Një sërë kultivarësh rriten dhe prodhohen në vendin tonë dhe një ndër pemët më të veçanta, më të shijshme dhe më të përhapura në Shqipëri, është hurma kaki (Diospyros kaki Thunb). Origjina e hurmës është nga vendet e Lindjes së Largët, ndaj dhe historia e kultivimit të hurmës në Shqipëri është relativisht e re, gati 110-vjeçare.
Po ju rrëfejmë në vijim “rrugëtimin” e këtij fruti të mrekullueshëm nga lindja e largët deri në vendin tonë, rrëfim i mundësuar nga agronomi i njohur shqiptar, Abedin Çiçi në një shkrim të botuar në revistën “Pionieri” (nr. 31, nëntor 1973) dhe të titulluar “Historia e hurmës”. Sipas këtij rrëfimi pema e hurmës kaki (Diospyros kaki Thunb) është kultivuar në Shqipëri për herë të parë në vitin 1911 dhe është sjellë në Shqipëri nga një fermer me emrin Adem Karai, banor i fshatit Kuturman i Librazhdit.
Sipas tregimit të Çiçit, Adem Karai kishte lënë shtëpinë dhe familjen e tij dhe i detyruar nga varfëria, emigroi jashtë atdheut duke gjetur punë si kopshtar tek një aga’ në Stamboll. Në kryeqytetin e Turqisë, Ademi pa një bimë shumë interesante, e cila i kishte frutat si topa në ngjyrë të kuqe në të florinjtë dhe në pamje i ngjasonte portokallit. Ademi ishte mahnitur pas frutit të jashtëzakonshëm e me shije të veçantë që nuk rritej në vendin e tij dhe siç shkruante agronomi A. Çiçi, ai vriste mendjen se si të bënte që të mund të rriste këtë pemë kaq të mirë edhe në Kuturman, në fshatin e tij.
Për ta dërguar këtë frut në Shqipëri, Ademi pregatit një filiz të ri me dhe’ për t’u nisur në nëntor të 1911 për në Shqipëri. Ndërsa mbërrin në fshatin e tij në Kuturman, Ademi përpiqet t’u tregojë familjarëve të habitur për “dhuratën” e sjellë nga Turqia, për vlerat e shumta të saj, duke u thënë se do ta mbillte në kopësht dhe ata të kujdeseshin për të, pasi ishte më e mirë se të gjitha plackat e sjella nga kurbetllinjë.
Pasi ndenji disa ditë në vendin e tij, Ademi u nis përsëri për në Stamboll dhe u la amanet familjarëve të tij që të kujdeseshin për pemën e hurmës me shije të veçantë. Në Shqipërinë e atyre viteve nuk njihej pema e hurmës kaki, por në vendin tonë rritej një frut tjetër, i ngjashëm me të, pema e të së cilës rritej në gjendje të egër dhe njihej nga populli si “hurma e egër”. Frutat e hurmës së egër kishin të njëjtën pamje me hurmën kaki, por ishin shumë herë më të vogla se ajo. Hurma e egër i bënte frutat sa një kokërr rrushi dhe me shumë fara. Frutat e hurmës së egër ishin shumë të athta në shije. Frutat e saj konsumoheshin vetëm kur ishin të pjekura dhe të squllura. Ndërkaq filizi i hurmës që pati sjellë Ademi nga Turqia, filloi të rritej dhe pema filloi të prodhonte kokrrat e saj të para, të cilat fillimisht u shijuan nga familjarët e Ademit dhe nga bashkëfshatarët e tij. Fruti i hurmës ishte shumë i shijshëm dhe shumë shpejt fama e tij u përhap në të gjithë krahinën e Çermenikës. Lajmi se në Kuturman kultivohej një frut i ri e i panjohur, që prodhonte fruta me shije të jashtëzakonshme, mbërriti edhe në qytetin e Elbasanit. Deri në fillim të shekullit të 20-të, elbasanasit nuk e njihnin hurmën e kakisë. Nëpër kopshtet e tyre ata rrisnin hurma të egër. Pas famës që morën hurmat e Kuturmanit, disa nga kopshtarët elbasanas shkuan në Kuturman dhe morën kalema nga hurma e Kuturmanit dhe me to bënë shartime mbi hurmat e egra. Pas suksesit që patën hurmat e shartuara në Elbasan, brenda pak vitesh hurmat e Kuturmanit u përhapën gati në të gjithë Shqipërinë e mesme dhe fruti i hurmës, shkruan A. Çiçi, hyri në gjuhën e popullit me emrin “Hurma e Kuturmanit”.
Përmblodhi materialin (anonim) Shënim: Materiali i plotë i përgatitur nga Avni ALCANI është i botuar në “Tirana Observer” dt. 04/10/16