Dita Botërore e Turizmit, Kumbaro: Të promovojmë bukuritë e Shqipërisë

TIRANË, 27 shtator/ATSH/ Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro tha sot se “27 Shtatori, Dita Botërore e Turizmit, këtë herë më fort se ndonjëherë thërret për nevojën e një zhvillimi gjithëpërfshirës e të qëndrueshëm”.
Kumbaro shprehet se “një ditë mund të mos mjaftojë për ta bërë turizmin, por një ditë kushtuar turizmit na shërben për të reflektuar vizionin ku duhet e ku duam të shkojmë. Pas një viti shumë të vështirë në të cilin pandemia goditi shëndetin, por edhe ekonomitë dhe planet zhvillimore, ku të gjithëve, por sidomos operatorëve turistikë iu desh të shtrëngonin dhëmbët për të përballuar një situatë që as do ta kishim imagjinuar ndonjëherë në skenarët më pesimistë, ky vit na dha optimizëm në Shqipëri, duke shkuar në nivelet e atij 2019 për numrin e vizitorëve”.
“Arsye për t’u gëzuar, por ende jo për të festuar. Janë të dhëna që tregojnë se në Shqipëri ka dashuri gëluese për detin, rërën, alpet dhe liqenet, për bujtinat dhe agroturizmin, për festat e koncertet në peizazhe të pashoqa. Ama na vendos po ashtu në tehun e përgjegjësisë reale, jo thjesht për demagogji se kështu na e do detyra, por për të vazhduar politikat e mira, për ta promovuar bukurinë që kemi brenda nesh, për të bashkëpunuar me më shumë partnerë. E përpos së gjithave, për t’u zhvilluar të gjithë së bashku për një turizëm gjithëpërfshirës, siç është tematika që ka zgjedhur këtë herë Organizata Botërore e Turizmit, përgjatë gjithë vitit, që mendon shumë për plazhin, por edhe më shumë për fshatrat”, nënvizon Kumbaro.
Kumabro thekson se “për vendet tipike ku turistët mezi ç’presin të shkojnë, por çmon fort edhe zonat e fshehta që ruajnë perla natyrore. Që ndihmon investitorët strategjikë për struktura me pesë yje, por nxit edhe ekoturizmin si formën më të mirë për njohjen e kulturës dhe historisë natyrore të mjedisit, mbrojtjen e ekosistemit dhe krijimin e mundësive ekonomike duke ruajtur me fanatizëm natyrën. Për turizmin si mundësi zhvillimi, në Shqipërinë tonë. Në shtëpinë tonë”.
Kumbaro në Ditën Botërore të Turizmit publikoi një video nga Peshtani, midis Tepelenës dhe Përmetit, duke e cilësuar një ekoturizëm në territor.

Na Ndiqni në: