Rekordi botëror, 35.8 ton misër kokërr për hektar!
Rekordin botëror në rendimentin e misrit e ka vendosur amerikani David Hula nga Charles City në shtetin federal të Virxhinias në vitin 2015. U arrit një rendiment prej 35,8 tonë për hektar kokërr në tokë të ujitur duke përdorur farat Pioneer® P1197AM dhe teknika të ndryshme të ushqyerjes së bimëve, si pjesë e Konkursit të Prodhimit të Misrit të Shoqatës Kombëtare të Kultivuesve të Misrit (NCGA). Në SHBA, në vitin 2017 është arritur rendimenti më i lartë mesatar, në rreth 31 milionë Ha, 12 tonë misër kokërr për ha.
Bashkimi Europian (BE) është zona e tretë për prodhimin e misrit në botë, pas SHBA-së dhe Kinës. Në BE misri prodhohet në më shumë se 15 milionë hektarë, nga të cilat 60 përqind (9,4 milionë hektarë) korrret si drith dhe 40 përqind (5,9 milionë hektarë) si silazh. Farat e misrit prodhohen në rreth 150,000 deri në 200,000 hektarë. Për biogazin, misri mbillet në një milion hektarë. Ndërsa në SHBA 90 për qind e hibrideve të misrit janë OMGJ, në BE është vetëm dy përqind e totalit të misrit të prodhuar. Vitet e fundit, Rumania është bërë prodhuesi më i madh i misrit në BE dhe ka tejkaluar ndjeshëm Francën.
Prodhimi i misrit në BE për vitin 2020 ka qenë 62.8 milionë tonë. Prodhimi i vitit 2019 ishte 65.3 milionë tonë. Moti i nxehtë dhe i thatë uli më tej potencialin e rendimentit, veçanërisht në vendet e Ballkanit. BE-ja është importuesi kryesor i misrit dhe vetëm vitin e kaluar importet arritën në rreth 20 milionë tonë, ku importuesit më të mëdhenj të kësaj kulture janë Spanja me import prej rreth shtatë milionë tonë dhe Holanda me katër milionë tonë. Importuesit kryesorë të misrit janë gjithashtu Portugalia, Italia dhe Danimarka. Shumica e misrit në tregun e BE-së vjen nga Ukraina, Brazili, Serbia, Moldavia dhe Argjentina.
Të dhëna mbi kultivimin e misrit në Shqipëri në 5 vitet e fundit
Sipërfaqja e mbjellë me bimën e misrit rreth 58 000 ha.
Për kokërr rreth 53 000, rendimenti për kokërr 7-7.5 ton/ ha.
Prodhimi i përgjithshëm 370- 400 000 ton misër kokërr.
Për silazh me kalli 5 000 ha, rendimenti 35-40 ton/ha.
Importi: çdo vit 100-120 000 ton, kryesisht nga Serbia.
Qarqet me sipërfaqe më të mëdha: Fieri, Elbasani, Shkodra, Dibra.
Qarqet me rendimentin më të lartë: Vlora, Fieri, Shkodra.
Në rreth 12 000 ha rendimentet janë të nivelit 10-14 ton/ha misër kokërr, kryesisht në bashkitë: Sarandë, Konispol, Maliq, Shkodër, Lezhë, Elbasan, Fier.
Kostandin Hajkola, Prof.As.
QTTB Shkodër