fermerësh (p.sh. një kooperativë) sesa në mënyrë individuale me fermerët e vegjël, sjell në reduktimin e kostove të transaksionit për blerjen e pajisjeve, plotësimin e kërkesave të blerësit, trajnimin e fermerëve, sigurimin e cilësisë etj.

 

  • Së dyti shoqatat e fermerëve, zvogëlojnë kufizimet e kapitalit njerëzor dhe financiar për integrimin e pronarëve të vegjël në zinxhirët e vlerës. Prodhimi i produkteve me vlerë të lartë kërkon zakonisht trajnime dhe mbështetje të fermerëve në aktivitete të veçanta të prodhimit dhe marketingut. Përmes shoqatave, fermerët e vegjël kanë akses më mirë në financime dhe shërbime, gjë që mund t’u sigurojë mundësinë për të kryer investimet e kërkuara.

 

  • Argumenti i tretë për shoqatat e fermerëve është rritja e fuqisë negociuese të fermerëve. Nëpërmjet veprimeve kolektive, fermerët mund të jenë në një pozicion më të fortë në zinxhirin e vlerës. Shoqatat mund të kontribuojnë në arritjen e ekonomive të shkallës dhe zvogëlimit të kostove të transaksioneve për fermerët e vegjël dhe të sigurojnë një jetesë më të mirë për familjet e tyre.
  1. Kontraktimi është një mënyrë për të adresuar dështimet e tregut duke integruar fermerët e vegjël në zinxhirin e vlerës në sektorin bujqësor, duke u siguruar atyre kontribute, ndihmë teknike dhe qasje në treg. Standardet dhe kontratat mund të luajnë një rol të rëndësishëm, për arsye se fermat e vogla mund të mos jenë në gjendje të plotësojnë kërkesat për shkak të mungesës së kapacitetit teknik dhe financiar. Gjithashtu, kostot e transaksioneve për të plotësuar dhe përmbushur standardet mund të jenë shumë të larta në rastin e produkteve të prodhuara nga fermerët e vegjël. Për më tepër, kontratat e specifikuara që përfshijnë zgjerimin e fermave dhe programet ndihmëse mund të lehtësojnë kufizimet financiare dhe teknike me të cilat përballen fermerët e vegjël në përmbushjen e standardeve të kërkuara.

Figura 1. Zinxhiri i vlerës në sektorin bujqësor_Vaji i Ullirit

Për të analizuar rëndësinë e integrimit të përfshirjes së pronarëve të vegjël në zinxhirin e vlerës, në tabelën e mëposhtme analizohen proceset kryesore, aktorët dhe aktivitetet që përfshihen në zinxhirin e vlerës.

Tabela1.Proceset, aktorët dhe aktivitetet në zinxhirin e vlerës_Vaji i Ullirit

 

Sipas Bolëig et al. (2011), evidentohen katër strategji për zhvillimin dhe modernizimin e zinxhirit të vlerës në sektorin bujqësor:

  1. Përmirësimi i koordinimit të zinxhirit të vlerës që përfshin dy dimensione: Koordinimi horizontal karakterizohet nga bashkëpunimi midis prodhuesve që mundëson veprimin kolektiv për të zvogëluar kostot e transaksionit, për rritur të ardhurat dhe reduktuar rrisqet. Koordinimi vertikal karakterizohet nga marrëdhëniet midis aktorëve të ndryshëm në zinxhirin e vlerës (si, prodhuesit, përpunuesit dhe tregtarët, etj.) përmes veprimeve të ndryshme kontraktuale.
  2. Përmirësimi i procesit dhe produktit: Kjo nënkupton rritjen e performancës brenda një procesi të veçantë në zinxhirin e vlerës duke përmirësuar teknologjinë dhe praktikat e menaxhimit. Përmirësimi i procesit përfshin përmirësimin e produktivitetit për të rritur produktivitetin ose zvogëluar kostot e prodhimit. Përmirësimi i produktit përfshin përmirësimin e cilësisë së produktit (si, certifikimin, standardet e sigurisë, përpunimin, paketimin, etj.).
  3. Ndryshimi dhe shtimi i funksioneve: Kjo përfshin organizimin funksional ku prodhuesit ose aktorët e tjerë në zinxhirin e vlerës marrin funksione të reja siç është ofrimi i inputeve ose shërbimeve të tjera.
  4. Përmirësimi i mjedisit institucional duke përfshirë shërbimet, konsulencën, kuadrin ligjor dhe institucional, si dhe strategjitë që mbështesin proceset dhe aktivitetet e zinxhirit të vlerës.

 

Konkluzione dhe rekomandime:

 

  • Sektori rural është një nga sektorët më të rëndësishëm, referuar kontributit në prodhimin e brendshëm bruto, nivelit të punësimit në vend dhe mirëqenies së popullsisë që jeton në zonat rurale.
  • Integrimi i fermerëve të vegjël në zinxhirin e vlerës në sektorin bujqësor është një komponent i rëndësishëm për vendet në zhvillim, duke ofruar mundësi për të rritur të ardhurat, punësimin, reduktimin e varfërisë së popullsisë që jeton në zonat rurale. Përfshirja e fermerëve të vegjël në zinxhirin e vlerës është një strategji efektive për të përmirësuar efikasitetin dhe produktivitetin e aktiviteteve të tyre.
  • Modelet e zhvillimit të zinxhirit të vlerës, janë pjesë e një strategjie më të gjerë zhvillimi në sektorin rural. Nga perspektiva e pjesëmarrjes në zinxhirin e vlerës, institucionet dhe agjensitë qeveritare duhet të hartojnë politika dhe strategji që të mbështesin fermerët e vegjël që të integrohen sa më mirë në proceset dhe aktivitetet e zinxhirit të vlerës.
  • Promovimi i praktikave më të mira dhe bashkëpunimi midis aktorëve në zinxhirin e vlerës në mënyrë që të përmbushin kërkesat dhe standardet e tregut duket rritur përfitimet dhe vlerën e shtuar, përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse në zhvillimin e zinxhirit të vlerës.
  • Në kontekstin e zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit rural, është e rëndësishme nxitja e fermerëve të vegjël për të rritur bashkëpunimin me njëri-tjetrin, me qëllim krijimin dhe anëtarësimin në shoqatat e bashkëpunimit bujqësor. Shoqatat e fermerëve luajnë një rol vendimtar në uljen e kostove të transaksionit, rritjen e fuqisë negociuese, aksesin për financime, rritjen e produktivitetit dhe konkurueshmërisë, përmirësimin e cilësisë së produkteve si dhe integrimin e fermerëve të vegjël në zinxhirin e vlerës në sektorin rural.

 

Prof. Asoc. Dr. Ilir TOMORRI

Pedagog, Departamenti i Drejtimit të Agrobiznesit, Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit,

Universiteti Bujqësor Tiranë

Na Ndiqni në: