www.rawpixel.com

Historia dhe origjina e bishtajoreve kokërr

Përkundër errësirës së fillimeve të kultivimit të specieve të bimëve në secilin rajon, është e sigurtë se përzgjedhja e specieve ka ndodhur në periudha shumë të ndryshme të lashtësisë, përpara përmirësimit gjenetik. Sipas De Candolle ishin egjiptianët e lashtë dhe fenikasit ato që përhapën shumë bimë/specie të kultivuara nga Azia Perëndimore drejt rajonit të Mesdheut dhe në Evropë. Migrimet e tyre drejt Evropës mendohet se filluan rreth 2500 ose 2000 vjet para erës sonë (p.e.s).

Bishtajoret kokërr kanë një histori të gjatë dhe të pasur. Provat e para të njohjes së tyre që datojnë rreth 11000 vite më parë, vijnë nga një rajon në Lindjen e Mesme i njohur si “Gjysmëhëna Pjellore” (Fertile Crescent), që ishte qendra e disa prej civilizimeve më të hershme të njerëzimit.

Fasulja (Phaseolus vulgaris L.). Ndër bimët më të vjetra e më të përhapura të bishtajoreve kokërr në kultivim janë fasulet. Bazuar në provat arkeologjike, morfologjike, agronomike dhe tek proteinat e farës, janë identifikuar dy vatra të origjinës së fasules.

Vatra e parë është Amerika Jugore-Qendrore (Peru, Kolumbi, Meksikë dhe Guatemalë), nga ku kanë rrjedhur dhe janë përhapur kultivarët me kokërr të madhe, të kultivuar rreth 3-4 mijë vjet p.e.s. Shumica e kultivarëve që gjenden në Evropë janë të tipit të Andeve me fara të mëdha.

Fasulja e zakonshme dhe disa specie të tjera që kultivohen në vendin tonë e kanë origjinën nga kjo vatër. Vatra e dytë është Azia Jugore dhe Juglindore nga kanë rrjedhur dhe janë përhapur specie dhe kultivarë me kokërr të vogël të kultivuar 5-7 mijë vjet p.e.s. Fasulet e vatrës së dytë kanë hyrë në Ballkan para fasules së zakonshme, por që për shkak të shijes së tyre të veçantë, nuk kanë gjetur mundësi përhapjeje të gjerë.

Thjerrëza (Lens esculenta; L. culinaris). Ndonëse ka pak njohuri mbi origjinën e bimës së kultivuar, shumë autorë raportojnë se speciet e këtyre grupeve i përkasin të gjitha pellgut të Mesdheut (varietetet me kokërr të madhe) dhe Azisë Perëndimore (varietetet me kokërr të vogël). Historia dhe emrat e kësaj bime mund të japin më të qartë indikacionet e origjinës së saj. Ajo është kultivuar në lindje të pellgut të Mesdheut që nga kohët parahistorike. Sipas Herodotit, Theophrastus, etj., thjerrëzën e përdornin kryesisht egjiptianët e lashtë që nga kohërat parahistorike.

Të dhënat datojnë rreth 2200 vite p.e.s. Aristofani e përmend thjerrëzën të kultivuar si ushqim të varfër nga Grekët me emrin “fakos” ose “facai”. Latinët e quajtën “lente”, një emër origjina e të cilit është e panjohur, por që ngjan dukshëm me emrin Ilir “lechja”, me atë sllav “lesha” ose në lituanisht “lenszic”.

Qiqëra (Cicer arietinum) sipas De Candole, ka si vend-origjinë një zonë të gjerë midis Greqisë dhe Himalajeve (zonë që shpesh quhet Lindja), ndërsa Vavilov raporton dy qendra origjine: Azinë Jug-Perëndimore me Mesdheun dhe Etiopinë. Grekët e kultivonin këtë specie që në kohën e Homerit, nën emrin “erebinthos”dhe latinët me emrin “cicer”, që është origjina e të gjithë emrave modernë në jug të Evropës. Te shqiptarët, pasardhës të Pellazgëve, emri ekziston në formën “kikere”.

Ekzistenca e emrave të tillë gjerësisht të ndryshëm tregon se bima ishte e njohur shumë herët dhe ndoshta autoktone në juglindje të Evropës. Në Turqi janë gjetur materiale që datojnë rreth 5500 p.e.s, ndërsa në Indi rreth 2000 vite p.e.s.

Bizelja (Pisum sativum L.) është një ndër bimët më të hershme të kultivuara nga njeriu. Ka mendime të ndryshme lidhur me vendorigjinën e bizeles. Vavilov (1949) raporton si qendra të origjinës Etiopinë, Mesdheun dhe Azinë Qendrore, me një qendër dytësore në Lindjen e Afërme. Autorë të tjerë raportojnë se bizelet e kanë origjinën nga Azia Jugperëndimore, që më pas u përhapën në zonat e ngrohta të Evropës. Sipas De Candolle, Pisum sativum u kultivua nga grekët në kohën e Theophrastus, me emrin “pisos” ose “pison”.

Shqiptarët, pasardhës të pellazgëve, e quanin “pizelle” dhe latinët më vonë e njohën me emrin “pisum”. Mendohet se njerëzit kanë konsumuar bizele rreth 9500 vite më parë dhe e kanë kultivuar atë para 8500 vitesh.

Soja (Glycine maks) është kultivuar në Kinë dhe Japoni që nga antikiteti i largët. Përfaqësohet nga numër i madh varietetesh me përdorime të shumta. Soja është ushqyese dhe përmban sasi të madhe yndyre të tretshme. Ka përbërës të ngjashëm me gjalpin, vajin dhe djathin që nxirren prej saj dhe që përdoren në gatimet kineze dhe japoneze. Të dhënat më të hershme të përdorimit të farave të sojës për konsum njerëzor datojnë rreth 2800 vite p.e.s. Në Kinën verilindore është kultivuar rreth 1500 dhe 1000 vite p.e.s. Si vend origjine njihen Kina Veriore, ajo verilindore dhe qendrore.

Koçkulla (Lathyrus sativus L.) sipas Vavilov ka dy qendra të ndara të origjinës: Azia Qëndrore dhe Abisinia (si qendër e dytë). Në ngjashmëri me bishtajoret e tjera si thjerrëza (Lens culinaris), batha (Vicia faba) etj., gjinia Lathyrus përfaqësohet nga forma me fara të vogla ndërsa rreth rajonit të Mesdheut pjesa më e madhe e atyre që kultivohen janë me fara të mëdha dhe lule të bardha. Të dhënat tregojnë se gjinia Lathyrus është e vjetër dhe ekzistenca e saj daton në Indi rreth 2000 – 1500 vite p.e.s.

Kombinimi i të dhënave arkeo-botanike me ato fitogjeografike dëshmojnë se origjina e kultivimit të koçkullës (L.sativus) është në gadishullin ballkanik, në periudhën e hershme të Neolitit që daton në fillim të mijëvjeçarit të 6 para erës sonë. Mendohet se koçkulla është ndoshta bima e parë e zbuluar në Europë si pasojë e zgjerimit të bujqësisë drejt Perëndimit.

 

Prof. Dr. Belul Gixhari
Instituti i Resurseve Gjenetike të Bimëve, UBT.

Na Ndiqni në: